Ligji për Obiliqin jo funksional, duhet të rikthehet në Kuvend

Aktuale

Ligji për Obiliqin jo funksional, duhet të rikthehet në Kuvend

Më: 21 mars 2017 Në ora: 14:02

Ligji për Obiliqin i miratuar në fund të vitit të kaluar në Kuvend ende nuk ka hyrë në funksion, dhe për t’u implementuar ky ligj duhet të rregullohet dhe çështja e tantiemës për financat publike .

Për këtë, deputeti nga PDK, Shaip Muja, tha se Ligji për Obiliqin duhet të kthehet në rivotim.

Muja: Ligji për Obiliqin edhe një herë në rivotim

“Duhet të vij edhe një herë në rivotim ligji për Obiliqin, kështu që do të rivotohet dhe shpresoj që duhet të kalojë dhe të merren mandej edhe detyrat dhe të përfitoj komuniteti prej tantiemës”, deklaroi sot deputeti Muja në Komisionin Parlamentar për Bujqësi.   

Komisioni në mbledhjen e saj ka nxjerrë edhe shtatë rekomandime për Qeverinë e Kosovës lidhur me zhvendosjen e banorëve të Hades.

Po ashtu në lidhje me këtë problematikë të këtyre banorëve do të mbahet edhe një debat parlamentar, si pikë e veçantë.

Deputeti nga LDK-ja Adem Salihaj i cili ka hartuar rekomandimet, tha se në rekomandimin e parë duhet që  Qeveria brenda tre muajsh t’i nxjerr akt vendimin që deri në  vitin 2019 të ndodhë zhvendosja e banorëve të Hades.

 Salihaj tha se kjo periudhë është e mjaftueshme për Qeverinë lidhur me krijimin e buxhetit për këtë çështje.

Saihaj: Deri më 31 dhjetor 2019 të bëhet zhvendosja e banorëve të Hades

“Qeveria brenda tre muajsh t’i nxjerr aktet e nevojshme dhe ta bëjë një plan për zhvendosjen e banorëve të Hades. I kam përfshirë të gjitha aspektet dhe sipas mendimit tim, pjesa e mbetur e Hades duhet të zhvendoset përfundimisht deri më 31 dhjetor 2019. Qeveria mund ta bëjë një plan në disa faza, por që nuk mund ta tejkalojë afatin. Këtu i kam përfshirë të gjitha procedurat për zhvendosje. Procedurat e marrjes së vendimit nga Qeveria, duhet të jetë vlerësimi i pronave, kompensimi, zhvendosja e të tjera”, deklaroi deputeti Salihaj.

 Ai shtoi se  është rekomanduar që Qeveria mund t’u ofroj ëbanorëve të mbetur të Hades troje në Shkabaj, por pa i detyruar ata që të vendosen aty.

Sipas Salihajt, në Hade që nga viti 2004 e deri më tash u është ndaluar çfarëdo  ndërtimi ose mbindërtimi, ngase banorët e mbetur nuk kanë pasur të drejtë të ndërtojnë shtëpi, banesa ose objekte të tjera dhe në këtë mënyrë jo vetëm që është penguar zhvillimi normal ekonomik në këtë fshat problematik, por është penguar edhe zhvillimi i familjes, sepse ata nuk janë lejuar të kenë dhoma shtesë për të krijuar familje.

Për këtë, deputeti Salihaj tha se është bërë një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe për këtë është propozuar  në rekomandim që Qeveria ta ketë parasysh edhe këtë në procedurat e kompensimit, ngase janë dëmtuar banorët e Hades.

Përveç tjerash, ai tha se Qeveria i ka detyruar këta banorë që t’i ekspozohen pluhurit të tymit, zhurmave dhe aspekteve të tjera dëmtuese për banorët.

Ndërsa deputeti i VV-së, Sali Salihu theksoi se infrastruktura në Shkabaj duhet të përfundojë para 31 dhjetorit 2019 që deri në këtë kohë të zhvendosen të gjithë banorët.

 Sipas tij, detyrë e Kuvendit është të  bëjë dhe të debatojë por që sipas tij Qeveria nuk ka gatishmëri për zgjidhjen e problemit të këtyre banorëve.

Salihu: Infrastruktura në Shkabaj duhet me përfunduar para dhjetorit të 2019

“Infrastruktura në Shkabaj duhet me përfunduar më herët, në mënyrë që zhvendosja me përfunduar në fund të vitit 2019... Si komisionin ne nuk kemi mundësi tjetër me bërë përveç se me i dërguar këto rekomandime në Kuvend... Le ta dinë krejt se kjo qeveri nuk interesohet për ata njerëz”, theksoi Salihu. 

Edhe deputeti Shaip Muja ka përkrahur rekomandimet , por kërkoi  që çështja e Hades të futet në interpelancën e ardhshme të kryeministrit Isa Mustafa, për çka nuk gjeti përkrahje nga kolegët e tij.

Deputetja e AAK-së  Time Kadrijaj kërkoi që Hadja të mos futet në interpelancë por vetëm të mbahet debat parlamentar.

Në bazë të vizitës që i kanë bërë anëtarët e këtij Komisioni, në Shkabaj, ka vetëm pak shtëpi, pak rrugë, kanalizimi dhe ujësjellësi kanë qenë jo funksional, andaj, deri më 31 dhjetor 2019 duhet të përfundohet e gjithë infrastruktura përfshirë edhe shkollën që duhet të ndërtohet në këtë fshat. 

Me anë të këtyre rekomandimeve, Qeveria duhet që në afat tremujor ta informojë Kuvendin për të gjitha veprimet për Haden dhe për planin e zhvendosjes, kurse për çdo gjashtë muaj ta informojë për procesin e zhvendosjes së Hades.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat