Studentët bëhen me Qendër të Mjekësisë Familjare

Aktuale

Studentët bëhen me Qendër të Mjekësisë Familjare

Më: 22 mars 2017 Në ora: 11:24
Sherbimet shendetesore ne Qendren e studenteve

(E plotësuar) - Rreth 4 mijë studentë të cilët janë banues të konvikteve tashmë do të kenë mundësi të marrin shërbime të mjekësisë familjare në Qendrën e Studentëve në Prishtinë..

Kjo Qendër e Mjekësisë Familjare fillimisht do të punojë vetëm në ndërrimin e paradites dhe pesë punëtore shëndetësorë do të ofrojnë shërbime mjekësore për të gjithë studentët e Universitetit të Prishtinës.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se duke qenë se studentët për nëntë muaj jetojnë në Prishtinë atëherë do të ofrojnë shërbimet e mjekësisë familjare për të gjithë studentët e UP-së.  

Ahmeti: Komuna e Prishtinës do të ofroj shërbime të mjekësisë familjare në konvikte    

“Kërkesa e madhe e studentëve të cilët janë dhe jetojnë dhe janë 9 muaj në vit banor të rregullt të komunës së Prishtinës ne tashmë do t’u ofrojmë shërbimet e mjekësisë familjare në konviktet e studentëve për të gjithë studentët e Universitetit të Prishtinës. Gjithsej siç jemi njoftuar nga drejtori jetojnë 4 mijë studentë në konvikte të Universitetit të Prishtinës, megjithatë ne e ofrojmë këtë shërbim për të gjithë studentët e Universitetit të Prishtinës, fillimisht duke filluar me një ndërrim të paradites, shërbime të mjekësisë familjare, pra intervenime, shumë shpejt me shërbime stomatologjike dhe shërbime laboratorike. Po e them që pasi jemi edhe në procesin e rekrutimit të stafit të ri besoj që shumë shpejt edhe do ta dyfishojmë numrin dhe do të punojmë në dy ndërrime”, tha Ahmeti.

Me këtë rast ai tregoi se ky ka qenë një investim modest i komunës së Prishtinës pasi që e gjitha ka kushtuar jo më shumë se pesë mijë euro.

Duke marrë pjesë në këtë hapje ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, tha se me funksionalizimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare,  Qendra e Studentëve po kompleton shërbimet për studentët.

Bajrami: Përfitues të kësaj qendre do të jenë katër mijë studentë

“Është diçka jashtëzakonisht e dobishme për studentët sepse ata nuk do të ngarkohen në Qendrën Klinike Universitare, por do të marrin shërbime primare, mjekësore në këtë qendër dhe ky është një kujdes që po e tregojmë ndaj studentëve në mënyrë që kampusi i Qendrës së Studentëve të ofroj të gjitha shërbimet që i duhej studentëve. Pa dyshim me hapjen e kësaj qendre praktikisht ne po ofrojmë të gjitha shërbimet që duhen për një jetë të rehatshme të studentëve dhe ofrojmë edhe kushte moderne”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i Qendrës së Studentëve Fatmir Sfishta, tha se me hapjen e QKMF- krijuar të gjitha kushtet që Prishtina të jetë një qytet i studentëve.

Sfishta: Një projekt kapital që i plotëson kushtet të jemi një qytet studenti

“Ky është një projekt kapital me të cilin neve i kemi krijuar të gjitha kushtet që të jemi një qytet Studenti. Tash falënderoj kryetarin e Komunës, ministrin e Arsimit, posaçërisht drejtorin e Drejtorisë së Shëndetësisë për insistimin e tij që ky projekt të kryhet dhe të përfundojë. Mendoj që studentët atë që e kanë kërkuar edhe e kanë arritur, sigurisht do të rriten shërbimet. Tash vetëm i mirëpresim studentët që për nevojat e tyre shëndetësore ti kryejnë këto vizita”, tha ai.

Drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Arben Vitia, sqaroi se komuna e Prishtinës ka bërë rreth 80 përqind të investimeve në këtë Qendër të Mjekësisë Familjare.

Po ashtu, ai bëri të ditur se janë pesë punëtorë shëndetësorë dhe që në fillim do të punojë vetëm paradite për shkak të mungesës së stafit.

Të kënaqur me rihapjen e QKMF-së  u shprehën edhe disa studentët të cilët thanë se ka qenë një nevojë e kamotshme që të kenë këto shërbime.

***

Është përuruar Qendra e Mjekësisë Familjare brenda hapësirës së Qendrës së Studentëve të Universitetit të Prishtinës e cila me vite të tëra ka qenë jofunksionale.

Pas shumë kërkesave të studentëve, Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit e rifunksionalizuan këtë qendër në të cilën tash e tutje do të ofrohen shërbime për studentët që banojnë në konvikte.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se 90 për qind të investimeve i kreu komuna që ai drejton dhe tashmë mbetet vetëm edhe plotësimi i stafit pasiqë kjo qendër për momentin punon vetëm në ndërrimin e paradites deri në kompletimin e tërrësishëm të personelit.

Në këtë aktivitet morri pjesë edhe ministri i Arsimit, Arsim Bajrami.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat