Ministri Lutfi Zharku nën hetime

Aktuale

Ministri Lutfi Zharku nën hetime

Më: 22 mars 2017 Në ora: 12:17
Ministri Lutfi Zharku

Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetimet ndaj ministrit të Infrastrukturës, Lutfi Zharku.

Ai dyshohet të jetë përfshirë direkt në dallavere me leje për kyçje të kompanisë “Al Petrol” në rrugën nacionale në hyrje të në autostradës “Ibrahim Rugova” në Cagllavicë.

Media ka siguruar dosjen e dokumentacioneve që tregojnë se Zharku ka bërë shkelje duke i lëshuar njëherë leje kësaj kompanie e pastaj duke ia revokuar, me qëllim të përfitimit, bashkë me disa zyrtarë të tjerë.

Ministri Zharku, bashkë me nipin e tij, Beqir Shehu, Gjyhjet Mustafa, Fisnik Cakaj, e Nazmi Gashi e disa të tjerë, dyshohet se në bashkëveprim me qëllim të përfitimit kanë keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar, duke anuluar kundërligjshëm vendimin me nr. 2162/2016 të datës 03.05.2016.

Vendim ky që jepte pëlqimin për kyçje të kompanisë “Al Petrol” në rrugën nacionale 25.2. hyrja në autostradë.

Në dokumentet e siguruara shihet se departamenti Special Antikorrupsion i Policisë së Kosovës me 6 dhjetor të vitit 2016 ka kërkuar të dhëna shtesë nga Inspektorati i Infrastrukturës Rrugore në Ministrinë e Infrastrukturës për këtë çështje.

Në kërkesën e Antikorrupsionit, drejtuar MI-së, kërkohen procesverbalet e Inspektoratit të Infrastrukturës gjatë inspektimit të punimeve në pikën e karburantit “Al Petrol” me seli në rrugën nacionale në drejtim të Çagllavicës në hyrje të rreth rrotullimit të Autostradës në rrugën “Ibrahim Rugova”.

Po ashtu, iu kërkohet i gjithë dokumentacioni i dorëzuar në MI nga parashtruesi i kërkesës “Al Petrol mbi aplikimin për kyçje në rrugën nacionale, raporti mbi shqyrtimin e kërkesës nga zyrtarët përgjegjës të MI-së raporti u komisionit mbi ndërprerjen e punimeve si dhe dokumentacionin që ndërlidhet me lëndën në fjalë. “Arbresh.Info” merr vesh se Prokuroria Speciale nuk ka gjetur ende bazë ligjore përse është anuluar leja dhe nuk është shfrytëzuar e drejta e ankesës nga pala e pakënaqur në kohën kur ende kishte mundësi ankese ligjore.

Vendimi i datës 3 maj 2016 për dhënien e pëlqimit për kyçje të kompanisë “Al Petrol” në autostradën, shihet se kishte këshillën juridike që pala e pakënaqur mund të ushtrojë ankesë pranë komisionit të MI-së në afat prej 30 ditësh, afat këtë të cilin ministri Zharku nuk e kishte shfrytëzuar, percjell arbresh.

Por, Zharku kishte angazhuar auditimin e brendshëm që të bëj raport të jashtëzakonshëm dhe pas marrjes së këtij raporti me 8 gusht 2016 kishte nxjerr vendimin me të cilin kishte pezulluar vendimin e datës 3 maj 2016, në të cilin lejohej kyçja e “Al Petrolit në autostradën në Cagllavicë, tek vendi i quajtur “Gllogu te Shelqet”.

Përveç kësaj, Zharku kishte nxjerrë edhe një vendim tjetër, atë për themelimin e komisionit për shqyrtimin e vendimit të 3 majit 2016, ku lejohej kyçja e “Al Petrol” në autostradën në fjalë, vendim ky që ishte kompetencë e Sekretariatit të Përgjithshëm të ministrisë.

Komisioni ishte thirrur në nenet 100, 101 dhe 102 të ligjit nr.02/L-28 për Procedurën Administrative, ligj ky që është shfuqizuar me 25 maj 2016 me ligjin nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, i shpallur me 13 qershor 2016 nga presidenti Hashim Thaçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat