Familjarët e të zhdukurve i bëjnë për pesë pare deputetët

Aktuale

Familjarët e të zhdukurve i bëjnë për pesë pare deputetët

Më: 22 mars 2017 Në ora: 17:22
Pamje nga diskutimi për ndryshimin e Ligjit për Persona të pagjetur në Komisionin për të Drejtat Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione,

Përfaqësuesit e familjeve të personave të pagjetur e kanë quajtur diskriminues ligjin për persona të pagjetur, duke kërkuar ndryshimin e tij nga fillimi deri në fund.

Ata akuzuan institucionet se nuk po bëjnë asgjë për kategori, madje po e përbuzin që 17 vjet  pas luftës kategorinë me të ndjeshme të shoqërisë në Kosovë.

Gjatë diskutimit për ndryshimin e Ligjit për Persona të pagjetur në Komisionin për të Drejtat Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, përfaqësuesi i familjarëve nga Mitrovica Bajram Qerkini tha se ky ligj që nga fillimi ka qenë për ta diskriminues, prandaj edhe nuk pati asnjë fjalë për t’iu thënë faleminderit deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Qerkini: Nga fillimi deri në fund ligji na diskriminon

“Nuk dua t’i numëroj numrat, se ju keni qejf më i numëru nenet, edhe me ja nisë prej këtij ligji, neni, 1 e 2 e 3, por unë po them prej emrit të pagjetur e deri të pika e fundit marë s’ka për neve. Ju keni me qitë marë atëherë kur nuk ekziston asnjë familjar që ka nevojë t’i kompensojë, sepse nuk e keni as vullnetin politik, as vullnetin njerëzor, s’e kanë pasur ata para teje zonjë, as sot ti, sidomos mirëqenia sociale, të gjendet një njeri pa kurrfarë informate me ia ndalë gjysmën e bukës. Unë veç në burg kur kam qenë na kanë thënë gjashtë vet keni me nda një bukë edhe në ushtri tetë vet e kemi ndarë një bukë, veç ata kanë menduar ashtu edhe sot po mendohet për këtë kategori, mirëqenia sociale na ka bërë kështu”, shtoi Qerkini.

Qerkini e quajti shqetësues kushtëzimin që ua ka bërë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, se ata persona që kanë mbushur moshën e pensionit, të zgjedhin mes pensionit dhe ndihmës si familjarë që ka të zhdukur. Madje Qerkini ftoi  deputetët që të dalin vetëm pesë minuta në vendin e tij.

Qerkini: Dilni në vendim tim vetëm pesë minuta

“Tash Bajram Qerkini ka punuar 38 vjet në minierë, dikush ka pasur këtu prej juve që keni qenë veç të lëshoheni, një vit është vështirë, por e kam pasur shëndetin e kam përballuar dhe tash me thonë a po i don qato 38 vjet që ke punuar kontributdhënës, a po i don me vendim këtë që të ka takuar që Kuvendi ka thënë je i dëmtuar, ta kanë marr djalin, se dinë ku e ke. Ju kisha lutur juve po të ishin pesë minuta në vend temin, s’po them më shumë, veç pesë minuta, çka sot i kishit thënë Komisionit parlamentar”, theksoj Qerkini.

Madje, i nervozuar, Qerkini u tha deputetëve se janë lodhur me premtime të politikanëve.

Qerkini: Jemi lodhur nga premtimet

“Memorialët i përmendi, kush s’e përmend por leje atë punë, s’po jeni ngushtë për këta të gjallët, për të vdekurit që hiq, po lëreni atë punë, mos bani hajgare. Mani bre se jemi lodhur, pasha Zotin  jemi lodhur, edhe duke i dëgjuar gjithë premtime. Me vjen shumë keq prej  Teutës është shumë e shkathët po mundohet të bëjë diçka, po premtime jemi lodhur, janë bërë goxha gjatë me premtime dhe asnjë s’janë realizu. As nuk pres as prej teje, the jam humanitare, po nuk je humanitare po je zyrtare, duhet t’i kryeni disa punë”, theksoi ai.

Vërejtje dhe rekomandime dhanë edhe përfaqësuesit tjerë. Kryetari i Komisionit Qeveritar për persona të pagjetur Prenk Gjetaj tha se duhet urgjentisht të ndryshohet ky ligj, derisa dha disa ide konkrete.

Gjetaj: T’iu njihet e drejta edhe atyre që janë zhdukur para vitit 1998

“Konkretisht lidhur me datën, përfshirjen, statusi i të pagjetur nga cila datë deri në cilën datë, në vitet 90-ta kanë ndodhur jo vetëm në Kosovë por edhe jashtë Kosovës qytetarë të Kosovës kanë rastisur në periudhën kur është zhvilluar lufta në Kroaci, Bosnjë, janë zhdukur, ka edhe të identifikuar të gjetur, si ta trajtojmë atë. Afati ligjor është prej 1 janar 1998, çka me ba me të....kjo qështje është me rëndësi që të përfshihen edhe ata që kanë qenë gjatë viteve 90-ta, sepse ka qenë luftë e pashpallur”, theksoi Gjetaj.

Ndërsa, kryetarja e shoqatës “Thirrjet e Nënave” Nysrete Kumnova tha se kategoria e familjeve të personave të pagjetur është e ndjeshme dhe këtë po e bën edhe me të vështirë diskriminimi që po ua bënë ligji aktual. Ajo kërkoi nga Kuvendi ta shqyrtojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndërprerjen e pensionit të punës personave që marrin pensione në emër të viktimave civile të luftës.

Kumnova: E dhimbshme kushtëzimi i këtyre familjeve

“Përmes kësaj shkrese paraqes kërkesën e familjarëve që u takon e drejta për pension në emër të viktimave civile të luftës dhe të cilët pasi kanë mbushur 65 vite moshë u është bërë kushtëzim nga qeveria që të zgjedhin njërin nga pensionet. Në fakt nëse ka qenë në marrëdhënie pune nuk u takon pensioni i punës, janë të detyruar që nga njëra pagesë të heqin dorë. Kjo është shumë e dhimbshme, edhe vet jam para pensionit, 14 vjeçe kam hi në punë, paramendo me ta ndalu djersën që kemi qenë të parritur kemi derdhur djersën për një kontribut të pleqërisë”, tha Kumnova.

Kryetari i Këshillit të Familjarëve të të Zhdukurve të Kosovës, Haki Kasumi ka parashtruar disa kërkesa të cilat tha se duhet patjetër të futen në ndryshimin e Ligjit për persona të pagjetur, pasi sipas tij, kategorisë më të goditur që 17 vjet rresht i shkelet një e drejtë elementare e njerëzore dhe të ketë kaq pak përkujdesje, është e papranueshme.

Kosumi: Po shtrembërohet e vërteta historike

“Ligji përpos emrit që e ka, ligji për persona të zhdukur shumë pak ose më së paku merret me personat e zhdukur, andaj duhet gjithsesi me ndihmën e ekspertëve, këtij komisioni, të përkujdeset për ta. Në plan të parë, ose pikë e parë e familjarëve në këtë ligj është kërkesa për përkufizim të kohës që përfshinë ky ligj...kërkesë tjetër është të mos ndryshohet statusi as terminologjia për emërtimin e personave që identifikohen ndërkohë, në momentin që identifikohet si viktimë civile, ju lutëm është në grupin e viktimave civile, por e vërteta historike, faktike është diçka tjetër. 17 vite ankth, vuajtje e një familjari për njeriun e vet dhe në momentin që ai gjendet të hidhet në një kategori që këtu po shtrembërohet e vërteta historike”, tha ai.

Komisioni për të Drejtat Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione ka shqyrtuar edhe vendimin e Avokatit të Popullit për propozimin e kandidatëve për zgjedhjen e 5 zëvendësve të Avokatit të Popullit, por nuk ka arritur të marr vendim për t’i dërguar emrat në seancë për votim. Kjo, pasi deputeti serb Nenad  Rashiq, tha se do ta shkelin rregulloren po qes e dërgojnë kështu, meqë mungon edhe një kandidat i komunitetit serb dhe se nuk janë dy ashtu siç kërkohet që për një pozitë të jenë dy kandidat. Mirëpo, për këtë Komisioni vendosi që drejtoria ligjore e Kuvendit të merr një vendim se çfarë të bëhet me listat e kandidateve për zëvendës-avokat, nëse duhet ta dërgojnë kështu si është në Kuvend, apo të shpallet konkursi për një kandidat nga minoritetet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat