Sigurimi i privatësisë së votës esencial për një sistem demokratik

Aktuale

Sigurimi i privatësisë së votës esencial për një sistem demokratik

Më: 23 mars 2017 Në ora: 13:06
Përfaqësuesi zyrës së BE-së në Kosovë, Felix Rathje

Sigurimi i privatësisë së votës dhe mbrojtja e të dhënave të votuesve, është esenciale për të siguruar një proces elektoral demokratik.

Kështu u tha në një tryezë të organizuar nga zyra e BE-së, në të cilën u prezantua raporti “Sigurimi i privatësisë së votës dhe mbrojtja e të dhënave të votuesve”.

Përfaqësuesi zyrës së BE-së në Kosovë, Felix Rathje, tha se zgjedhjet janë shtyllë esenciale për një sistem demokratik dhe mundësi për çdo qytetar që të jetë pjesë e një procesi demokratik. Sipas tij, një pjesë vitale që të sigurohet integriteti i procesit demokratik dhe pjesëmarrje qytetare, është mbrojtja e të dhënave personale të votuesve, privatësia dhe fshehtësia e votës.

Rathje: BE është e përkushtuar për të mbështetur demokracinë dhe zgjedhjet e lira

“BE-ja është e përkushtuar për të mbështetur demokracinë dhe zgjedhjet e lira në tërë botën duke u bazuar në respektin për partneritet dhe Kosova nuk është diçka më ndryshe dhe BE-ja është e përkushtuar që mbetet si udhëheqëse e debatit global për të siguruar mbrojtjen e të dhënave personale në epokën digjitale. Studimi që prezantohet sot ndihmon që të shpjegohet më mirë disa nga parimet që sigurohet në Kosovë dhe një proces gjithëpërfshirës, transparent dhe të drejt të zgjedhjes që të rivlerësoj dhe përmirësoj procesin ekzistues elektoral, po flasim për mbrojtjen e të dhënave personale si përbërës kyç për mbrojtjen e të dhënave të votës demokratike, duhet të sigurohet mirëbesimi dhe integriteti i këtij procesi dhe mbrojtja e duhur e të dhënave është një masë mbrojtëse që nuk lejon manipulimin me vota dhe mos lejimin e këtyre të dhënave që të kalojnë në duar të gabuara”, tha Rathje.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, anëtare e Komisionit për Legjislacion, Valdete Bajrami theksoi se është momenti i duhur që secili të vetëdijesohet për votën e tij, sepse është e drejtë e tij dhe njëkohësisht edhe e shenjtë.

Sipas saj, zhvillimet teknologjike kanë avancuar deri në atë masë sa kanë kaluar edhe në varshmëri të shumë persona në mbarë botën.

Bajrami: Në të kaluarën është keqpërdorur e drejta e votuesve

“Kur jemi tek avancimi i teknologjisë duhet theksuar se ato kanë sjellë edhe rrezikshmëri evidente e cila direkt apo indirekt po shkelen të drejtat e njeriut, në këtë rast qytetarëve. E them këtë pasi në media shpesh postohen imazhe nga aparatet e ndryshme digjitale në bazë të të cilave shkelen në mënyrë drastike të drejtat e njeriut, të cilat garantohen me Kushtetutë dhe konventa ndërkombëtare. Në këtë aspekt nuk zbatohet ligji që mbron të dhënat personale, në këtë drejtim e them me përgjegjësi se institucionet e Kosovës kanë dështuar...Jemi të gjithë dëshmitar se si në të kaluarën është keqpërdorur e drejta e votuesve nga partitë që operojnë në Kosovë, duke i detyruar që ta fotografojnë votën e tyre. Kjo përbën shkelje direkte të votuesve pas shkel vullnetin e lirë të votuesve për të votuar subjektin e preferuar politik”,  tha Bajrami.

Ndërsa, në anën tjetër, anëtari i KQZ-së, Betim Gjoshi tha se ata kanë avancuar mjaft shumë në aspektin e ruajtjes së fshehtësisë së votës dhe mbrojtjen e të dhënave të votuesve.

Gjoshi: Kemi avancuar në aspektin e ruajtjes së fshehtësisë së votës

“KQZ-ja nga zgjedhjet në zgjedhje ka avancuar në ofrimin e shërbimeve sa më cilësore në mbrojtjen e këtyre të drejtave. Që nga organizimi i vendvotimeve ku ne kemi vendosur vëzhguesit që kanë mundësi të shohin gjithë procesin, numrin i këshillave të vendvotimeve që janë shtatë anëtarë brenda një dhome dhe e mbikëqyrin fshehtësinë e votës, pastaj procedurat që kemi ndërtuar për numërim, por edhe procedurat në QNR, garantojnë fshehtësinë e votës. Ne po ashtu gjatë gjithë kohës kemi avancuar në ofrimin e shërbimeve digjitale duke përdorur avantazhe që ka teknologjia informative dhe në të njëjtën kohë jemi konsultuar me Agjencinë për Mbrojtjen e të dhënave që t’i mbrojmë ato të dhëna”, theksoi Gjoshi.

Në këtë tryezë u theksua se Kosova mbetet ende mbrapa në aspektin e votimit elektronik dhe fotografimi i votës nga votuesit.

 Por, Gjoshi thekson se edhe në aspektin e votimit elektronik ata kanë avancuar dhe të gatshëm që të japin kontributin e tyre edhe për këtë çështje, por që janë çështje e legjislacionit.

Derisa, sa i përket fotografimit të votës në vendvotim, sipas Gjoshit, ajo është e ndaluar, porse kjo është më shumë në duar të partive politike dhe mbetet e tyre t’i denoncojnë këto raste. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat