Organizata "Syri i Popullit" shqetëson deputetët – kërkohet raportimi i shefit të AKI-së

Aktuale

Organizata "Syri i Popullit" shqetëson deputetët – kërkohet raportimi i shefit të AKI-së

Më: 23 mars 2017 Në ora: 18:28
Murat Jashari, i akuzuari kryesor për plagosjen e avokatit Azem Vllasi

Shefi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë Driton Gashi ende nuk ka raportuar para Komisionit për Mbikëqyrjen e këtij institucioni, rreth rastit të fundit për tentim vrasjen e avokatit Azem Vllasi nga Murat Jashari dhe organizatën e këtij të fundit që po njihet si “Syri i Popullit”.

Madje një raportim i tillë ende nuk dihet se kur do të ndodh. Kjo pasi një kërkesë që shefi i AKI’së të raportojë para Komisionit Mbikëqyrës ende nuk është bërë.

Haxhi Shala, kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së nuk ka dashur të prononcohet për express të enjten me arsyetimin se për këtë rast janë duke u zhvilluar hetimet.

Ndërkohë që anëtarja e këtij Komisioni Melihate Tërmkolli bën me dije se kryetari Shala deri më tani është dashur që ta bëjë një kërkesë për raportimin në fjalë, pasi siç konsideron ajo, rasti i fundit është serioz.

“Kjo duhet të bëhet me kërkesën e Kryetarit të Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së sepse ai i thërret mbledhjet. Unë kam besuar që kryetari i komisionit është dashur ta bëjë një kërkesë të tillë”, u shpreh Tërmkolli.

Megjithatë, ajo shpreh bindjen se shefi i AKI-së duhet të raportojë para Komisionit për këtë çështje, pasi që sipas saj, rasti në fjalë nuk duhet të anashkalohet.

“Kam menduar që është e udhës me mbajtë një mbledhje edhe për këtë rast sepse nuk është bash kurgjo. Është goxha serioze për stabilitetin e vendit”, ka thënë Tërmkolli.

Ndërkaq vetë institucioni që e udhëheq Gashi, ditë më parë përmes një deklarate ka bërë të ditur se në lidhje me këtë rast të gjitha faktet e deklaratat do t’i bëjë përmes adresës elektronike dhe faqes zyrtare në internet.

Kujtojmë se hetuesia e shtetit e ka cilësuar si tentim vrasje sulmin ndaj avokatit Azem Vllasi. Prokuroria e Shtetit ka ndaluar tre të dyshuar lidhur me këtë rast, me ç'rast të dyshuarin kryesor Murat Jasharin Prokuroria e ngarkon me tri vepra penale, atë të mbajtjes pa leje, hakmarrje dhe tentim vrasje.

Atij i është shqiptuar një muaj paraburgim nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat