Mushkolaj: Në Kosovë veç pushtetarët jetojnë mirë

Aktuale

Mushkolaj: Në Kosovë veç pushtetarët jetojnë mirë

Më: 25 mars 2017 Në ora: 08:01
Imer Mushkolaj

Në 18-vjetorin e fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë dhe Malit të Zi, qytetarët e Kosovës do të duhej të kishin shumë arsye për të festuar. Por, sipas analistëve, zhgënjimi i tyre çdo vit e më shumë po shtohet.

Analisti Imer Mushkolaj tha se qytetarët e Kosovës janë të zhgënjyer nga qeveritë e korruptuara që e kanë udhëhequr vendin që nga ajo kohë.

Sipas tij, vendi nuk është zhvilluar ashtu, siç shpresonim 18 vite më parë.

Po të pyeteshin qytetarët e Kosovës në atë kohë, sipas tij, ata do të jepnin përgjigje optimiste se si do e parashikojnë Kosovën pas 18 vitesh.

“Qeveritë e korruptuara që e kanë udhëhequr vendin që nga paslufta kanë bërë që njerëzit të ndihen të zhgënjyer – vendi nuk është zhvilluar ashtu siç ata kanë shpresuar. Po të pyeteshin kosovarët më 1999 se si e parashikojnë të jetë Kosova më 2017, me siguri do të jepnin përgjigje shumë më optimiste. Por, fatkeqësisht, sot ata kanë mendime të tjera, sepse gjatë gjithë kësaj kohe jeta e tyre nuk është bërë e mirë, siç e kanë menduar, pavarësisht se e gëzojnë lirinë e pavarësinë”, tha ai.

Sipas Mushkolajt, jeta e mirë iu është bërë vetëm pushtetarëve.

“Jeta e mirë iu është bërë vetëm pushtetarëve, atyre që e kanë shfrytëzuar pozitat për t’u pasuruar, e jo për t’ua bërë më të mirë jetën të tjerëve. Sot Kosova mbetet vendi i vetëm i izoluar në Evropë, më i varfri dhe me papunësinë më të madhe. Askush me mendje të shëndoshë nuk ka arsye për festë. Por, falënderimet për NATO-n nuk mungojnë”, u shpreh ai.

Njëjtë si Mushkolaj nuk mendon njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami.

Islami për Telegrafin ka thënë se vendi ka përparime në zhvillimin, avancimin dhe profesionalizmin e policisë, FSK-së dhe AKI-së.

Ai tha se Kosovën e gjen me ngritjen e kapaciteteve të sigurisë të cilat mund të krahasohen ne aspektin profesional me vendet fqinje por edhe më gjerë.

“Si sot 18 vite, UÇK-ës i është bashkuar aleanca më e fuqishme ushtarake në botë NATO. Pas dëbimit të forcave militare e paramilitare serbe nga Kosova, filluan që ndërtohen edhe institucionet e sigurisë së Kosovës me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare. Sot vendi ynë ka bërë përparime në zhvillimin, avancimin dhe profesionalizmin e policisë, FSK-së dhe AKI-së, tri shtylla të rëndësishme që po kontribuojnë në ruajtjen paqes dhe sigurisë në vend. Pra pas 18 viteve Kosovën e gjen me ngritjen e kapaciteteve të sigurisë të cilat mund të krahasohen ne aspektin profesional me vendet fqinje por edhe më gjerë”, tha Islami.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat