Veseli: Ushtrinë do ta bëjmë ne, të tjerët le të merren me dilema

Aktuale

Veseli: Ushtrinë do ta bëjmë ne, të tjerët le të merren me dilema

Më: 25 mars 2017 Në ora: 11:47
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli

(E plotësuar) - Partia Demokratike e Kosovës do ta themelojë ushtrinë e Kosovës, pa prishur raportet miqësore me SHBA-në e NATO-n. Kështu ka thënë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli në konventën e tetë të kësaj partie. Kreu i partisë më të madhe në vend, para 792 delegatëve, tha se PDK garanton se nuk do të ketë kthim prapa në rrugën e nisur drejt integrimit në strukturat euro-atlantike.

Kreu i PDK-së, tha se janë njerëzit e PDK-së ata që kanë meritat me të mëdha për partneritetin e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe gjithë botën demokratike.

Veseli: Ne do ta bëjmë ushtrinë e Kosovës

“Me vizionin tonë, me besimin e marrë nga qytetarët e Kosovës, ne garantojmë thellimin dhe fuqizimin e këtij partneriteti. Aleanca me Perëndimin, e lindur në ditët e rënda të luftës çlirimtare, është vlerë e pacenueshme kombëtare. Të tjerët le të merren me dilema, ne do ta bëjmë Ushtrinë e Kosovës, do ta bëjmë një ushtri moderne e profesionale, rojtare e sigurisë së atdheut tonë, kontribuese e paqes dhe stabilitetit në rajon, anëtare dinjitoze e NATO-s, krenari e brezave që ëndërruan gjatë lirinë e Kosovës, krenari e brezave që do ta trashëgojnë shtetin e pavarur dhe sovran, Republikën e Kosovës”, tha Veseli.

I pari i PDK-së theksoi se shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës ka identitetin e tij të fuqishëm politik dhe Partia Demokratike e Kosovës, garanton pacenueshmërinë e tij. Madje, ai shtoi se shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës, nuk është i përkohshëm, sikurse pretendojnë disa, brenda dhe jashtë, sepse është vepra më madhështore e popullit tonë, që do të jetojë përgjithmonë në hartën gjeopolitike të botës.

Veseli: Është koha për PDK-në

“Prandaj koha është për ne, për Partinë Demokratike Kosovës, për fillimin e ri. Ne gjithmonë u kemi shkuar deri në fund qëllimeve tona, prandaj nuk do të ndalemi kurrë që të kemi ekonomi të zhvilluar, vende pune për rininë tonë të mrekullueshme, shtet të fuqishëm ligjor, mirëqenie në çdo familje të Kosovës dhe lumturi në fytyrat e fëmijëve tanë. Ne kurrë nuk do t’i lëmë të braktisur qytetarët e Kosovës, ne kurrë nuk do ta lëmë në gjysëm të rrugës shtetin tonë të ri, ne do të fitojmë për të fituar Kosova, ne jemi Partia Demokratike e Kosovës, ne jemi fillimi i ri”, theksoi kreu i PDK-së.

Kryetari i PDK-së, foli edhe për proceset zhvilluese të vendit, duke thënë se mund të bëjnë më shumë për vendin dhe qytetarët. Sipas tij, Kosova është dhe do të mbetet, një vend i shpresës për të gjithë.

Ai theksoi se populli i Kosovës çliroi vendin sepse e deshi lirinë më shumë se jetën e vet dhe se mijëra dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë dëshmia e përjetshme e kësaj atdhedashurie të pashembullt.

Veseli: Mos të presim që dikush të na i rregulloj punët tona

“Unë jam i bindur se Kosova po ecën në drejtimin e duhur, mirëpo të gjithë jemi të vetëdijshëm që mund të ecim edhe më të shpejtë. Kosova ka rritje të qëndrueshme ekonomike më të lartën në rajon, mirëpo prapëseprapë, nuk jemi duke shfrytëzuar plotësisht potencialin e jashtëzakonshëm që ka vendi ynë për të kapur nivelin e kërkuar. Ne mund të kemi zhvillim më të hovshëm ekonomik, më shumë fabrika e industri prodhuese, më shumë vende pune për të rinjtë tanë, mirëqenie më të lartë sociale për të gjithë qytetarët, është në dorën tonë t’i arrijmë këto qëllime, nuk duhet të presim që dikush të na i rregulloj punët tona, besoni, askush nuk do të vijë ta bëjë këtë. Ne kemi ëndërruar pavarësinë, pikërisht për të drejtuar vetë fatin tonë”, u shpreh ai.

Kreu i PDK-së, shpalosi edhe brengat dhe hallet e qytetarëve që ka dëgjuar gjatë turit të tij të dëgjimit që ka zhvilluar kohët e fundit nëpër Kosovë. Sipas tij, ajo që ka parë kudo është fakti se debatet aktuale politike nuk reflektojnë brengat dhe nevojat reale të qytetarëve.

Veseli: Politikën do të kthejmë në shërbim të qytetarëve

“Kam parë hendekun e thellë mes asaj çka duan qytetarët dhe asaj çfarë bëjnë politikanët në debatet shterpe në ulëset e Kuvendit, në Qeveri apo studiot televizive. Jam sot këtu, që së bashku me ju, të zotohemi për ta mbyllur këtë hendek, për ta ringritur shpirtin e demokracisë që përfaqëson qytetarin dhe jo interesat klienteliste, të cilat degradojnë në abuzim dhe korrupsion. Jam sot këtu për të garantuar së bashku me të gjithë ju se në ditët e ardhshme, PDK, partia më besimin më të madh të qytetarëve, do të marrë përgjegjësinë që politikën ta kthejmë në shërbim të qytetarëve, sepse politika është për qytetarët e jo qytetarët për politikën”, theksoi Veseli.

Ai ka shtuar se gjatë këtij turi, ka dëgjuar edhe sipërmarrësit që kërkojnë mbështetje institucionale për të rritur kapacitetet e tyre biznesore dhe eksportuese, mjekët që kërkojnë një sistem më efikas shëndetësor, në mënyrë që qytetarët të mos harxhojnë miliona jashtë vendit për shërbime shëndetësore, e  po ashtu edhe zemërimin e njerëzve të thjeshtë me korrupsionin administrativ.

Në ditën e parë të konventës, PDK do të zgjedhë organet drejtuese të saj, do të bëjë plotësim ndryshimin e statutit të partisë, shqyrtimin dhe miratimin e deklaratës politike të konventës. Mbyllja e konventës do të jetë më 26 mars.

Veseli: Ushtria do të bëhet dhe miqësia me SHBA-të nuk lëkundet

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë në Konventën e 8-të Zgjedhore të PDK-së, se ushtria e Kosovës do të bëhet dhe askush mos t’i fërkojë duart që shteti i Kosovës nuk do të shkojë deri në fund, por gjithashtu askush mos të mendojë që do të prishet miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryetari i PDK-s Kadri Veseli në konventën e tetë të PDK-s tha se Kosova është dhe do të mbetet shtet i shpresës për të gjithë.

Veseli shtoi se shteti i Kosovës do të jetojë gjithmonë në hartën gjeopolitike. Derisa theksoi se nuk do ta ndal asgjë rrugën e Kosovës drejt integrimit në strukturat euro-atlantike.

Ai tha se do ta bëjnë ushtrinë e Kosovës dhe askush të mos i fërkojë duart se shteti i Kosovës nuk do të shkojë deri në fund dhe miqësia me SHBA-n do të lëkundet.

Veseli para 792 delegatëve, ka theksuar se në ditët e ardhshme ky subjekt do të marrë përgjegjësinë që politikën ta kthejë te qytetari e jo qytetarin kah politika.

“Nuk duhet të presim që punët tona t’i kryejnë të tjerët. Në vitet e fundit është harxhuar kohë dhe energji duke u merr me tensionet e brendshme, duke lënë anash nevojat kryesore të qytetarëve. Kam filluar takimi me qytetar dhe ajo që kam parë është se deklaratat politike nuk reflektojnë në problemet e përditshme që kanë qytetarët tonë”, tha ai.

PDK mban Konventën – flasin për zgjedhjet e jashtëzakonshme

Sapo ka filluar Konventa e 8-të Zgjedhore e Partisë Demokratike të Kosovës.

Konventa do të zgjasë dy ditë dhe në të do të zgjidhen organet drejtuese të partisë si dhe do të miratohet platforma e re politike dhe programore.

Zyrtarë të PDK-së kanë treguar se aty do të flasin edhe për mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Në këtë konventë po marrin pjesë delegatët nga degët dhe organet drejtuese të këtij subjekti politik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat