Djali i veprimtarit të vrarë të LDK-së, flet për ndriçimin e vrasjeve me motive politike

Aktuale

Djali i veprimtarit të vrarë të LDK-së, flet për ndriçimin e vrasjeve me motive politike

Nga: Bota sot Më: 26 mars 2017 Në ora: 10:18
Shkëmb Manaj

Djali i veprimtarit të LDK-së dhe avokatit Shaban Manaj, i cili është vrarë në vitin 2000, Shkëmb Manaj, përmes një shkrimi në Facebook është përfshirë në debatin që po zhvillohet kohëve të fundit për vrasjet e pasluftës.

Ai ka thënë se kërkesat për zbardhjen e vrasjeve duhet të jenë përtej një partie politike, përtej një institucioni, ato duhet të jenë kërkesa të mbarë shoqërisë së Kosovës./BS

Ja shënimi i tij i plotë

Në parim, kërkesat për ndriçimin e vrasjeve me motive politike janë gjithmonë të mirëpritura, pavarësisht kohës, rrethanave, motiveve dhe nga kush vijnë kërkesat.

Kërkesat për zbardhjen e vrasjeve duhet të jenë përtej një partie politike, përtej një institucioni, ato duhet të jenë kërkesa të mbarë shoqërisë së Kosovës.

Është koha kur skena politike dhe institucionale duhet të bëjë ndarjen nga elementet e krimit të organizuar politik dhe jo vetëm.

Zbardhja e rasteve është dhe duhet të jetë çështje e drejtësisë. Në disa raste, politika, mjafton që të mos ndërhyj në çështjet e drejtësisë, ashtu siç kanë ndërhyrë për vite të tëra dhe rrjedhimisht kanë pamundësuar zbardhjen e rasteve.

Unë kam theksuar dhe vazhdoj të theksoj se vrasjet politike duhet të trajtohen dhe zgjidhen në Gjykatën Speciale sepse kjo gjykatë ka mandat ligjor, lëndor dhe kohor, për ti trajtuar disa nga vrasjet me motive politike si dhe ka kredibilitet për të zhvilluar një proces gjyqësor që hyn në thelb të trajtimit të ketyre vrasjeve sistematike dhe që garanton shqyrtim profesional dhe të paanshëm.

Kjo plagë duhet të mbyllet, që të triumfojë drejtësia dhe të fuqizohet pajtimi brenda nesh, për interes të së ardhmes së Republikës tonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat