Veseli: Me fitoren e PDK-së, fiton Kosova

Aktuale

Veseli: Me fitoren e PDK-së, fiton Kosova

Më: 26 mars 2017 Në ora: 16:32
Dita e dytë e Konventës së PDK-së

“Krejt shokët e mi” interpretuar nga Ledri Vula bashkë me MC Kreshën hapi ditën e dytë të Konventës së PDK-së e cila ka filluar dje në Prishtinë.

Më pas, të pranishmëve u është lëshuar një video informuese mbi turin e kryetarit të partisë, Kadri Veseli që po bën nëpër tërë Kosovën.

Në video, janë parë e dëgjuar ankesa nga më të ndryshme prej kategorive të caktuara të shoqërisë, sikundër që është parë edhe Veseli duke dhënë zotimin se nuk do t’i harrojë  ato që ka dëgjuar prej tyre.

Në Konventë para se të dalë të flas lideri i partisë,  një prezantim e ka bërë gruaja e tij Violeta.

Ajo ka treguar se si është njohur me Veselin por pa e lënë anash që të thotë se burri i saj është një njeri i përkushtuar për vendin.

Ajo madje tha se Kadri Veseli është bashkëshort jo veç i mirë, por edhe i pashëm.

Veseli: Kadriu është njëri jashtëzakonisht i përkushtuar ndaj vendit të tij

“16 vjet më parë kur isha studente takova një djalë të pashëm nga Mitrovica me emrin Kadri Veseli. Po ta dija se ky rrugëtim do të përfshinte një fjalim para mijëra njerëzve atëherë mund të mos kisha dalë me të për një takim të dytë. Nga ana tjetër mund të isha martuar më të edhe më herët po ta dija se një ditë ai do të bëhej aktor siç u bë tani në serialin ‘O Sa mirë’. Kadriu që unë e njoh është njëri jashtëzakonisht i përkushtuar ndaj vendit të tij, ai është një bashkëshort dhe një baba i mrekullueshëm. Kadriu është një njeri që kujdeset për miqtë e tij dhe u ndodhet pranë kurdo që ata kanë nevojë. Në rrugëtimin tonë kam takuar shumë miq, bashkëpunëtorë dhe bashkëluftëtarë të tij, kam dëgjuar rrëfime që më bëjnë tejet krenare për të”, tha ajo.

Pas prezantimit që ia bëri gruaja dhe të afërmit që e quan në qiell, në skenë doli Kadri Veseli, i cili u prit me duartrokitje dhe ovacione nga salla e mbushur plot me anëtarë të PDK-së.

I pari i PDK-së  ka çmuar lartë sakrificën e luftëtarëve të UÇK-së dhe ka shprehur respekt për familjet e dëshmorëve të luftës.

Duk mbajtur një fjalim të gjatë  Veseli ka renditur të arriturat e Kosovës të cilat kryetari i Kuvendit ia faturoi partisë që drejton.

Veseli: Kosova në vetëm pak vite pavarësi ka arritur shumë

“Kosova shteti ynë në vetëm pak vite pavarësi ka arritur shumë. Gjatë këtyre viteve të lirisë Kosova ka arritur progres të jashtëzakonshëm në shtet ndërtimin e saj. Kemi ndërtuar infrastrukturën më moderne, me aeroport dhe autostrada të standardëve më të larta evropiane. Kemi riparuar, ndërtuar e modernizuar qindra shkolla, çerdhe, spitale e qendra shëndetësore. Arsimtarët, policët, minatorët, punëtorët shëndetësorë dhe gjithë administrata që dikur kishin rrogat më të ulëta në rajon, sot paguhen në mënyrë dinjitoze dhe kjo falë vendimeve të mëdha të partisë sonë, Partisë Demokratike të Kosovës”, tha Veseli.

Po ashtu, ai tha se qëllimet e tij për të cilat është në politikë janë të qarta, për ta bërë Kosovën një shtet prodhues dhe jo më konsumues, nga një vend supermarketësh në një vend fabrikash.

Veseli nuk harroi që të flasë edhe për krijimin e ushtrisë, ide kjo e parardhësit të tij në parti Hashim Thaçit. Veseli tha se ushtria e Kosovës do t’i shërbejë paqes, stabilitetit dhe idealit për një botë më të mirë. Gjithashtu, ai tha se do të jenë aleat besnik të aleancës perëndimore në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Veseli: Kosova do ta ketë ushtrinë e saj

“Partia Demokratike e Kosovës do të udhëheqë më të gjitha proceset që fuqizojnë shtetin dhe e bëjnë vendin tonë të integruar barabarësish me mekanizmat ndërkombëtarë. Si popull ndër më të vjetërit në Evropë ne e presim përkrahjen më të madhe nga Bashkimi Evropian dhe respekt e njohje të progresit tonë të drejt anëtarësimit të plotë. Ne do të kryejmë çdo obligim shtetëror në këtë rrugëtim politik dhe gjeostrategjik të integrimit euroatlantik të vendit tonë. Është vullnet i popullit tonë, është vendim i ynë, Kosova do ta ketë ushtrinë e saj. Ushtria e Kosovës do të jetë moderne dhe anëtare dinjitoze e NATO-së. Uniforma e Ushtrisë së Kosovës do ti shërbej paqes, stabilitetit dhe idealit për një botë më të mirë. Ne do të jemi aleatë besnik dhe efektiv të aleancës perëndimore në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai.

Ai tha se ky krijimi i ushtrisë është vullneti i popullit të Kosovës dhe ky është vizioni i Partisë Demokratike të Kosovës.

Duke folur për partinë sikur të ishte kohë fushate, Veseli tha se PDK është më e fortë, më e bashkuar dhe më e vendosur se kurrë për të marrë vendime të mëdha për shtetin e Kosovës.

Veseli: Ne jemi Partia Demokratike e Kosovës që fiton gjithmonë për të fituar Kosova

Mos keni asnjë mëdyshje, hiqni dilemat,  ne sot jemi më të fortë së kurrë, ne sot jemi më të bashkuar se kurrë, ne sot jemi më të vendosur se kurrë për të marrë vendime të mëdha për shtetin tonë, për ta bërë ushtrinë e Kosovës, për ta mbrojtur shtetin e Kosovës. Ne sot jemi më të vendosur se kurrë për ta zhvilluar ekonominë e Kosovës, për ta mbushur me fabrika Kosovën, për të krijuar vende pune për rininë tonë, për ta bërë Kosovën shtëpi të sigurt për çdo qytetar të saj. Ne jemi Partia Demokratike e Kosovës që fiton gjithmonë për të fituar Kosova”, tha ai.

Kadri Veseli ka ardhur në krye të Partisë Demokratike të Kosovës në konventën e vitit të kaluar. Më parë kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës ka qenë tashmë presidenti i vendit Hashim Thaçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat