Arrestohet eprori i policisë, i gjendet një kallashnikov dhe një revole

Aktuale

Arrestohet eprori i policisë, i gjendet një kallashnikov dhe një revole

Më: 28 mars 2017 Në ora: 10:47
Ilustrim

(E plotësuar) - Inspektorati Policor i Kosovës njofton se mbrëmë rreth orës 20:00 nga policia kufitare në pikë kalimin kufitar të Vërmicës është ndaluar vetura Opel Astra (me targa të Kosovës) e cila drejtohej nga një zyrtar policor dhe brenda kishte edhe një bashkë-udhëtar, zyrtar i Shërbimit Korrektues të Kosovës.

“Gjatë kontrollit të automjetit nga zyrtarët e policisë kufitare të Vërmicës janë gjetur një armë automatike AK-47 me një karikator me 30 fishekë dhe një pistoletë e tipit TT me tetë fishek të kalibrit 7.62”, thuhet në komunikatë.

 Bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së, policia kufitare kanë njoftuar hetuesit e IPK-së të cilët kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

 Hetuesit kanë kontaktuar me prokurorin kompetent i cili ka urdhëruar konfiskimin e armëve dhe me vendim të tij ndaj dy të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.

 Si pjesë e procedurës administrative ndaj zyrtarit policor është marrë edhe masa e suspendimit nga detyra deri në përfundimin e procedurës hetimore.

Eprori i policisë së Mitrovicës arrestohet për armëmbajtje pa leje

Është arrestuar në Vërmicë Nexhip Gashi, ish-shefi i operativës së policisë së Mitrovicës Jugore.

Ish-shefi i operativës për regjionin e Mitrovicës Jugore, Nexhip Gashi, është arrestuar mbrëmë në pikën kufitare të Vërmicës nën dyshimin për armëmbajtje pa leje.

Kallxo mëson se ai është arrestuar së bashku me një zyrtar tjetër të lartë të Ministrisë së Drejtësisë pasi policia zbuloi një kallashnikov dhe një revolver pa leje.

Lajmi për incidentin është konfirmuar nga drejtori rajonal i Mitrovicës, Nehat Thaçi.

Ai i ka thënë se Gashi tashmë është suspenduar nga puna në Policinë e Kosovës.

“Mbrëmë jam njoftuar se ai është ndaluar me një sasi të vogël të armëve dhe kam marrë vendim në bazë të kompetencave të mia për suspendimin e tij”, tha Thaçi.

Në anën tjetër zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, nuk ka dhënë detaje të tjera rreth këtij incidenti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat