Komplikohet çështja e ekspertizës zvicerane për Rastin Dehari

Aktuale

Komplikohet çështja e ekspertizës zvicerane për Rastin Dehari

Më: 28 mars 2017 Në ora: 18:13
Astrit Dehari

Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar Kuvendi i Kosovës nëpërmjet një seance të jashtëzakonshme ka miratuar rezolutën përmes së cilës i është mundësuar familjes Dehari që të kërkojë ekspertizë nga çdo vend i BE’së ose SHBA’së për kryerjen e autopsisë së Astrit Deharit. Familja Dehari në mars të këtij viti ka dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë kërkesën përmes së cilës ajo ka përzgjedhur Qendrën Universitare të Mjekësisë Ligjore në Lausanne të Zvicrës.

Por kjo kërkesë e familjes ‘Dehari’ del jashtë parametrave të përcaktuar me rezolutën e Kuvendit, sepse aty përcaktohet që ekspertizën mund ta bëjë vetëm një shtet anëtar i BE’së ose SHBA’së. Por, familja Dehari është përcaktuar për Zvicrën, e cila nuk është anëtare e BE’së.

Por, pavarësisht kësaj, ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka thënë se propozimin e familjes Dehari me emrin e Qendrës për kryerjen  ekspertizës do ta dorëzojë në Qeverinë e Kosovës shumë shpejt. Megjithatë ajo thotë se rezoluta i specifikon vendet , të cilat mund ta kryejnë ekspertizën.

“Rekomandimi i Kuvendit thotë qartë se për ekspertizë duhet të angazhohet një shtet nga Bashkimi Evropian ose SHBA’të. Ndërkohë që ne e kemi pranuar kërkesën e cila në mënyrë specifike e saktëson kërkesën, e cila është Zvicra. Dhe ne e dimë që Zvicra nuk është anëtarë e BE’së. Por unë si ministre e drejtësisë jam e interesuar që këtë çështje ta çojmë deri në fund andaj i mbetet Qeverisë që ta thotë fjalën e saj”, ka thënë Hoxha të martën për Express.

Sipas Hoxhës, Ministria e Drejtësisë do ta dërgojë shpejt kërkesën e Familjes Dehari shpejt në Qeveri, e cila do t’i marrë përsipër shpenzimet. 

“Zyrtarisht e kemi marrë kërkesën. Dhe sipas procedurave që janë në fuqi neve do ta procedojmë në Qeveri. Nuk mund të ju them kohën se në cilën periudhë kohore do të përfundojë kjo çështje por shpresojmë që brenda një muaji të procedohet. Janë disa procedura që Qeveria duhet t’i ndjekë për pagesat e obligimet financiare, sepse ju e dini se ne do t’i kryejmë shpenzimet lidhur me këtë çështje”, ka sqaruar tutje ajo.

Familja e Astrit Deharit, përmes avokatit Tomë Gashi, tashmë i ka dorëzuar Ministrisë së Drejtësisë kërkesën në të cilën njoftohet për institutin që familja ka zgjedhur për kryerjen e ekspertizës për Astrit Deharin.

“Duke pasur parasysh vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës të datës 20.12.2016, i cili vendim obligon Qeverinë e Republikës së Kosovës, më konkretisht Ministrinë e Drejtësisë, që në bazë të dispozitave lighore për bashkëpunim ndërkombëtare, dhe sipas përzgjedhjes së familjes Dehari, të angazhoj dhe të mbulojë të gjitha shpenzimet për hetim të pavarur dhe ekspertiza të pavarura në rastin e aktivistit të LVV’së Astrit Dehari, i cili ka vdekur në qendrën e Paraburgimit në Prizren me datë 05.11.2016”, thuhet në kërkesën e familjes Dehari drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, përmes avokatit Tomë Gashi.

E ndërkohë që prokuroria e Shtetit po pretendon që hetimeve lidhur me këtë çështje po iu vjen fundi. Po pritet kthimi i analizave të kamerave të sigurisë nga Austria që kanë filmuar korridorin e burgut të Prizrenit, ku ka ndërruar jetë aktivisti i Lëvizjes "Vetëvendosje", Astrit Dehari. Ato sipas prokurorit të lëndës, Metush Biraj, shumë shpejt pritet që të kthen në Kosovë.

“Ende nuk kemi ndonjë të re sa i përket çështjes së kthimit të këtyre analizave. Po presim që shumë shpejt ato të kthehen në Kosovë”, ka thënë ai.

Ndryshe, Ministria e Drejtësisë lidhur me këtë rast ka suspenduar katër zyrtarë të Burgut në Prizren. Kjo pasi Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë konstatoi neglizhencë në kryerjen e detyrave të tyre, në rastin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes "Vetëvendosje", Astrit Dehari, që mbahej i paraburgosur si i dyshuar për terrorizëm. Në mesin e 4 të suspenduarve është ushtruesi i detyrës së drejtorit të Burgut të Prizrenit, Destan Zogaj.

Aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari, 26 vjeç,ka vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor të vitit të kaluar. Ai po mbahej në paraburgim nën dyshimet për sulm ndaj Kuvendit të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat