Veseli dhe Kuvendi me deklarata kundërthënëse për pagat

Aktuale

Veseli dhe Kuvendi me deklarata kundërthënëse për pagat

Më: 28 mars 2017 Në ora: 18:26
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka thënë se lajmi për rritjen e pagave të deputetëve është i pavërtetë.

“Njoftojmë se informacioni i pasqyruar në disa media lidhur me, siç thuhet “vendimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa për rritjen e pagave të deputetëve për vitet 2018 dhe 2019”, është tërësisht i pavërtetë dhe huqje e gazetarëve që kanë ndjekur mbledhjen e sotme të komisionit”, thuhet në njoftimin sqarues të Kuvendit.

Ndërsa edhe vetë kryetari i këtij institucioni Kadri Veseli ka rënë pre e këtij lajmi.

“Sapo dëgjova për planet e disa deputetëve për rritje të rrogave të tyre. Jam kategorikisht kundër rritjes së rrogave të politikanëve. Kur popullit t’ia rrisim rrogat dhe standardin e jetës, atëherë politikanët le të mendojnë për rrogat e veta”, ka shkruar ai në Facebook.

Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa gjatë ditës së sotme e kanë aprovuar Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve (KASH) për vitin 2018-2020 për Kuvendin e Kosovës.

Këtë kornizë nuk e kanë votuar Besa Gaxherri, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Shqipe Pantina, deputetja Shqipe Pantina nga Vetëvendosja.

Nga viti 2018 Kuvendi ka paraparë rritje të pagave dhe mëditjeve për 500 mijë euro, dhe 900 mijë euro për vitin 2019.

Pantina ndonëse nuk e ka votuar këtë Kornizë ka sqaruar pse është bërë rritja e vijës buxhetore për pagat dhe mëditjet e deputetëve për vitin 2018 dhe 2019.

“Unë jam anëtare e Komisionit për Buxhet dhe Financa dhe sot kam marrë pjesë në shqyrtimin e KASH të Kuvendit – nuk do të ketë asnjë rritje të pagave dhe mëditjeve, të paktën ajo nuk është paraparë me këtë kornizë të shpenzimeve”, ka sqaruar Pantina.

“Kjo ka të bëjë me faktin se në vitin 2018 (nëse jo më herët) do ketë zgjedhje dhe kjo shumë është paraparë për ata deputetë që mund të mos rizgjidhen e të cilëve me ligj u takon të marrin pagë për një vit në rast se nuk gjejnë një punë tjetër”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat