Ambasadori i SHBA-ve tregon a do të formohet këtë vit ushtria e Kosovës

Aktuale

Ambasadori i SHBA-ve tregon a do të formohet këtë vit ushtria e Kosovës

Më: 29 mars 2017 Në ora: 15:06
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Greg Delawie

(E plotësuar) - Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, gjatë një debati të sotëm ka thënë se është optimist që ushtria e Kosovës mund të krijohet brenda vitit 2017, nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kundërshtuar transformimin e FSK’së nëpërmjet ligjit, duke theksuar se favorizojnë një proces gjithëpërfshirës dhe me ndryshime kushtetuese.

I pyetur se a mund të ndodhë që kjo çështje të kryhet brenda vitit 2017, ai ka thënë se një gjë e tillë është e mundur.

“Jam optimist”, ka theksuar ai.

Diplomati amerikan ka thënë se është i gatshëm që të përfshihet edhe personalisht për ti bindur komunitetet në Kosovë për formimin e ushtrisë.

“Nëse angazhohemi të gjithë që ta bëjmë këtë përfshirë edhe mua... që të shpjegojmë ...ky plan është në internet ...unë nuk them se këtë duhet ta bëjë vetëm qeveria ...jam i gatshëm edhe unë t’ua shpjegoj të gjitha komuniteteve kosovare se çfarë nënkupton që të keni ushtri sikur që e ka secili shtet në rajon dhe në botë dhe çfarë nënkupton kjo për ta. Mendoj se mund të arrijmë marrëveshje, por duhet të angazhohemi dhe të bëjmë përpjekje sistematike. Kjo nuk do të ndodhë brenda natës . Jam i gatshëm që të angazhohem edhe unë edhe ekipi im në ambasadë dhe kjo mendoj se duhet të ndodhë”, ka theksuar Delawie.

Ambasadori i SHBA-ve: Ushtria do të bëhet, por me ndryshime kushtetuese

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë Greg Delawie ka ripërsëritur se nuk do të ketë formim të ushtrisë së Kosovës vetëm përmes një projektligji, pa ndryshime kushtetuese.

Në forumin FOL Hapur diplomati amerikan u ka bërë thirrje krerëve institucionalë në Kosovë që të mos nguten, sepse veprimi ndryshe do t’i dëmtonte marrëdhëniet e Kosovës me partnerët, marrëdhënie këto që janë jetike për Kosovën.

Ai tha se SHBA ka investuar shumë në ndërtimin e FSK-së deri në këtë fazë të profesionalizmit që ka arritur FSK-ja dhe se qëllimi i shtetit të tij është krijimi i ushtrisë së Kosovës, porse vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese.

Delawie: Krijimi i ushtrisë vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese

“Krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës është qëllimi ynë, sikurse është qëllimi i kosovarëve. Por, mendojmë që ky krijim duhet të bëhet në mënyrë mënyrën me të mirë të mundshme në pajtim me rishikimin strategjik të sektorit të sigurisë dhe në pajtim me këtë udhërrëfyes që është dhënë atëherë përmes ndryshimit kushtetues pas konsultimit me të gjitha komunitetet kosovare. Për këtë arsye ne kemi promovuar një qasje ndryshe për të arritur ku dëshirojmë të arrijmë të gjithë, një rrugë e cila është promovuar me vite të tëra. Qeveria ime ka qenë e qartë dhe do të vazhdoj të jetë e qartë për këtë çështje”, tha Delawie.

Madje, diplomati amerikan ka pasur edhe një porosi për liderët e institucioneve të Kosovës.

Delawie: Ushtria përmes ligjit, prish marrëdhëniet me SHBA-n dhe NATO-n

“Publikisht i kemi nxitur të gjithë në Kosovë që të marrin pak frymë, të ngadalësohen sa i përket këtij ndryshimi të mundshëm legjislativ dhe të bëjnë përpjekje të njëmendta në mirëbesim për transformimin e FSK-së me përkrahjen e të gjitha komuniteteve. Mendojmë që Qeveria duhet t’i koordinoj hapat për transformimin e FSK-së me SBA-n, me NATO-n dhe shtetet e tjera të Evropës që janë të rëndësishme për Kosovën. Krijimi i një armate tash përmes ligjit do të dëmtonte marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, me NATO-n dhe të tjerët. Këto janë marrëdhënie që janë jetike për Kosovën, janë marrëdhënie që mirëmbajnë sigurinë e Kosovës sot dhe e kanë bërë këtë prej pavarësisë së saj”, tha ai.

Megjithatë, Delawie shpreson se në vitin 2017 Kosova mund të bëhet me ushtri përmes ndryshimeve kushtetuese dhe me një konsensus të gjerë.

Ndërsa rreth iniciativës së presidentit për dekriminalizimin e skenës politike, Delawie tha përkrah çdo iniciativë për të siguruar njerëzit se njerëzit që kandidojnë për një post publik nuk janë nën aktakuzë apo të dënuar. Madje, theksoi se nuk dëshiron t’i shoh në lista njerëz me aktakuzë apo të dënuar.

Delawie: Nuk dua t’i shoh njerëzit me aktakuzë në lista zgjedhore

“Vija ndarëse është se nëse janë nën aktakuzë për një krim nuk do të dëshiroja t`i shihja ata persona në listat zgjedhore, por për punën e hetimeve nuk ka nevojë që unë të mendoj për këtë çështje, por qytetarët kosovarë duhet të mendojnë për këto çështje. Sepse nganjëherë njerëzit hetohen dhe njerëzit thonë se nuk ka dëshmi të mjaftueshme”, u shpreh Delawie.

Rreth kthimit të Listës Serbe në institucione Delawie tha se është me rëndësi që të jenë aty për interesat e qytetarëve. Rreth Demarkacionit me Malin e Zi ai ritheksoi se marrëveshja është e drejt dhe se Departamenti i Shtetit e ka shqyrtuar këtë dhe kjo vijë kufitare ka ekzistuar me dekada dhe se kjo marrëveshje duhet të kalohet në Kuvend. Delawie tha se besojnë se kjo vijë është përkufizuar saktë dhe këtë e kanë vërtetuar nga ekspertët e Departamentit të Shtetit.

Delawie: Demarkacioni është mirë, duhet ratifikuar

“Mendoj se është një marrëveshje e drejtë dhe fer. Departamenti i Shtetit  e ka shqyrtuar vijën kufitare që është  shënuar  në mes të komisioneve qeveritare në mes të Kosovës dhe të Malit të Zi. Ajo është vija që ka ekzistuar prej kur kanë ekzistuar këto dy vende si krahina në ish Jugosllavi....Kjo vijë kufitare ka ekzistuar me dekada, dhe ekspertët qeveritar e kanë shkruar me teknologji bashkëkohore, me GPS,  dhe ne ndjejmë se kjo marrëveshje duhet të kaloj, të miratohet, sepse është me rendësi jo vetëm për ta ndihmuat Kosovën që ta ushtroj sovranitetin e vet mbi terë territorin e saj, por edhe për t`i ri mbajtur marrëdhëniet e shkëlqyeshme të Kosovës me Mali e  Zi”, ka thënë ai.

Delawie në këtë forum, foli edhe për sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, për të cilën tha se është tej mase e nevojshme që të ketë rezultate në luftën kundër korrupsionit. Ai kundërshtoj edhe një herë disa nene të ligjit për sanksionet penale, të cilat janë propozuar, pasi u mundëson kriminelëve faljen e një të tretës së dënimit. 

Ambasadori amerikan në FOL Hapur (Drejtpërdrejt)

Lëvizja FOL organizon diskutimin në Forumin FOL Hapur, ku i ftuar do të jetë ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë Greg Delawie.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat