Thaçi: Në koalicionin qeverisës nuk ka disponim për të shkuar në zgjedhje

Aktuale

Thaçi: Në koalicionin qeverisës nuk ka disponim për të shkuar në zgjedhje

Më: 10 prill 2017 Në ora: 21:11
Foto nga "Bota sot", Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi

Kosova është shtet kushtetues dhe ligjor dhe duke qenë e tillë, Kosova po përçon në botë mesazhin se shteti ynë po ndërton një shoqëri të hapur, tolerante, mirëkuptuese dhe të respektimit të plotë të të drejtave të njeriut. Kështu ka deklaruar presidenti i vendit Hashim Thaçi, teksa ka folur për Kushtetutën dhe shtrirjen e saj në 9-vjetorin e hartimit.

Presidenti pranon se shteti ka hasur në vështirësi në shtrirje të kushetueshmërisë në pjesën veriore të vendit, por që sipas tij tashmë akti më i lartë juridik është i zbatueshëm në tërë territorin e vendit.

Presidenti i vendit tutje ka folur edhe për krijimin e ushtrisë nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, duke mos e konsideruar si dorëzim në përpjekjet e tij që ushtria të bëhet nëpërmjet ligjit.

Thaçi u ka bërë ftesë deputetëve të Kuvendit që të jenë të përgjegjshëm karshi votueseve të vet, duke iu mundësuar lëvizjen e lirë dhe atë duke ratifikuar demarkacionin.

Duke folur për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, presidenti Thaçi bën të ditur se kjo do të ndodhë vetëm nëse ka vullnet të koalicionit. Ndërsa, lidhur me idenë e mbledhjes së nënshkrimeve, të iniciuar nga NISMA për Kosovën për mocion rrëzimi të qeverisë, presidenti Thaçi nuk pret që të ketë disponim për zgjedhje të reja.

Presidenti Thaçi ka ritheksuar edhe një herë se edhe Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe do të themelohet sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat