Familja e Haki Imerit, kërkesë Kryeministrit për vrasjet politike

Aktuale

Familja e Haki Imerit, kërkesë Kryeministrit për vrasjet politike

Më: 11 prill 2017 Në ora: 13:01
Thaçi me familjarët e Haki Imerit

Familja e Haki Imerit ka akuzuar Kryeministrin dhe Presidentin e Kosovës se nuk janë të interesuar të zbardhin vrasjet e pasluftës.

Në faqen e familjes në Facebook, ata kanë akuzuar veçanërisht kryeministrin, njëherësh kryetar i LDK-së, se ai po përmend vrasjet politike për interesa politike personale të tij dhe ‘shërbëtorëve të tij’.

“Kryeministër, bëhu i sinqertë sepse ti e di më mirë se kushdo tjetër, se ata që urdhëruan, organizuan vrasjet politike, janë të fuqishëm karshi drejtësisë, kriminelët e regjur fshehin dhe orvaten e çorientojnë, pengojnë në tërësi drejtësinë që të merret me ta sepse e dinë që janë vet krimi dhe drejtësia do t’i ndëshkoj”, thuhet në këtë reagim.

Aty shtohet se Presidenti Hashim Thaçi nuk është i interesuar që vrasjet të zbardhen sepse kjo do ta godite vet atë.

Presidenti Thaçi muaj më parë i kishte shkruar Kryeprokurorit duke kërkuar ndriçim të këtyre vrasjeve.

Haki Imeri ishte vrarë në nëntor të 1999-s dhe ishte anëtar i LDK-së. Në fillim të vitit, në një akademi që nuk u aprovua nga familja e ngushtë e Imerit, Presidenti i vendit i kishte ndarë atij dekoratën “Hero i Kosovës”.

Më poshtë, letra e plotë e familjes Imeri:

Zoti Kryeministër, ndriçimi i vrasjeve politike dhe vrasjeve tjera nuk bëhet duke përmendur vrasjet politike, por bëhet duke vënë në funksion seksionin kundër krimeve të rënda seksion i cili është në dispozicionin tuaj. Je Kryeministër dhe ke në dorë të gjitha institucionet prandaj mos përmend vrasje politike për interesa politike e personale tuajat dhe të shërbëtorëve tu. Urdhëro institucionet përkatëse që të merren me këto vrasje makabre që ia shkaktuan Kosovës ata me të cilët ke bërë koalicion.

Kryeministër behu i sinqertë sepse ti e din më mirë se kushdo tjetër, ata që urdhëruan, organizuan, vrasjet politike janë të fuqishëm karshi drejtësisë, kriminelët e regjur fshehin orvaten të çorientojnë, pengojnë në tërë drejtësinë që të merret me to sepse ata e dinë që janë vet krimi dhe drejtësia do të ndëshkojë. Kosova është kapur, këtë e dëshmojnë të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare. Pushteti i Kosovës nuk e duron zbardhjen e vrasjeve politike sepse është vet i kyçur në këtë labirint kriminal.

Presidenti Hashim Thaçi kurrë nuk do të merret me ndriçimin e vrasjeve politike. Ai veç do të provojë të pengojë zbardhjen e tyre, sepse ndriçimi i tyre godet rëndë vet Hashim Thaçin dhe të tjerët që ishin urdhërdhënës dhe pjesëmarrës në ngjarje të dhimbshme dhe tragjike që sollën Kosovën dhe shoqërinë e saj në humnerë. Zoti Kryeministër dhe Zoti President, ju të dytë i dini urdhërdhënësit dhe vrasësit prandaj “përmendja” e vrasjeve politike dhe bërja e akademive për qëllime shpëtimi, nuk kanë kuptim, mbase ju dy e dini e sidomos Presidenti Thaçi që sa të jeni ju dhe kampet e juaja në pushtet nuk ka ndriçim të vrasjeve politike.

Gjithçka thoni nuk u merr kush seriozisht sepse tani me deklarata të tilla jemi ngopur por edhe vetëdijesuar. Zoti Kryeministër, nuk ka shprese në një shtet të kapur nga bandat mafioze për jetë të mirëqenë, lirohuni nga dokrrat dhe hipokrizia. Pra shpresa e Kosovës dhe shpresa jonë mbetet Gjykata Speciale e cila do t’ua çjerr maskën kriminelëve politikë që kane urdhëruar, organizuar dhe bërë vrasjet politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat