Çfarë thonë në Speciale rreth deklaratave të gjykatësit amerikan për aktakuzat

Aktuale

Çfarë thonë në Speciale rreth deklaratave të gjykatësit amerikan për aktakuzat

Më: 13 prill 2017 Në ora: 13:02
Gjykatësit e Gjykatës Speciale

Gjykatësi amerikan, Charles L. Smith, ditë më parë ka deklaruar se do të shkojë në Hagë në fund të vitit pasi vetëm deri atëherë Prokuroria mund t’i ngrit aktakuzat ndaj ish –pjesëtarëve të UÇK ‘së. Media ka kontaktuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar por ata nuk janë përgjigjur me arsyetimin se ndodhen në pushim

Zyra e Prokurorit të Specializuar përgjegjëse për ngritjen e aktakuzave ndaj ish –pjesëtarëve të UCK’së që përmenden në raportin e Dick Martyt, nuk ka komentuar deklaratat e gjykatësit amerikan i angazhuar në Gjykatën Speciale, i cili ka lënë të kuptohet se nuk do të ketë aktakuza deri në fund të vitit.

Zëdhënësi i Prokurorisë ka thënë se aktualisht ndodhet në pushim. Ndërkohë që zyrtarë të Dhomave të Specializuara kanë rekomanduar që kjo pyetje t’i drejtohet Prokurorisë.

Smith ndërkaq ka thënë se pret që proceset gjyqësore në këtë gjykatë të zgjasin deri në 4 vjet.

Në një përgjigje nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit Special të Kosovës, konfirmohet se procesi i punës së Gjykatës Speciale me bazë në Hagë, mund të zgjasë deri në pesë vite, mirëpo, lë të hapur mundësinë që ky proces të zgjasë më pak apo më shumë, siç kërkohet për kompletimin e procedurave.

“Kohëzgjatja e procedurave gjyqësore është gjithmonë subjekt i një numri faktorësh, prandaj është e pamundur që të spekulohet rreth kohëzgjatjes së plotë të tyre në këtë kohë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Prokurorit Special.

Dhomat e Specializuara mund të flasin për kohën kur do të jenë në pozitë për të pranuar dhe shqyrtuar paraqitjen gjyqësore, siç janë ato në lidhje me aktakuzat, thonë ata, derisa shtojnë se momentalisht, janë duke e rishikuar Rregulloren e Punës dhe provat, në mënyrë që të përcaktohet nëse janë në përputhje me kapitullin II të Kushtetutës së Kosovës.

“Në momentin që Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese e përcakton kushtetutshmërinë e vet, Rregullorja e Punës dhe Provat do të futen në fuqi pas shtatë ditëve. Pas kësaj, do t’i takojë Zyrës së Prokurorit të Specializuar për të ndërmarrë hapa të mëtejmë, siç dihet, për çfarëdo çështje në lidhje me aktakuzat dhe punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar”.

Marrëveshja ndërmjet Holandës dhe Kosovës për Gjykatën Speciale ka hyrë në fuqi më 1 janar të këtij viti.

Më 27 mars 2017, gjykatësit e Speciales kanë miratuar Rregulloren e Procedurës dhe Provave e cila rregullon kryerjen e procedurave gjyqësore në të gjitha nivelet e Dhomave të Specializuara: në Dhomën e Gjykatës Themelore, Dhomën e Gjykatës së Apelit, Dhomën e Gjykatës Supreme si edhe funksionet e Gjykatësit Paraprak. Gjykatësit e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese miratuan rregulloren e tyre procedurale që do të përfshihet në Rregulloren e Procedurës dhe të Provave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat