KFOR, FSK dhe policia demonstrojnë forcë dhe profesionalizëm

Aktuale

KFOR, FSK dhe policia demonstrojnë forcë dhe profesionalizëm

Më: 13 prill 2017 Në ora: 16:22
Ushtrimet e perbashketa

Protestuesit gjuanin në drejtim të Policisë, të cilët përpiqeshin të menaxhonin turmën. Situata eskaloi me ç’rast u deshtë edhe ndërhyrja e KFOR-it dhe FSK-së për shpërndarjen e turmës, kundër të cilës u përdorë edhe gaz lotsjellës.

KFOR-i, Forcat e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës, ishin vënë në detyrë për të menaxhuar këtë situatë. Ky ishte njëri nga ushtrimet e përbashkëta “Shpata e argjendtë”, i udhëhequr nga KFOR-i, e i cili u zhvillua nga njësitë e KFOR-it, sëbashku me Policinë e Kosovës (PK), misionin e BE-së për sundim të ligjit në Kosovë (EULEX), Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (EMA), që si qëllim ka testimin e gatishmërisë dhe ndërveprimin gjatë punës në kuadër të mandatit të veçantë të secilës njësi.

Image

Përmes ushtrimeve me skenarë të ndryshëm, ata demonstruan profesionalizëm dhe forcën e tyre, në raste emergjente, të fatkeqësive natyrore dhe në rast të protestave.

E për t’i parë nga afër ushtrimet që këto forca demonstruan, ishte edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delaëie. Përveç skenave të menaxhimit dhe shpërndarjes së turmës që protestonte, aty u demonstrua dhe ndërhyrja e KFOR-it  dhe FSK-së për shpëtimin e njerëzve, të cilët ishin lënduar pas rrëshqitjes së dheut dhe bartja e tyre me helikopter.

Christian Rainer, gjeneral Brigade i KFOR-it, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm midis KFOR-it dhe organizatave të tjera pjesëmarrëse, duke theksuar se ndërveprimi dhe mirëkuptimi i përbashkët i sistemeve dhe procedurave të njëri-tjetrit ka qenë esencial.

Image

Rainer: Ushtrimet e përbashkëta janë një mundësi unike

“Prezenca jonë këtu sot tregon besueshmëri dhe një nivel adekuat të përmbajtjes për të gjithë ata të cilët duan të pengojnë arritjet e deritanishme në krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt, një përpjekje e cila po vazhdon për 18 vite me radhë. 18 vite pas fillimit të veprimit të NATO-s në rajon, një ambient i qetë dhe i sigurt është i krijuar nga tri shtresa të përgjegjësisë Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i...Ushtrimet e përbashkëta janë një mundësi unike, për të bashkuar të gjithë akterët dhe organizatat relevante, të cilat janë përgjegjëse për ambientin e qetë dhe të sigurt në Kosovë, në përputhje me mandatin dhe misionin e tyre. KFOR-i ka një partneritet mjaft afatgjatë me pothuajse të gjitha organizatat ndërkombëtare, dhe prania e EULEX-it këtu sot, e dëshmon këtë më së miri. Kjo është pjesë e qasjes gjithëpërfshirëse të NATO-s dhe KFOR-it, përmes implementimit të energjisë dhe shkëmbimit të informacionit. Po e përsëris, ambienti operativ në Kosovë ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme përgjatë këtyre 18 viteve dhe do të vazhdojmë kështu edhe në të ardhmen me sfida të reja dhe mundësi të reja. KFOR-i vazhdimisht ka miratuar rolin dhe strukturën e tij, në mënyrë që të trajtoj të gjitha çështjet në mënyrën më efektive për të pasur siguri dhe stabilitet në regjion edhe përtej kufijve të Kosovës”, tha ai.

Ndërkaq, zëvendëskomandanti i Komandës së Forcave Tokësore të FSK-së, gjeneral brigade Gëzim  Hazrolli, tha se përmes këtyre ushtrimeve po testohen kapacitetet operacionale dhe bashkëpunimi mes KFOR-it, FSK-së dhe Policisë së Kosovës.

Image

Hazrolli: Po testohen kapacitete operacionale

“Falënderoi KFOR-in në krye me komandantin e KFOR-it, për mundësinë që na ka ofruar që institucionet e Kosovës, e sidomos FSK-ja që të stërvitet për të treten herë më radhë, së bashku me njësitë operacionale të KFOR-it, të cilat veprojnë në Kosovë. Silver Saber është një ushtrim në të cilin janë testuar kapacitetet operacionale, si dhe koordinimi dhe bashkëpunimi me të gjitha institucionet dhe autoritete vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë siç është KFOR-i, FSK, Policia e Kosovës, Agjencioni i Menaxhimit të Emergjencave, në rast të emergjencave të paraqitura në territorin e Kosovës. Eksperienca e krijuar nga njësitë e FSK-së, përmes pjesëmarrjes në këtë ushtrim, ka mundësuar që njësitet e FSK-së të implementojnë mësimet e mësuara dhe të ngritin nivelin e gatishmërisë operacionale. E gjithë kjo është arritur përmes shkëmbimi të përvojave për zhvillimin e operacioneve dhe procedurave të operimit me institucionet e përmendura, siç është e një rëndësie të veçantë që të nxjerrim mësimet të mësuara për rishikimin dhe të planit e reagimit kombëtar”, tha ai.

Image

Ndryshe, në takim u tha se Policia e Kosovës, FSK-ja dhe Agjencia  e Menaxhimit Emergjent në Kosovë,  gjatë viteve të fundit në një numër të madh të incidenteve dhe ushtrimeve, kanë dëshmuar se janë të aftë për përballuar trazirat civile, fatkeqësitë natyrore dhe misionet e mjeteve të pashpërthyera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat