Presidenti Thaçi për senatorin McCain: Ne gjetëm frymëzim në shëmbëlltyrën tuaj

Aktuale

Presidenti Thaçi për senatorin McCain: Ne gjetëm frymëzim në shëmbëlltyrën tuaj

Më: 14 prill 2017 Në ora: 15:15
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me senatorin amerikan dhe mikun e Kosovës, John McCain-in.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim senatorin amerikan dhe mikun e Kosovës, John McCain-in.

Me këtë rast, për kontributin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe thellimin e partneritetit dhe miqësisë mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, presidenti ka dekoruar senatorin McCain me medaljen “Urdhri i Lirisë”.

Presidenti ka thënë se në botë ka pak njerëz që mëshirojnë më shumë se senatori McCain vlerat e lirisë. Sipas presidentit Thaçi, e tërë jeta e senatorit McCain është një monument i gjallë, i përpjekjeve për liri deri në vetëmohim.

“Në ditët tona më të vështira si komb, ne gjetëm frymëzim në shëmbëlltyrën tuaj. Ju u bëtë zëri ynë kur ne nuk kishim zë. Ju, me punën dhe angazhimin tuaj për çlirimin e Kosovës, dëshmuat se liria nuk është privilegj i të fortit, por e drejtë fondamentale për secilin njeri, për secilin komb”, ka theksuar presidenti Thaçi.

Nga ana tjetër, senatori amerikan, John McCain, ka falënderuar presidentin dhe popullin e Kosovës për dekoratën dhe nderimin që ia kanë bërë.

Ai është shprehur krenar me rikthimin e tij në Kosovë, duke shtuar se të gjithë e dinë se sa rrugë dhe progres duhet të bëhet, duke vlerësuar edhe progresin që është bërë.

“Një demokraci funksionale, ligjvënie e fuqishme, zgjedhje të drejta dhe të lira, mendoj se për këto populli i Kosovës duhet të jetë krenar, për të cilat ka sakrifikuar aq shumë”, ka thënë McCain.

Ai ka theksuar se SHBA-të do të vazhdojë përkrahjen për t’u siguruar që Kosova të mbetet e lirë, demokratike dhe e bukur siç është edhe sot.

Ndërkaq, presidenti Thaçi ka thënë se senatori McCain mbetet një mik i çmuar për Kosovën dhe popullin e saj.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat