Ja edhe sa nënshkrime i duhen Nismës për Mocionin kundër Qeverisë

Aktuale

Ja edhe sa nënshkrime i duhen Nismës për Mocionin kundër Qeverisë

Më: 17 prill 2017 Në ora: 15:52
Foto ilustrim

Nisma për Kosovën javën e kaluar ka kompletuar tekstin për Mocionin kundër Qeverisë në koordinim me partitë e tjera opozitare dhe gjatë kësaj jave ata pritet që t’ua prezantojnë gjithë deputetëve tjerë.

Kështu ka thënë për Indeksonline deputeti i Nismës, Haxhi Shala, i cili thotë se ata i kanë siguruar të gjitha votat e deputetëve të opozitës dhe se tani ata kanë nevojë për nënshkrimet e 10 deputetëve të pozitës që ky Mocion të procedohet tutje.

“Ende nuk i kemi mbledh gjithë nënshkrimet, se javën e kaluar jemi marr me opozitën, me harmonizimin e tekstit ndërsa në këtë javë pritet që t’i marrim nënshkrimet edhe të një pjese të pozitës. Pra, na nevojiten edhe 10 nënshkrime prej pozitës dhe besoj që nënshkrime do të kemi të mjaftueshme për ta proceduar në kryesi Mocionin”, ka thënë Shala.

Ai shprehet i bindur se gjatë kësaj jave do dërgohet në kryesi Mocioni, pasi, siç thotë ai, tashmë i kanë siguruar disa deputetë të pozitës dhe ka mbet që ata vetëm të nënshkruajnë.

“Pjesa e opozitës është koordinuar komplet. Tash në këtë javë jemi në negociata që të kompletohen edhe 10 prej pozitës dhe besojë që do të procedohet gjatë kësaj jave. Kemi biseduar me deputetët e pozitës, i kemi siguruar disa të cilët kanë thënë se do e nënshkruajnë, vetëm ka mbet tash ta shohin tekstin e mocionit të cilin tash e kemi gati dhe do ua dorëzojmë gjithë deputetëve”, ka shtuar ai.

Mocioni kundër Qeverisë është iniciativë e kryetarit të Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, i cili thotë se përmes këtij mocioni është rruga e vetme për rrëzimin e Qeverisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat