Oficeri Hasanaj, që u dekorua në Angli: Ushtrisë së Kosovës do t’ia kenë lakmi

Aktuale

Oficeri Hasanaj, që u dekorua në Angli: Ushtrisë së Kosovës do t’ia kenë lakmi

Më: 17 prill 2017 Në ora: 20:35
Oficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Xhevahir Hasanaj

Oficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Xhevahir Hasanaj, javën e kaluar mori çmimin si kadeti me i mirë i huaj në fushën ushtarake, akademike dhe praktike në Akademinë Ushtarake Mbretërore Sandhurst në Britani të Madhe, e cila është një prej akademive më prestigjioze në botë.

Ai thotë se gjatë gjithë kohës sa ka qëndruar atje bashkë me një tjetër pjesëtar të FSK-së, ka folur për Kosovën dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Kemi folur shumë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, sidomos për trajnimin që e kemi ndjekur këtu në Kosovë. Kemi folur shumë, aq shumë sa ndoshta ndonjëherë e kemi tepruar. Mirëpo shkollimi që ofrohet këtu, është një shkollim shumë i mirë”, është shprehur ai.

Ndërsa kur foli për akademinë që ndjeket në Kosovë dhe përvojën e tij në Britani, ai tha se është shumë i lumtur me nivelin që ta ofron FSK-ja.

“Dallimi i vetëm është që ne këtu shkollohemi për katër vite, që në të njëjtën kohë e studiojmë edhe një bachelor, atje shkollohesh vetëm për një vit dhe është krejtësisht në lëminë ushtarake. Përndryshe çelësi i suksesit tim në atë akademi është pikërisht shkollimi që unë kam ndjekur në qendrën për studime universitare. Dallimet e tjera janë resurset, nuk i kemi si ushtria britaneze. Mirëpo nivelet taktike, ku nuk kërkojnë resurse të mëdha, por logjikë, atëherë i kemi instruktorët shumë të përgaditur, por dhe kadetët janë shumë të motivuar që të punojnë. Mund të them që për rajon jemi lider, dhe jemi shembull si akademi ushtarake”.

Oficeri Hasanaj u shpreh se ne jemi të gatshëm ta kemi edhe ushtrinë tonë.

“FSK-ja gjithkund po prezentohet mirë, gjithkund po dëshmon që është një ushtri moderne, vetëm se emrin dhe misionin nuk e kemi. Ne i kemi arritur kapacitetet e plota qysh në vitin 2012, dhe do Zoti edhe ushtri do të bëhemi shumë shpejtë. Por që do të veprojmë si ushtri, aty nuk kam asnjë pikë dyshimi. Dhe gjithsesi që do ta formojmë një ushtri të mirë, dhe do t’na kenë lakmi gjithë rajoni”, u shpreh Hasanaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat