Gjykata Kushtetuese jep vendimin për Ligjin e Veteranëve

Aktuale

Gjykata Kushtetuese jep vendimin për Ligjin e Veteranëve

Më: 19 prill 2017 Në ora: 17:03
Foto arkiv -Protesta e veteranëve

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka aprovuar pjesërisht kërkesën e grupeve parlamentare të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Vetëvendosjes për plotësim ndryshimin e Ligjit për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kushtetuesja nuk ka ndryshuar vendimin për kategorizimin e veteranëve, që ka  qenë edhe kërkesa kryesore e opozitës dhe organizatave të dala nga lufta.

Mediat kanë publikuar vendimin e Kushtetueses, në të cilin jepen edhe arsyet e këtij vendimi.

Kushtetuesja në vendimin e saj, njëzëri ka vendosur ta deklarojë kërkesën të pranueshme dhe të shpallë që paragrafi 2 i nenit 3 të ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 04/l-241 për veteranët e luftës se Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me të cilin u shtuan paragrafët 5 dhe 6 në nenin 16 të ligjit nr. 04/l-241 për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën.

Tutje, në vendimin e Kushtetueses thuhet se neni 4 i ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 04/l-241 për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës, me të cilin u shtuan neni 16 A, paragrafët 1, nën paragrafët 1.1, 1.2 dhe 1.3 në ligjin nr. 04/l-241, për veteranët e luftës së UÇK-së, është në pajtueshmëri me Kushtetutën.

Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese kërkon që me përjashtim të paragrafit 2 të nenit 3, ky ligj t’i dërgohet presidentit për dekretim.

“Të shpallë që neni 5 i ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 04/l-241 për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me të cilin u fshi neni 18 i ligjit nr. 04/l-241 për veteranët e luftës së UCK-së, është në pajtueshmëri me kushtetutën, dhe të shpallë që në bazë të nenit 43 të ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/l-121, ligji i miratuar për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 04/l-241 për veteranet e luftës së UÇK-së i dërgohet presidentit te Republikës se Kosovës për shpallje me përjashtim të paragrafit 2 të nenit 3”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu thotë se nuk janë plotësisht të kënaqur me vendimin.

“Projektligjin për veteranët e kemi kontestuar edhe ne aspekt procedural por edhe përmbajtjesor.  Natyrisht që nuk jemi të kënaqur plotësisht me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi që nuk ka marrë parasysh të gjitha argumentet tona edhe në pjesët tjera të këtij ligji”, shprehet Haxhiu për arbresh.

Ajo thotë se sipas procedurave i njëjti ligj publikohet në gazetën zyrtare, pa nenet që i ka hedhur poshtë Gjykata Kushtetuese sepse të njëjtat nuk kanë asnjë fuqi juridike.

Ndryshe, me 10 janar të këtij viti grupet parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje dhe AAK-së patën dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Veteranët e Luftës.

Dy partitë opozitare, AAK dhe VV nuk ishin pajtuar me propozimin për ndryshim-plotësimin e këtij Ligji, duke mos e votuar as në Kuvendin e Kosovës në seancën e 30 dhjetorit. Sipas tyre, ky ligj ashtu siç ishte po e bënte në mënyrë të gabuar kategorizimin e veteranëve.

Në bazë të këtij ligji kategorizimet e veteranëve ishin ndarë në tri kategori: “Veterani luftëtar i mobilizuar në luftë nga fillimi i saj deri në fund me pension 250 euro, veterani luftëtar i mobilizuar në luftë nga data 5 mars 1998 deri në fund me pension 170 euro si dhe veterani luftëtar i mobilizuar në luftë nga data 31 mars 1999 deri në fund me pension 120 euro”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat