Ish-polici i Malit të Zi tregon ku ishte Kufiri - Bota Sot
Ish-polici i Malit të Zi tregon ku ishte Kufiri

Aktuale

E diel, 19 nëntor 2017

Ish-polici i Malit të Zi tregon ku ishte Kufiri

Më: 20 prill 2017 Në ora: 23:07
Tubimi i banorëve të brezit kufitar me Malin e Zi

Në një takim të banorëve të brezit kufitar, Adem Muriqi tha se kufiri mes Kosovës dhe Malit të Zi ka qenë te Kulla.

Banorë të Rugovës, Podgurit dhe të fshatrave të Deçanit sërish janë tubuar për ta kundërshtuar Marrëveshjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Para banorëve të brezit kufitar ka folur një ish-pjesëtar i Policisë malazeze në komunën e Rozhajës gjatë viteve 1974-1981.

I moshuari Adem Muriqi nga Koshatani i Rugovës u tha banorëve të tubuar se ka punuar si pjesëtar i Policisë së Malit të Zi në komunë të Rozhajës për 7 vjet me radhë.

“Kam punuar gjitha punët si polic i komunikacionit. Kufirin me Malin e Zi dhe Kosovën e kam vizituar së paku dy herë në muaj, krejt kufirin që shpije prej Kulle deri në Mehokerrsh që i thonë në drejtim të Mitrovicës. Detyra jonë ka qenë ta patrullojmë atë pjesë sipas kërkesave të komunës, duke i ndalur automjetet në vendin e quajtur Kullë”, tha Muriqi.

Ish-polici i komunikacionit i Republikës së Malit të Zi tha se kufiri mes Kosovës dhe Malit të Zi gjithmonë ka qenë te Kulla.

“Sa i përket shërbimit zyrtar, kur kam marrë fletën patrulluese dhe kam filluar punën time me veturë zyrtare, unë s’kam pasur të drejtë ta kalojë kufirin Kullës që shpije në drejtim të Kosovës. Aty ka qenë kufiri, aty ka qenë caktimi, ku prej aty nuk kam pasë drejt me kalu për arsye se për Malin e Zi ka qenë kufiri valid te Kulla me Kosovën”, tha ai.

Ai tregoi se edhe kur u kanë vënë pas ndonjë veture që i kishte ikur Policisë, nuk kanë pasur të drejtë ta ndjekin atë kur e ka kaluar Kullën.

“Edhe nëse na ka ikur dikush me kerr që kemi dashur me ndal deri në Kullë kemi vazhduar pas tij, mirëpo prej Kulle e andej nuk kemi pasë të drejtë ta ndjekmi ose ta ndalim”, shpjegoi Muriqi.

Ali Lajçi, përfaqësues i komunitetit të Rugovës, theksoi së ky version i kufirit i nënshkruar mes dy shteteve çdoherë do ketë kundërshtimin e banorëve.

Ai tha se në kundërshtim të ratifikimit banorët do të shfrytëzojnë të gjitha format e kundërshtimit.

“Ky takim po konfirmon edhe një herë se popullata këtë version nuk e pranon dhe do ta kundërshtojë çdoherë dhe do ketë edhe probleme të natyrave tjera të cilat nuk janë të favorshme për askënd.  Do bëhen rezistenca të të gjitha llojeve që janë të mundshme konform metodave demokratike dhe kushtetuese”, tha Lajçi.

Lajçi gjatë tubimit me banorë tha se deri tani janë mbajtur 208 takime kundërshtuese të këtij versioni të demarkacionit me Malin e Zi, duke përfshirë protesta, takime me banorë, subjekte politike dhe ndërkombëtarë.

Kurse në rast të ky version do të vijë në rend dite në Kuvendin e Kosovës, Sadri Zekaj, përfaqësues i fshatrave të Podgurit tha se është i bindur se deputetët nuk do ta votojnë.

Ai tha se ditën kur do të shkojë si pikë e rendit të ditës në Kuvend të Kosovës aty do jenë në Prishtinë edhe banorët e brezit kufitar për ta kundërshtuar ratifikimin.

“Reagimet do jenë të ndryshme, shkuarja në Prishtinë apo ndonjë protestë e fuqishme në pjesën e Podgurit apo të Rugovës”, tha Zekaj.

Edhe përfaqësuesi i komunitetit nga fshatrat e Deçanit, Hysen Balaj, tha se takimi i sotëm tregon se mbështetja  e banorëve në vazhdimësi po fuqizohet për ta kundërshtuar këtë version të kufirit.

“Tani janë bindur të gjithë pa dallim subjekteve politike se demarkimi ka qenë gabim”, tha Balaj.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test