Qytetarët ndiejnë rrezikun: Demarkacioni sjell trazira në Kosovë - Bota Sot
Qytetarët ndiejnë rrezikun: Demarkacioni sjell trazira në Kosovë

Aktuale

E diel, 17 dhjetor 2017

Qytetarët ndiejnë rrezikun: Demarkacioni sjell trazira në Kosovë

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 21 prill 2017 Në ora: 09:03
Ilustrim

Marrëveshja e Demarkacionit për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, mund të destablizilojë Kosovën. Kështu janë shprehur qytetarët e vendit, përmes një sondazhi të realizuar nga gazeta kombëtare “Bota sot”. Në pyetjen se “A mund të ketë trazira në Kosovë me sjelljen e Demarkacionit në Kuvend”, 3682 lexues apo 63.1 % e tyre, janë përgjigjur në opsionin “PO”, ndërsa, 1985 apo 34% e lexuesve të tjerë, janë shprehur me “JO”. Ndërkaq, 164 ose 2.8 përqind e lexuesve, kanë thënë se “Nuk e din” nëse Demarkacioni në Kuvend, sjell trazira.

Derisa zyrtarë nga koalicioni qeverisës LDK-PDK kanë thënë se kjo marrëveshje do të dërgohet brenda këtij muaji në Kuvendin e Kosovës për ratifikim, opozita insiston se ajo është e dëmshme për vendin.

Vetëvendosje paralajmëron protesta për Demarkacionin

Duke folur në lidhje me këtë, deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Faton Topalli, ka konfirmuar se ata do të vazhdojnë kundërshtimin e fuqishëm deri në “varrosjen” e  Demarkacionit.

Ai ka thënë se rezultatet e sondazhit nga “Bota sot”, tregojnë se qytetarët përveç që e kundërshtojnë, ata janë edhe të gatshëm për protesta kundër kësaj Marrëveshjeje.

Image
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Faton Topalli

“Fakti që 63% e lexuesve të gazetës “Bota Sot” mendojnë se sjellja e Demarkacionit në Kuvend mund të sjell trazira, flet nga njëra anë për mospajtimin e qytetarëve me këtë marrëveshje dhe nga ana tjetër sjell edhe njëfarë gatishmërie të tyre për të qenë pjesë e protestave. Unë mendoj që Demarkacioni në këtë formë është çështje e kryer. Marrëveshja ka vdekur qysh moti dhe tani pritet vetëm varrimi i saj. Se a do të ndodhë kjo përmes protestave apo rrëzimit me votë, do ta shohim brenda pak ditëve. Të gjitha opsionet janë të hapura. Ajo që është shumë e sigurtë, është se ne do ta vazhdojmë kundërshtimin e fuqishëm deri në varrosjen e saj”, është shprehur deputeti Topalli për “Bota sot”.

Image
Nënkryetari i AAK-së Avni Arifi

AAK: Demarkacionin do ta refuzojmë përmes votës në Kuvend

Edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, është shprehur gatishmëri që përmes votës së deputetëve të saj në Kuvend, të refuzohet Marrëveshja e Demarkacionit.

“Në bazë të këtij sondazhi, shihet se ka shqetësime serioze te qytetarët. Ne si AAK, synojmë që me votë në Parlament, të refuzojmë Demarkacionin”, ka konfirmuar nënkryetari i AAK-së Avni Arifi për “Bota sot”.

Image
Eksperti i çështjeve të sigurisë Avni Islami

Eksperti i sigurisë paralajmëron konflikt të armatosur

Se çështja e Demarkacionit është një temë serioze dhe e pakalueshme në Kuvendin e Kosovës, e ka thënë edhe eksperti i çështjeve të sigurisë Avni Islami.

Duke folur në një prononcim për “Bota sot”, eksperti Islami ka thënë se për shkak të konfiguracionit të saj, edhe po të hidhej në votim, kjo marrëveshje nuk do të kalojë, meqë kundër saj do të votojnë edhe vet deputetët e koalicionit qeverisës.

“Duket e pamundur që kjo Marrëveshje të kalojë në Parlament, për shkak të konfiguracionit të saj. Edhe po të hidhej në votim, edhe vet deputetët e partive në pushtet, nuk do ta votonin, pra pjesa e faktuar, dhe ajo nuk kalon”, është shprehur Islami.

Ai ka paralajmëruar se nëse kalon në Kuvend, kjo marrëveshje mund të sjellë trazira apo konflikt të armatosur në Kosovë, por jo në nivel shteti.

“8200 hektarë janë kontestuar nga disa ekspertë, por edhe me përkrahjen e pjesëve të deputetëve dhe popullatës nga vija e Demarkacionit, në bazë të rrethanave , por edhe me sondazhin tuaj, tregon se nëse kalo,  që për momentin pasi nuk ka se si të kalojë pa vota, mund të sjellë trazira jo në përgjithësi në Kosovë, por besoj në atë pjesë, mund të sjell edhe ndonjë konflikt të armatosur lokal. Konflikti nuk do të jetë me forca të Malit të Zi, por mund të ketë diçka të papritur, pra thjeshtë mund të ketë edhe trazira”, ka thënë eksperti i sigurisë Avni Islami.

Image
Analistit politik Skënder Zogaj

Zogaj: Çdo lloj trazire aktualisht, është vetëvrasje e pavarësisë së Kosovës

Ndërsa, sipas analistit politik Skënder Zogaj, ka thënë se i beson rezultatit të sondazhit të realizuar nga “Bota sot”. Ai ka theksuar se çështja e demarkacionit, është problematizuar përtej çdo mase, duke marr rol me ndikim historik.

Sipas tij, kjo mund edhe të ndikojë në eskalimin e një krize të rrezikshme.

“Publiku i Kosovës është elektrizuar skajshmërisht për dhe kundër demarkacionit, kështu që, moskujdesi i trajtimit serioz të çështjes së Demarkacionit në Kuvend, mund të ndikojë në eskalimin e një krize të rrezikshme. Kundërshtarët kanë paralajmëruar se "demarkacioni nuk do të kalojë" dhe se do "ta pengojnë me çdo kusht". Kjo nënkupton rrezikshmëri!”, është shprehur Zogaj.

Tutje, ai ka theksuar se në Kuvend duhet të ftohen gjakrat dhe të zhvillohet një procedurë e rregullt ligjore, me vlerësime të arsyeshme dhe përfundim demokratik që, sipas tij, do të vulosej nga vota e deputetëve.

“Opsion tjetër nuk do të duhej të kishte. Nëse vërtetë dikush dëshiron të ketë, e ka keq, sepse cenohet demokracia dhe interesi i vendit dhe i popullit të Kosovës, sepse, çdo lloj trazire aktualisht, është vetëvrasje e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, ka përfunduar analisti Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test