Gjykata lëshon urdhërarrest, Kurti pi kafe në Vjenë

Aktuale

Gjykata lëshon urdhërarrest, Kurti pi kafe në Vjenë

Më: 21 prill 2017 Në ora: 15:22
Kurti dhe Salihu takime me zyrtarët e SPÖ-së

Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar sot urdhërarrest për Albin Kurtin për shkak të mos pranisë në seancën gjyqësore për lëshimin e gazitlotsjellës në Kuvend.

Më herët, është raportuar se Albin Kurti ka shkuar në Vjenë të Austrisë, mirëpo tani Lëvizja Vetëvendosje përmes faqes së saj, ka publikuar një fotografi të Kurtit duke pirë kafe në një lokal atje.

“Sot, në Vjenë të Austrisë, deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin e Kosovës, Albin Kurti dhe Prof.Salih Salihu, u takuan me zyrtarët e lartë të socialdemokratëve austriakë, Znj.Ilia Dib, Sekretare Ndërkombëtare e SPÖ, dhe Dr.Gerhard Marchl, Drejtor i Institutit ‘Karl Renner’. Në këtë takim deputetët Kurti e Salihu paraqitën qëndrimet e VETËVENDOSJE!-s mbi situatën në Kosovë dhe rajon si dhe për idetë për daljen nga kriza. Në veçanti u shpalosën elemente të kritikës dhe programit të VETËVENDOSJE!-s mbi çështjet socio-ekonomike. U diskutua edhe për rolin dhe sfidat e mërgatës shqiptare si dhe ato të integrimit evropian. Në fund të këtij takimi shumë të përzemërt të dyja palët u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen. Vizita e deputetëve Kurti e Salihu vazhdon me takime të tjera zyrtare dhe me tubime me bashkatdhetarë në Vjenë?, Grac dhe Linc”, ka njoftuar Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetari i “Vetëvendosjes”, Visar Ymeri, në një postim në Facebook ka kërkuar anulimin e urdhrit për arrestimin e Albin Kurtit, kështu duke e quajtur të pa bazë dhe jo ligjor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat