Ministrja e Integrimeve: BE s’e heq kushtin e demarkacionit

Aktuale

Ministrja e Integrimeve: BE s’e heq kushtin e demarkacionit

Më: 22 prill 2017 Në ora: 12:40
Ministrja e Integrimeve Europiane, Mimoza Ahmetaj

Ministrja e Integrimeve Europiane, Mimoza Ahmetaj, ka deklaruar se Bashkimi Europian nuk tërhiqet prej kushteve që ka vendosur ndaj Kosovës për t’ia liberalizuar vizat.

Këtë deklaratë Ahmetaj e ka bërë pak ditë para se Isa Mustafa të shkojë në Bruksel, ku ka thënë se do të kërkojë heqjen e demarkacionit si kusht për Kosovën, për një kohë prej 1 apo 2 viteve.

Në përgjigjen e MIE-së të pyetur nga lajmin se a ka gjasa të ndodh një modifikim i tillë, është thënë se demarkacioni si kusht është vendosur në vitin 2012 dhe duhet plotësuar.

“Kriteri i demarkacionit është vendosur qysh në vitin 2012 në fillim të procesit të liberalizimit të vizave, në kuadër të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, për çka ne jemi pajtuar me këtë udhërrëfyes dhe si i tillë duhet të përmbushet. Qeveria dhe Kuvendi janë dukë bërë koordinimin e nevojshëm që procesi i liberalizimit të vizave, respektivisht çështja e demarkacionit të përfundoj sa më parë, në mënyrën më të mirë të mundshme që Kosova të mos vazhdoj të mbetet e bllokuar”

“Pas përfundimit të demarkacionit dhe konfirmimit të progresit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, Komisioni Evropian do t’i propozoj Këshillit dhe Parlamentit për miratim heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pritet që të udhëtojë në fillim të javës së ardhshme në Bruksel, ku do prezantojë kërkesën e tij të re në lidhje me liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës.

Ai ka paralajmëruar se do të kërkojë që fillimisht të ndodhë liberalizmi i vizave për qytetarët e Kosovës dhe më pas, në një afat prej dy vjetësh, Kosova të përmbushë kërkesën e Komisionit Evropian për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Mustafa po ashtu ka deklaruar se Kosova ka përkrahjen e Bashkimit Evropian që liberalizimi i vizave të bëhet në muajin gusht, në mënyrë që t’u mundësohet qytetarëve të vendit dhe bizneseve qarkullim i lirë evropian.

Por, në ministrinë e Integrimeve Europiane nuk kanë folur për afate kohore se kur Kosova mund ta marr liberalizmin e vizave, duke shtuar se i vetmi kusht që ka mbetur pa u plotësuar është ratifikimi i demarkacionit.

“Për afate kohore, ne nuk mund të flasim për situata dhe data hipotetike, por është fakt që Kosova ka përmbushur kërkesat e procesit, dhe me përfundimin edhe të çështjes së demarkacionit vendimet do të mund të merren nga ana e BE-së pa vonesa të mëtutjeshme”.

“Qeveria e Kosovës është në shqyrtim të vazhdueshëm te riprocedimit të marrëveshjes në Kuvend, dhe kjo do të ndodhë në një kohë sa më të përshtatshme për ratifikimin e saj”, është thënë nga MIE.

Komisioni Evropian në maj të vitit të kaluar kishte propozuar që Kosovës t’i hiqen vizat, por që vendimi për heqjen e tyre nuk është marr për shkak se Kosova ende nuk ka arritur ta ratifikojë marrëveshjen për shënimin e kufirit më Malin e Zi. Kjo marrëveshje është duke u kundërshtuar nga partitë opozitare dhe disa deputet të shumicës, pasi sipas tyre më këtë marrëveshje Kosova humbi mbi 8 mijë hektarë tokë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat