Ambasadori francez në Kosovë: Haradinaj po gjykohet për akuza të reja

Aktuale

Ambasadori francez në Kosovë: Haradinaj po gjykohet për akuza të reja

Më: 22 prill 2017 Në ora: 15:29
Ambasadori i Republikës së Francës në Kosovë, Didier Chabert

(E plotësuar) - Ambasadori i Francës në Prishtinë, Didier Chabert, ka deklaruar se gjyqi francez është i obliguar ta shqyrtojë flet-arrestin e lëshuar nga Serbia sepse nuk është e njëjta lëndë për të cilën Haradinaj është liruar.

Chabert ka mbajtur sot një ligjëratë para studentëve dhe profesorëve të Kolegjit AAB me temën "Diplomacia publike e Francës”, ku foli për historikun e diplomacisë publike franceze, për themelimin e shtetit të Francës, tranzicionin nga monarkia në Republikë, rolin e Presidentit si i pari i shtetit, e shumë më tepër.

Në fund të ligjëratës të pranishmit patën rastin t’i parashtrojnë ambasadorit Chabert pyetje. Mes tjerash u prek edhe tema e arrestimit të ish-komandantit të UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, nga autoritetet franceze.

Chabert tha se pyetja duhet t’i parashtrohet më tepër serbëve të cilët janë ata që e kanë lëshuar mandatin për arrest. Ai po ashtu tha se fletë-arresti për Haradinajn nuk ka të bëjë me çështjet për të cilat kryetari i AAK-së është gjykuar dhe shpallur i pafajshëm më parë.

Chabert: Gjyqi francez është i obliguar ta shqyrtojë çështjen e Haradinajt

"Së pari ndoshta është dashur që kjo pyetje t’u parashtrohet serbëve të cilët kanë dhënë një mandat për arrest, edhe ky mandat arrest që e kanë dhënë serbët nuk ka të bëjë me ato dy gjykimet për të cilat është liruar zoti Haradinaj, nuk janë të njëjtat gjëra dhe periudha e njëjtë. Ju nëse keni njohur për të drejtat, ne e dimë se si aplikohet kjo. Gjyqi francez është i obliguar ta shqyrtojë këtë çështje sepse nuk është e njëjta lëndë për të cilën ai është liruar. Ju ndoshta do mund t’u parashtroni edhe pyetjen vendeve tjera pse ato nuk e kanë bërë tërheqjen e mandat arresteve për qytetarët e Kosovës, mirëpo mandat arresti serb ka ekzistuar," tha ai.

Ambasadori Chabert po ashtu e komentoi edhe mundësinë e fitimit të zgjedhjeve të ardhshme në Francë nga kandidatja Marie Le Pen dhe mundësinë e ndryshimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Francës

Chabert: Kosova për ne është një vend i pavarur

"Për mua është ndryshe, për mua Kosova është një vend tërësisht soveren, i pavarur, dhe pas Gjermanisë ne jemi dy vende që e kemi njohur Kosovën para Shteteve të Bashkuara të Kosovës. Për mua Kosova është një vend i cili i ka të gjitha prerogativat e një vendi të pavarur dhe për ne është tërësisht një vend i pavarur”, tha ai.

Sa i përket demarkacionit me Malin e Zi, si kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, Chabert tha se Kosova dhe Mali i Zi janë dy shtete mike dhe kjo është një çështje që duhet zgjidhur.

Chabert: Nuk duhet të ketë vështirësi për demarkimin e një kufiri me një shtet mik

"Kanë qenë dy kushte për të cilat janë parashtruar, demarkimi i kufirit me Malin e Zi, dhe unë mendoj se Mali i zi është një shtet aq mik i Kosovës i cili i ka pranuar rreth 1 milion refugjatë gjatë luftës në Kosovë, dhe unë mendoj se nuk duhet të ketë vështirësi për demarkimin e një kufiri me një shtet mik me të cilin nuk ke kurrëfarë telashesh. Askush nuk ka parashtruar kusht Kosovës për demarkimin e kufirit me Serbinë meqë e dimë se nuk është realizuar,", tha ambasadori Chabert.

Ai po ashtu tha se përgjigja pse ky kusht për liberalizimin e vizave nuk është përmbushur duhet të kërkohet nga deputetët e parlamentit të Kosovës dhe jo tek Bashkimi Europian.

Ambasadori francez në Kosovë: Haradinaj po gjykohet për akuza të reja

Ambasadori i Republikës së Francës në Kosovë, Didier Chabert, ka thënë se Ramush Haradinaj po mbahet ende në Francë dhe po gjykohet atje, jo për akuzat në të cilat ishte shpallur i pafajshëm nga drejtësia ndërkombëtare, por për disa akuza të reja të ardhura nga Serbia.

Chabert ka dhënë këtë deklaratë, pasi ka mbajtur një ligjëratë në “Kolegjin AAB” në Prishtinë me temën, “Diplomacia Publike Franceze”.

Ambasadori tha se fletëarrestet e lëshuara nga Serbia, Francës i duhet t’i shqyrtojë, pasi kemi të bëjmë me akuza të reja dhe jo akuzat për të cilat tashmë Haradinaj veç ishte përgjigjur dhe ka rezultuar i pafajshëm.

Diplomati francez foli lidhur me diplomacinë në Francë se si funksionon, për përgjegjësitë që kanë institucionet si dhe për Kosovën dhe mbështetjen që Franca i ka dhënë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat