GAP: Qeveria ka ngecur në përmbushjen e rekomandimeve të raportit të KE-së

Aktuale

GAP: Qeveria ka ngecur në përmbushjen e rekomandimeve të raportit të KE-së

Më: 23 prill 2017 Në ora: 10:31
Agron Demi dhe Berat Thaqi

(E plotësuar) - Instituti GAP ka prezantuar gjetjet e “Analizës së Buxhetit 2017 dhe rekomandimet e Komisionit Europian”, ku sipas këtyre gjetjeve Qeveria e Kosovës edhe këtë vit ka ngecur në plotësimin e rekomandimeve të Raportit për Kosovën të Komisionit Europian, i cili është publikuar më 1 nëntor 2016.

Kjo është analiza e dytë e këtij lloji, ku tregohet se sa buxheti reflekton me rekomandimet e Raportit të Progresit.

Sipas Agron Demit, analist i politikave në Institutin GAP, nëse shikohen ndarjet buxhtore për vitin 2017, ato janë të njejta me vitet e kaluara. Pjesa më e madhe e buxhetit, sipas Demit, shkon për rrugë, pastaj për asistencë sociale, për pensione dhe paga.

Demi: Institucionet dërgojnë staf aty ku nuk ka nevojë

“Shumica e rekomandimeve që dalin prej Raportit për Kosovën kanë të bëjnë me rritjen e stafit në departamentet kyçe që kanë të bëjnë me monitorim dhe zbatim të legjislacionit. Dhe ajo çka po ndodh është se zakonisht institucionet dërgojnë staf aty ku nuk ka nevojë. Nëse shikohet administrata publike në përgjithësi kemi mbingarkim me të punësuar, por nëse shikohen departamentet specifike aty ku ka nevojë të rritet numri i të punësuarve nuk ndajnë buxhet të mjaftueshëm me arsyetimin se nuk ka buxhet. Është e logjikshme që qeveria të mos arrijë të ndajë  buxhet për të gjitha sfidat të cilat parashihen në Raportin për Kosovën. Por do të duhej që të prioritizoheshin sicomos çështjet që kanë të bëjnë me adminsitratën publike dhe sundimin e ligjit, dy fusha që prej vitit në vit përsëriten prej Komisionit Europian. Duke parë buxhetin e vitit 2017 ne që tash mundemi me parashiku që Raporti për Kosovën i cili do të publikohet aty nga fundi i vitit nuk do të jetë fare më i mirë sesa Raportet për Kosovën të cilat janë publiku viteve të kaluara,” tha ai

Edhe Berat Thaqi, analist i politikave në Institutin GAP, tha se fushat e monitoruara sa janë zbatuar rekomandimet e Raportit për Kosovën janë Adminsitrata Publike, zhvillimi i tregut, çështjet e punësimit, shëndetësisë dhe çështjet e mediave, statistikave.

Thaqi: Kuvendi s’ka kapacitet për monitorim të institucioneve që raportojnë tek ai

“Problem tjetër sa i përket Adminsitratës Publike janë edhe kapacitetet e Kuvendit të Kosovës. Sipas këtij raporti është një numër i madh institucionesh që raportojnë në Kuvend dhe Kuvendi nuk i ka kapacitetet e duhura për monitorim të këtyre institucioneve. Dhe ne nuk kemi parë një rritje thelbësore të buxhetit për rritjen e kapaciteteve në kuvend, apo rritjen e të punësuarve që do të ndihmonin në monitorim më të mirë,” tha Thaqi.

Thaqi po ashtu tha se sipas analizës një përmirësim është bërë tek Agjensioni i Meteorologjisë sa i përket rritjes së investimeve kapitale por edhe aty ka probleme me numrin e të punësuarve për të realizuar misionin e tyre. Në bazë të një vlerësimi të këtyre agjencioneve, ato me kapacitetet ekzistuese mund të realizojnë vetëm 70 deri në 80% të programit të tyre të punës.

Të gjeturat e kësaj analize tregojnë se megjithëse ka përparime në adresimin buxhetor të rekomandimeve të raportit të KE-së, ka ende disa fusha për të cilat nuk është bërë mjaftueshëm. Ai shtoi se në fushën e sundimit të ligjit, për shembull, Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) i është rritur dukshëm numri i punonjësve, por jo edhe Departamentit për Çështje Ekonomike në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila ka mungesë të stafit. Edhe Prokurorisë Speciale (PS), si institucion kyç për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, nuk i është ndarë buxhet për plotësimin e pozitave të kërkuara.

Thaqi: Pozitat e nevojshme për KPK dhe KGjK nuk janë aprovuar nga Minsitria e Financave

“Në fushën e sundimit të ligjit ka një progres sa i përket rritjes së buxhetit për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës mirëpo pozitat e kërkuara, pozitat  e nevojshme apo të lejuara me buxhet për këto dy institucione nuk janë aprovuar nga Minsitria e Financave," pohoi Thaqi.

Sipas analizës, raporti i KE-së ka adresuar lidhjen e dobët në mes të subvencioneve dhe granteve dhe produktivitetit në bujqësi. MBPZHR ka zgjedh si metodë të subvencionimit njësinë për hektar të kulturës bujqësore ose në blegtori për krerë, e jo subvencionimin bazuar në rendiment apo prodhimtari. Sipas një analize të Institutit GAP, kjo metodë e subvencionimit nuk ka arritur të ndikojë në rritjen e produktivitetit në bujqësi, prandaj duhet të shqyrtohet që kjo të ndryshojë.

Thaqi poashtu tha se analiza tregon se edhe për këtë vit është konstatuar se buxheti për shëndetësi është më i ulëti në rajon dhe nuk i plotëson nevojat dhe si pasojë e mungesës së buxhetit Ministria e Shëndetësisë nuk arrin t'i përmbushë nevojat bazike.

Gjetjet tregojnë se në fushën e medies, Komisioni i Pavarur për Media (KPM) vazhdon të përballet me vështirësi për mbulim të obligimeve financiare dhe me numër të kufizuar të stafit.

Sa i përket sektorit të statistikave, raporti i KE-së vlerëson ka një mungesë të trajnimeve për stafin e ri sa i përket metodave të mbledhjes dhe kualitetit të statistikave. Sipas raportit, pothuajse të gjitha llojet e statistikave të publikuara nga ASK kanë nevojë të përmirësohen dhe të përshtaten me standardet e BE-së.

GAP: Adresimi buxhetor, i pamjaftueshëm për luftimin e korrupsionit

Instituti GAP ka mbajtur konferencë për media ku prezentoi analizën mbi “Buxhetin e Kosovës 2017 dhe rekomandimet e Komisionit Evropian”.

Berat Thaqi, analist i politikave në institutin GAP, theksoi se megjithëse ka përparime në adresimin buxhetor të rekomandimeve të raportit të KE-së, ka ende disa fusha për të cilat nuk është bërë mjaftueshëm.

“Buxheti për Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës është rritur, mirëpo Prokurorisë Speciale (PS) si institucion kyç për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, nuk i është ndarë buxhet për plotësimin e pozitave të kërkuara. Brenda Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) shihet një përmirësim sa i përket investimeve kapitale për Agjencionin për Metrologji, por departamenteve të tjera nuk u janë rritur kapacitetet buxhetore, sidomos atyre që merren me akreditim dhe standardizim”, ka thënë Thaqi.

Sipas tij, buxhet i pamjaftueshëm është ndarë për Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe Agjencinë e Kosovës për Efiçiencë.

“Edhe sa i përket reformës në administratë publike nuk është shënuar përmirësim në rritjen e kapaciteteve të Ministrisë së Administratës Publike (MAP) për monitorimin e kësaj reforme. Radio Televizioni i Kosovës (RTK) edhe këtë vit do të financohet nga buxheti i shtetit, megjithëse afati ligjor për këtë formë të financimit ka kaluar. Problem tjetër i adresuar në raportin e KE-së është mungesa e sigurisë në punë dhe mungesa e inspektorëve të punës. Gjithashtu, shpenzimet publike në shëndetësi janë ndër më të ulëtat në rajon, dhe asnjëherë deri më tani buxheti i ndarë për shëndetësi nuk i ka plotësuar nevojat”, u shpreh ai.

Agron Demi, analist i politikave në institutin GAP, potencoi se një nga problemet që përsëritet më së shpeshti në rekomandimet e Komisionit Evropian ka të bëj me mungesën e stafit në departamente kyçe që kanë të bëjnë me monitorim të politikave dhe zbatim të ligjeve.

“Përkundër asaj se kemi një administratë publike e cila është e mbingarkuar me të punësuar, institucionet kanë dështuar që të rrisin stafin në institucionet zbatuese dhe monitoruese të ligjeve. Një nga rekomandimet e GAP është që të bëhet risistemimi i stafit në mes institucioneve dhe departamenteve, e jo të punësohet staf shtesë”, theksoi Demi.

Përveç të gjeturave kryesore, analiza ka adresuar disa rekomandime lidhur me kapacitet buxhetore.

Analizë mbi buxhetin e Kosovës 2017 (Drejtpërdrejt)

Instituti GAP do të prezantojë sot një analizë lidhur me adresimin e sfidave të identifikuara nga Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën me Ligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017.

Integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian (BE) është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë së Kosovës.  Çdo vit, Komisioni Evropian bën një vlerësim të  kapaciteteve institucionale të Kosovës lidhur me përmbushjen e kritereve të BE-së për integrim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat