Gecaj: Rexhep Qosja, dështaku i politikës

Aktuale

Gecaj: Rexhep Qosja, dështaku i politikës

Më: 23 prill 2017 Në ora: 15:13
Bajram Gecaj

Akademiku, Rexhep Qosja, e ka kritikuar qasjen e kryeministrit, Isa Mustafa, kundrejt deklaratave të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, për bashkim të mundshëm të shqiptarëve dhe vetëm 24 orë më pas, Qosjës i është përgjigjur këshilltari i Mustafës, Bajram Gecaj.

Gecaj e ka quajtur Qosjën njeri që s’merr erë në politikë dhe madje është dhe mbetet dështak në këtë zeje.

“Ata që nesër do të merren me biografinë e Rexhep Qosjes, nëse duan që të jenë real e të mos mbështeten vetëm në memoaret e autorit, do të bijnë në përfundim se Rexhep Qosja kurrë nuk kishte marrë vesh nga politike edhe pse atë e kishte dashur shumë dhe ishte përpiqur të merret shpesh me te, por asnjëherë nuk ka pasur prirje ta bëjë këtë. Përfundimisht ai ishte dhe mbetet dështak në këtë zanat; ja kanë thënë këtë edhe qytetarët e Kosovës me vota”, shkruan pos tjerash, në një kritikë të gjatë Gecaj.

 Ky është shkrimi i plotë i Bajram Gecajt në llogarinë e tij në Facebook;

Ata që nesër do të mirren me biografinë e Rexhep Qosjes, nëse duan që të jenë real e të mos mbështeten vetëm në memoaret e autorit, do të bijnë në përfundim se Rexhep Qosja kurrë nuk kishte marrë vesh nga politike edhe pse atë e kishte dashur shumë dhe ishte përpiqur të merret shpesh me te, por asnjëherë nuk ka pasur prirje ta bëjë këtë. Përfundiumisht ai ishte dhe mbetet dështak në këtë zanat; ja kanë thënë këtë edhe qytetarët e Kosovës me vota. E kanë ndëshkuar jo vetëm pse nuk ka ditë politikë, por edhe pse nuk i kanë besuar. Diçka që Qosja do të vdes e nuk do ta kuptoj.

Rexhep Qosja mua më duket si Salieri, kompozitori italin në filmin e Millosh Formanit ‘Amadeus’, i cili i pezmatuar deri në dhimbje shpirtërore pse Mocarti ka talent larg më shumë se ai, akuzon zotin e vet, dhe në një fragment filmi statujën e Krishtit, që e mbante në dorë, e hudh në zjarr në kamin duke klithur “zot kur e dije që nuk mund të kem sukses, pse ma mbëltove dëshirën për tu marr me muzike”. Ky Salieri gjeloz deri në çmenduri në film do ti kurdis të gjitha të zezat për Mocartin, gjeniun e muzikës, ashtu siç i kurdis Qosja në realitet të gjitha të zezat për Ibrahium Rugovën dje, për Isa Mustafën sot, dhe për LDK-n gjithmonë. Duke e pasur inatin më të madh se pragmatizmin, dëshirën për tu përceptuar si misionar, më të nevoshjme se sjelljen e dobisë në praktikë, duke e pasur kokfortësinë përjashtuese, pa prirje për tolerancë vëllazërore e njerëzore, ai nuk e ka kuptuar kurrë politikën, gjeopolitikën e më së paku ‘artin e të mundshmes’. Qosja atëherë kur nuk e ka kuptuar artin e të mundshmes në politikë, e ka ndërtuar një të mundshme iluzore ‘politiko- patriotike’ të cilën e ka kuptuar vetëm ai dhe i ka ndëshkuar për tradhëti të gjithë ata që nuk janë bashkuar me të mundshmen e tij, e cila ka qenë e pamundshme deri në iluzion shizofrenik.

Po ama, përkundër kësaj, jo si Salieri në filmin Amadeus, Qosja i bindur se merr vesh në politikë më shumë se të gjithë të tjerët, kurr nuk ka pushuar të shkruaj, të flas e të veproj politikisht. Dhe tash në fund akuzoj për tradhëti institucionet shtetërore, konkretisht Qeverinë. Për çka? Sepse ne si Qeveri nuk qenkemi deklaruar kundër kërcënimeve të pushtetarëve të Beogradit. E pabesueshme. E di që Qosja shkruan gjatë, sado që këtë stil paramodern do të duhej ta ndronte qysh moti e të shkruante shkurt, por nuk e paskam ditur që ai nuk lexon. Ose i lexon ato që i thotë Qeveria e nuk i kupton, ose ndoshta bëhet toshë për ta justifikuar sulmin e tij.

Kjo Qeveri mbi të gjitha mbron interesin nacional të Kosovës. Ju z. Qosja mund të vazhdoni të shkruan gjatë e me nge, ne duhet të ju mbrojmë ju edhe nga vehtja e juaj. Ja pse dhe ja si. Nuk ka ide më të rrezikshme dhe më të dëmshme për shqiptarët në Ballkan se sa ajo që idenë e afrimit, bashkëpunimit apo qoftë edhe atë të bashkimit të shqiptarëve, ta bëni në kundërshtim dhe refuzim ndaj Bashkimit Evropian dhe vlerave evroperëndimore. Ju e bëtë konkretisht këtë me këtë postim të fundit në facebook. Ju me këtë, dërguat ujë në mullirin e Serbisë, sepse ju nuk merrni vesh asgjë nga politika. Dhe me këtë ‘mulli të funksionalizuar’ të Serbisë nga ju dhe të tjerët si ju, e cila në rast se do të na sulmonte, ashtu sikundër provoj para disa muajve, ku do të drejtoheni ju R. Qosja për këshilla, për ndihmë dhe mirëkuptim ? Tek perëndimorët, tek BE, NATO, apo do ta rruni mjekrën edhe një herë, dhe do të mallkoni zotin, diku përtej kufirit të Kosovës, se nuk po ju kupton as ai as populli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat