Reagon Hahn për deklaratat e Ramës dhe Thaçit: Nëse mendoni se po bëni presion te BE-ja, jeni gabim

Aktuale

Reagon Hahn për deklaratat e Ramës dhe Thaçit: Nëse mendoni se po bëni presion te BE-ja, jeni gabim

Më: 24 prill 2017 Në ora: 16:34
Komisioneri Evropian për zgjerim, Johanes Hahn

Komisioneri për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, i ka cilësuar ‘të papranueshme’ dhe ‘kundërproduktive’ deklaratat e liderëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor që implikojnë ndryshimet e kufijve, ka njoftuar Shërbimi për Ballkanin i Radios Evropa e Lirë.

“Shpreh zhgënjim dhe nëse mund të them edhe zemërim për shkak të deklaratave nxitëse të disa liderëve në rajon. Deklaratat e tilla, që mund të cilësohen edhe si përzierje në shtetet e tjera dhe implikojnë ndryshime të kufijve, janë të papranueshme dhe për më shumë janë të panevojshme dhe kundërproduktive”, tha Hahn pas takimit me shefin e diplomacisë serbe, Ivica Daçiq në Bruksel.

Deklaratat e Hahn pasuan intervistën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në portalin Politiko në të cilën nuk e ka përjashtuar mundësinë e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën, ‘nëse perspektiva e anëtarësimit të vendeve të rajonit të Ballkanit në BE, vazhdon të zbehet’.

Johannes Hahn tha se do të ishte e gabueshme të mendohet se me deklarata të tilla ‘mund të bëhet trysni ndaj BE-së’, për anëtarësim.

“Deklarata e tillë shumë lehtë mund të shkaktojë kundërefekt. Duhet të jemi të vetëdijshëm se evropianët kanë një interes të fuqishëm për paqe, përparim dhe stabilitet në rajon, dhe kjo mund të arrihet vetëm përmes marërdhënieve të mira fqinjësore, ku të gjithë punojnë bashkë dhe ndihmojnë në zhvillimin e mëtejmë të rajonit”, tha Hahn.

Komisioneri për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn tha se suksesi i negociatave të Serbisë drejt anëtarësimit në BE varet edhe nga dialogu i Beogradit me Prishtinën.

“Shpresoj se të dyja palët do të tregojnë një qasje konstruktive dhe do të vazhdojnë më tutje me rezultate të prekshme. Jam i bindur se së shpejti do të hapim kapituj të ri dhe duhet të shfrytëzojmë çdo rast që ta mbajmë dinamikën”, tha Hahn.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat