Kelmendi: Pakoja Fiskale 2 një rilindje për bizneset dhe ekonominë prodhuese në veçanti

Aktuale

Kelmendi: Pakoja Fiskale 2 një rilindje për bizneset dhe ekonominë prodhuese në veçanti

Më: 25 prill 2017 Në ora: 14:48
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Ramiz Kelmendi

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Ramiz Kelmendi të martën vizitoi komunën e Hanit të Elezit ku u prit nga kryetari, Rufki Suma me bashkëpunëtorë.

Zëvendëskryeministri Kelmendi theksoi se në komunën e cila udhëhiqet nga një kryetar i pavarur sot është biseduar për shumë çështje, por në veçanti për çështjen e pronave të APJ-së të cilat tani janë bërë pronë shtetërore, i cili premtoi se shumë shpejt qeveria e Kosovës do ta bëjë pronë të kësaj komune.

Kelmendi: Prona e APJ-së shumë shpejt do të bëhet e komunës

“Biseduam për shumë çështje dhe si çështje e cila e atakon vet komunën ishte prona e APJ-së që tash është bërë pronë shtetërore, që është një pronë me interesa të jashtëzakonshme dhe të veçanta për infrastrukturën mbështetëse të së Hanit të Elezit dhe besoj se shumë shpejt do të kaloj në Qeverinë e Kosovës që ajo pronë të bëhet pronë e komunës së Hanit të Elezit”, tha ai.

 Ndërkaq, kryetari i komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, njoftoi zëvendëskryeministrin Kelmendi për të gjitha punët dhe problemet me të cilat po ballafaqohet kjo komunë, si dhe për aktivitetet të cilat i ka ndërmarrë kohëve të fundit.

Kryetari Suma falënderoi zëvendëskryeministrin Kelmendi për angazhimin e tij në përkrahje të bizneseve.

 Suma: Informuam Kelmendin për problemet me të cilat ballafaqohet komuna jonë

“Bashkë biseduam për të gjitha problemet me të cilat ballafaqohet Hani i Elezit, me aktivitete që i kemi ndërmarrë gjithashtu tani patëm rastin që të takohemi edhe me komunitetin e bizneseve dhe aty para zëvendëskryeministrit u prezantuan për vërejtjet e tyre që kishin për institucionet apo që kërkonin diçka të lehtësohet për ta”, theksoi kryetari Suma.

 Pas takimit me kryetarin e Komunës së Hanit të Elezit, zëvendëskryeministri Kelmendi u takua edhe me përfaqësues të bizneseve të kësaj komune, me të cilët bisedoi për çështjen e furnizimit me energji elektrike, fiskalizimin e bizneseve, si dhe për Pakon Fiskale 2, e cila shumë shpejtë do të kalojë në Qeverinë e Kosovës dhe do të jetë një rilindje për bizneset në përgjithësi dhe ekonominë prodhuese në Kosovë.

Kelmendi: Bizneset e shqetësuara për mos furnizim të rregullt të energjisë elektrike

“Pata takime edhe me biznese të kësaj komune, mund të them se shqetësimet kryesore qëndrojnë në pa përgjegjësinë e KEDS-it në furnizim dhe në kontroll dhe shkyçje të pa paralajmëruar, si dhe me mirëmbajtje jo të organizuar. Pastaj, u bisedua edhe për çështje fiskale, ku i njoftova edhe për Pakon 0.2, është një pako e cila për 17-vjet me radhë i ka sanksionuar bizneset prodhuese dhe besoj se shumë shpejt do të kaloj në Qeverinë e Kosovës dhe do të jetë një rilindje për ekonominë prodhuese në veçanti”, theksoi Kelmendi.

Gjatë kësaj vizite, zëvendëskryeministri Kelmendi vizitoi fabrikën për prodhimin e çimentos “Sharrcem” dhe Fabrikën e Stiroporit “Kosovaplast-B”, në të cilat u njoftua nga afër me punët dhe aktivitetet që po zhvillojnë këto kompani. Zëvendëskryeministri Kelmendi me këtë rast shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës që të ofrojë përkrahje për të gjitha bizneset prodhuese. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat