Lekaj: Brukseli nuk heq dorë nga demarkacioni, ua kemi premtuar vetë

Aktuale

Lekaj: Brukseli nuk heq dorë nga demarkacioni, ua kemi premtuar vetë

Më: 25 prill 2017 Në ora: 16:28
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së Pal Lekaj

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së Pal Lekaj thotë se refuzimi i kërkesës së kryeministrit në Bruksel për heqjen e vizave është edhe një dështim i radhës i kreut të ekzekutivit.

Deputeti i AAK’së bën të ditur se subjekti i tyre e ka ditur epilogun e takimit të Brukselit pasi thotë se Qeveria është vetë ajo që e ka kërkuar një kriter të tillë.

Madje synimin e Mustafës që të modifikohet kushti i demarkacioni me viza Lekaj e quan një lojë me ndjenjat e qytetarëve.

“Ne e kemi ditur epilogun e takimit në Bruksel dhe kemi thënë qartë se Brukseli nuk lëvizë prej atyre që vetë i kemi premtuar, pra që do të bëhet ratifikimi i marrëveshjes.

Sa i përket kësaj çështje ne i kemi vënë në dijeni të gjithë qytetarët  që Kryeministri i Kosovës ka filluar të bëjë hajgare me qytetarët dhe nuk është fare serioz kur një kriter të tillë e ka pranuar vetë dhe mendoj që kjo është dështim i radhës dhe po luan me ndjenjat e qytetarëve të Kosovës”, tha Lekaj.

Ai siguroi se  AAK do të bëjë çmos që gjithë ata zëra kundërshtues edhe nga pozita që nesër  të mendojnë më ndryshe, dhe siç tha Lekaj, të japin nënshkrimet dhe për rrëzimin e Qeverisë.

“Kjo ishte edhe një lojë politike e qeverisë së Kosovës me të cilën Mustafa edhe kësaj radhe ka dështuar keq”, tha Lekaj.

Mustafa udhëtoi të hënën për në Bruksel që t’i kërkojë BE’së që ta lejojnë heqjen e vizave për kosovarë por duke e kushtëzuar atë që procesi i Demarkacionit me Malin e Zi të kryhet në një afat prej dy vjetësh.

Kryeministri Isa Mustafa nuk ia ka dalë ta bindë Komisionarin për Punë të Brendshme të BE-së, Dimitris Avramopulos, që të suspendohet kriteri i Demarkacionit për vizat. Në vend të kësaj, Avramopoulos i ka kërkuar Mustafës që demarkacioni të nxirret në Kuvend për t’u votuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat