Thaçi thotë se për zgjedhjet e parakohshme vendosin partitë, KQZ e gatshme

Aktuale

Thaçi thotë se për zgjedhjet e parakohshme vendosin partitë, KQZ e gatshme

Më: 26 prill 2017 Në ora: 10:51
Presidenti Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në seminarin e organizuar nga Ambasada e Finlandës me temën “Kosova dhe Finlanda ndërtojnë të ardhme së bashku: Ndërmjetësimi i paqes, Menaxhimi i krizave dhe Plani i Ahtisaarit - Rruga përpara”.

(E plotësuar) - Presidenti i vendit Hashim Thaçi, i cili i ka dërguar letër BE-së, ku ka kërkuar monitorimin e zgjedhjeve komunale, thotë se e ndjen obligim kushtetues, ligjor dhe politik që t’i ftojë vëzhguesit evropianë për zgjedhjet lokale.

Ai thotë se kjo është ftesë në kohën e duhur, ndërsa sa i përket mundësisë së shkuarjes në zgjedhje të parakohshme, presidenti Thaçi thotë se kjo mbetet në vullnetin e partive politike dhe se ai do të respektojë marrëveshjet politike dhe do të jetë në krye të obligimeve të tij si president i vendit.

Thaçi: Për këtë vendosin partitë politike, unë respektoj vendimin e tyre

“Unë si president i vendit  punoj sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, jo sipas opinioneve ditore apo politikave të partive politike,  e çfarëdo partie politike qoftë. Prandaj, e ndjej obligim kushtetues, ligjor dhe politik, që të ftoj vëzhguesit evropianë për zgjedhjet e ardhshme lokale. Është një ftesë në kohë të duhur që dhe autoritetet e BE-së dhe gjithë mekanizimi tjetër mbështetës, të përgatitet për këtë proces të rëndësishëm për demokracinë në Kosovë. Ndërsa sa i përket çështjeve tjera, mundësisë së organizimit të zgjedhjeve të përgjithshme, unë respektoj Kushtetutën e vendit, mandatin e plotë të kushtetuesve ligjor. Është në vullnetin e partive politike, nëse duan zgjedhje të parakohshme, unë do të respektoj marrëveshjen e partive politike dhe natyrisht se do të jem në krye të obligimeve të mia kushtetuese”, tha ai.

Presidenti i Kosovës tha se Kosova duhet të lëvizë përpara më shpejt dhe më mirë, drejt konsolidimit të shtetit, forcimit të ekonomisë dhe perspektivës euroatlantike.

Thaçi: Kosova të lëviz më shpejt drejt konsolidimit të shtetit

“E potencova sa i përket qëndrueshmërisë dhe funksionalitetit janë partitë politike që përbëjnë koalicionin. Ato që marrin qëndrime dhe zotime, por dhe përgjegjësi dhe që e bëjnë vlerësimin e punës dhe jo unë si president i vendit. Unë si president i vendit theksoj se Kosova duhet të lëvizë më shpejt, më mirë dhe në mënyrë efikase drejt konsolidimit të shtetit, forcimit të ekonomisë  dhe perspektivës euroatlantike”, tha ai.

Ndërkaq kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor Valdete Daka thotë se KQZ e përkrahë letrën që presidenti i ka dërguar BE-së për monitorimin e zgjedhjeve, sepse kjo  i jep mundësi KQZ-së që të tregojë se organizon zgjedhje sipas standardeve evropiane.

Daka: E përkrahim letrën e presidentit dërguar BE-së për monitorim të zgjedhjeve

“Jo vetëm që është e nevojshme, por ajo tregon që BE është e përkushtuar që në Kosovë të ketë zgjedhje të organizuara sipas standardeve ndërkombëtare. Kjo edhe neve si KQZ na jep atë mundësi që të tregojmë se i organizojmë me standarde ndërkombëtare . Natyrisht që është shumë për ta përkrahë këtë letër, të cilën e ka dërguar presidenti.  Ne si KQZ  do të kemi takim me misionin vëzhgues, i cili do të jetë në Kosovë. Më datën 2 maj ne presim që të takohemi me krerët e këtij misioni dhe aty do të diskutojmë për modalitetet e vëzhgimit të zgjedhjeve lokale”, ka thënë Daka.

Daka thotë se KQZ do të organizojë zgjedhjet e jashtëzakonshme,  në momentin kur ato shpallen nga presidenti i vendit, përkundër sfidave në të cilat ata hasin gjithmonë,  kur bëhen organizime të zgjedhjeve për afate të shkurtra.

Daka: Përkundër sfidave jemi të gatshëm për zgjedhje të parakohshme

“KQZ nuk e ka në diskutim që të vendosë, a do t’i organizojë apo jo. KQZ e ka obligim kushtetues. Dhe me siguri që do t’i organizojë zgjedhjet,  atëherë kur ato shpallen nga presidenti i Republikës. Nuk na mbetet me zgjedh, a duam apo jo. Ne do t’i organizojmë, natyrisht se do të ketë sfida, sepse gjithmonë organizimi në afate të shkurta i sjell me vete dhe mundësi të gabimeve. Por ne e kemi obligim kushtetues”, tha ajo.

Presidenti Thaçi: Paqja dhe stabiliteti ndërtohen me barazi, dialog dhe bashkëpunim

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në seminarin e organizuar nga Ambasada e Finlandës me temën “Kosova dhe Finlanda ndërtojnë të ardhme së bashku: Ndërmjetësimi i paqes, Menaxhimi i krizave dhe Plani i Ahtisaarit - Rruga përpara”.

Presidenti Thaçi tha se Kosova e njeh mirë rolin e Finlandës në ndërtimin e paqes në botë dhe është përgjithmonë mirënjohëse për përkrahjen që ka marrë në kohët më të vështira, por edhe vendimtare për paqen dhe lirinë e vendit tonë.

“Përvoja e parë e Kosovës në angazhimin e Finlandës për paqe fillon me presidentin Ahtisaari qysh në vitin 1999, kur ai negocionte me Millosheviqin tërheqjen e trupave serbe nga Kosova. Për Kosovën kjo nuk ishte vetëm tërheqje e trupave, por ishte edhe fund i vrasjeve, dhunimeve, dëbimeve. Fund i përpjekjeve për të zhdukur një popull të tërë, gjurmët e tij, nga toka ku kishte jetuar gjithmonë. Ndërsa, për botën kjo nuk simbolizonte vetëm fundin e një lufte në tokën e Evropës, por ngadhënjimin e angazhimit të tyre për barazi dhe liri për të gjithë popujt mbi politikat diskriminuese, përjashtuese, hegjemoniste e nacionaliste që kishin shkatërruar rajonin e Ballkanit”, u shpreh presidenti Thaçi.

Sipas tij, kjo ishte betejë mes vlerave dhe parimeve të humanitetit dhe të drejtave të njeriut në njërën anë dhe përdorimit të dhunës për të ndërtuar realitete të reja politike në anën tjetër.

“Për presidentin Ahtisaari kishim dëgjuar edhe më herët, në punën e tij në kuadër të Grupit Ndërkombëtar të Krizave kur propozonte idenë e pavarësisë së mbikëqyrur për Kosovën. Presidenti Ahtisaari e kuptonte se nuk mund të ndërtohet paqja dhe stabiliteti duke shkelur të drejtat e një populli dhe duke injoruar aspiratat e atij populli. Përkundrazi. Ai kishte kuptuar se çelës për paqen është respektimi i vullnetit të të gjitha palëve, respektimi i të drejtave të të gjitha palëve”, shtoi presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit theksoi se Presidenti Ahtisaari ka luajtur rol edhe në procesin e përcaktimit të statusit politik të Kosovës.

“Si testament i angazhimit të tij edhe sot dokumenti mbi të cilin është ndërtuar shteti i Kosovës vazhdon të quhet Dokumenti i Ahtisaarit”, u shpreh presidenti Thaçi.

Por, sipas tij, në ndërtimin e Kosovës kanë kontribuar me mijëra finlandezë.

“Kanë kontribuar në të gjitha misionet ndërkombëtare në Kosovë, civile e ushtarake”, tha ai.

Image
Kreu i shtetit theksoi se Presidenti Ahtisaari ka luajtur rol edhe në procesin e përcaktimit të statusit politik të Kosovës.

Presidenti shtoi se ka pasur fatin të jetë pjesë e proceseve më të rëndësishme në të cilat ka kaluar shoqëria kosovare si pjesëmarrës e udhëheqës.

“E njoh mirë diskriminimin, përjashtimin, luftën dhe i njoh tmerret që shkakton ajo. E njoh mirë vështirësinë e ndërtimit të një shoqërie të shkatërruar nga lufta. I njoh mirë kurthet që lë pas vetes lufta dhe konflikti. E di mirë sa e vështirë është të ndërtohet paqja, sidomos paqja e qëndrueshme. Por, e di edhe sa e rëndësishme është paqja dhe stabiliteti. Prandaj gjatë luftës kam qenë i angazhuar që të ruhet aq sa mundet humaniteti dhe solidariteti. Kurse, pas luftës jam angazhuar për ndërprerjen e armiqësive dhe ndërtimin e urave në mes popujve. Për këtë angazhohem edhe sot, si President i Kosovës”, u shpreh ai.

Presidenti Thaçi numëroi edhe disa prej hapave që promovon si president i vendit për ndërtimin e paqes së qëndrueshme në Kosovë dhe në rajon.

“Kusht i parë është drejtësia. Për drejtësi kanë nevojë viktimat, por edhe gjeneratat që vijnë. Por, për drejtësi kanë nevojë edhe ata në emër të të cilëve janë kryer krimet, që të distancohen nga kriminelët. Prandaj, që në fillim të mandatit tim si president kam apeluar tek Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit që të angazhohen edhe më shumë në zbulimin dhe dënimin e atyre që kanë kryer krime lufte në Kosovë”, u shpreh presidenti Thaçi.

“Ky është hapi i parë drejt mbylljes së plagëve të luftës”, shtoi ai.

Hapi i dytë i ndërmarrë, presidenti Thaçi tha se është themelimi i Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin në Kosovë.

“Duhet të mbyllet kapitulli i së kaluarës dhe të hapet kapitulli i ri, për një të ardhme të re. Drejtësia duhet të pasohet nga e vërteta dhe pajtimi”, theksoi presidenti Thaçi.

Duke mësuar për vuajtjet e njëri-tjetrit, presidenti Thaçi theksoi se të gjithë do ta kuptojnë edhe më shumë rëndësinë e ndërtimit të paqes së qëndrueshme në Kosovë.

Pika tjetër për të ndërtuar paqe të qëndrueshme në rajon, sipas presidentit Thaçi, është bashkëpunimi rajonal dhe ndërtimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore.

“Vazhdoj të promovoj dialogun rajonal për të ndërtuar paqe të qëndrueshme në rajon. Jam ulur në tavolinë me njerëzit që dy dekada më parë kërkonin të më vrisnin vetëm për shkak se kërkoja barazi për popullin tim. Nuk ishte vendim i lehtë, por ishte vendim i drejtë”, shtoi presidenti Thaçi.

Që nga viti 2013, presidenti Thaçi tha se Kosova ka instaluar procesin e dialogut me Serbinë që, me gjithë sfidat dhe ngecjet që përjeton, ka vënë parimin e dialogut si instrument për zgjidhjen e çdo mosmarrëveshjeje dhe konflikti që mund të kemi me njëri-tjetrin.

“Pas fitimit të lirisë dhe ndërtimit të shtetit, duhet të çimentojmë paqen dhe barazinë në Kosovë dhe në rajonin tonë. Hap i natyrshëm për këtë është anëtarësimi në NATO dhe BE i tërë rajonit tonë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Presidenti ka shtuar se është kënaqësi të shohim se edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë të përkushtuara në rrugën e tyre për anëtarësim në BE dhe nxitojnë të mbyllin kapitujt e negociatave me Brukselin. Por, sipas tij, i tërë ky rezultat mund të vihet në pikëpyetje nëse Bashkimi Evropian nuk i zgjat dorën Ballkanit Perëndimor.

“Po shohim një ngritje të ideologjive populiste, nacionaliste e radikale, si në rajonin tonë, ashtu edhe në Evropë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Për këtë, presidenti Thaçi theksoi se përsëri kemi nevojë për vizion dhe guxim që të ritheksojmë se paqja dhe stabiliteti në Evropë dhe në botë ndërtohen mbi barazi, dialog dhe bashkëpunim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat