Hoti: Klasifikimi i veteranëve të bëhet deri më 31 maj

Aktuale

Hoti: Klasifikimi i veteranëve të bëhet deri më 31 maj

Më: 26 prill 2017 Në ora: 14:20
Konferenca përbashkët në mes të përfaqësuesit të FMN-s, Ministrit të Financave, Avdullah Hotit, dhe guvernatorit të BQK-s Bedri Hamza

(E plotësuar) - Kosova ka përfunduar me sukses rishikimin e dytë dhe të tretë të programit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe si rezultat është arritur që Kosova të përfitojë 100 milionë euro për buxhetin e shtetit.

Kështu tha të mërkurën ministri i Financave, Avdullah Hoti në konferencën për medie, i cili përmendi se janë arritur të plotësohen të gjitha kushtet e nevojshme për rishikimin e dytë dhe të tretë sa i përket bilancit bankar për shpenzimet rrjedhëse, deficitin buxhetor dhe kritereve të tjera që parashihen në program. 

Ky rezultat sipas Hotit ka ardhur në kuadër të performancës së mirë ekonomike sa i përket të hyrave dhe menaxhimit të rregullt të shpenzimeve.

Mirëpo, për rishikimin e katërt të programit të FMN-së, Kosovës i janë vënë dy kushte specifike sipas Hotit, njëra është për zbatimin e ligjit për klasifikimin e veteranëve të luftës dhe i dyti është për amandamentimin e ligjit për shkallën e invaliditetit të ish-ushtarëve të luftës.

Hoti tha se klasifikimi i veteranëve duhet të bëhet deri më 31 maj në përputhje me ligjin të cilin e ka nxjerrë Kuvendi në fund të vitit të kaluar, duke respektuar rregullin 0.7 për qind të Bruto Prodhimit Vendor që duhet të alokohet për këtë kategori.

Hoti: Janë dy kushte specifike nga FMN për Kosovën

“Ne presim që edhe rishikimin e katërt ta përfundojmë me sukses, i cili duhet të ndodhë gjatë muajve të verës, por janë dy kushte specifike për të përmbyllur me sukses programin me Fondin Monetar Ndërkombëtar. E para është ri- klasifikimi i veteranëve të luftës në përputhje me ligjin që është amandamentuar në dhjetor të vitit të kaluar, ngase kushti FMN-së është që të kryhet deri në fund të muajit maj. Dhe kushti dytë është amandamentimi i ligjit për invalidë të luftës, me ç’rast do të barazohet shkalla e invaliditetit të veteranëve të luftës me shkallën e invaliditetit  të qytetarëve të tjerë”, theksoi ministri Hoti.

Ai shtoi se pjesë e diskutimit me FMN ishte edhe ideja për krijimin e një programi të ri pasi të mbyllet programi ekzistues, që ka të bëjë për rishikimin e skemave sociale dhe atyre pensionale, të cilat absorbojnë diku një të tretën e shpenzimeve buxhetore.

Po ashtu sipas Hotit edhe Pakoja 2 fiskale është diskutuar në FMN, për të cilën ka një qëndrim të përbashkët me këtë institucion financiar ndërkombëtar.

Hoti theksoi se pavarësisht nëse ndodhin edhe zgjedhjet e parakohshme ose zhvillimet tjera, obligimet që i ka Kosova në kuadër të programit të FMN-së janë obligime shtetërore të institucioneve të Kosovës, të cilat duhet të përmbushen nga cilado qeveri në ardhje.

Përveç takimeve me FMN, ky delegacion nga Kosova ka pasur takime të ngjeshura edhe me zyrtarë të lartë të Bankës Botërore, ku pritet që për pesë vitet e ardhshme kjo bankë do ta mbështesë Kosovën me 240 milionë euro. Sipas tij, BB është e gatshme ta mbështesë edhe projektin Kosova C.

Hoti: BB me kornizën 5-vjeçare do ta mbështesë Kosovën me 24 milionë dollarë

“Dëshiroj të përmend dy çështje specifike me bankën e para është korniza e re strategjike që BB së shpejti do ta aprovoj për Kosovës për pesë vitet e ardhshme, ku parashihet një mbështetje prej 240 milionë dollarë amerikanë për Kosovën në kuadër të kësaj pakoje dhe çështja e dytë që ka të bëjë me BB është projekti i “Kosovës C”, dhe ne po presim që sapo Ministria e Zhvillimit Ekonomik t’i përmbyllë disa detyrime që i ka në përgatitjen e marrëveshjeve të ndryshme komerciale me kompaninë është shpallur fituese dhe në përmbushjen e  kushteve të tjera teknike. Banka Botërore është e gatshme që të mbështesë këtë projekt shumë të rëndësishme për stabilitet energjetik të Kosovës”, theksoi Hoti.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Bedri Hamza tha se Kosova ka një gjendje makro fiskale të qëndrueshme dhe një sistem të qëndrueshëm financiar. Ai ka parasysh se institucionet e Kosovës kanë shumë punë për të bërë edhe në zhvillimin e reformave dhe në përmirësimin e ambientit të përgjithshëm dhe në zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm.

Sipas tij, sektori financiar i ka përmbushur të gjitha obligimet që kanë dalë si rezultat i kësaj marrëveshje me FMN.

Hamza: Sektori financiar ka një performancë të mirë

“Nëse i referohemi indikatorëve financiar kemi rritje të depozitave dhe kredive dy shifrore. Kreditë jo performuese janë në nivelin më të ulët historik, janë 4.5 për qind, janë mirë të provizionuar dhe kemi pasur edhe një reflektim në normën e interesit, ku norma mesatare kredive ka rënë dhe tash është në mesataren e vendeve të regjionit. Në përgjithësi sektori financiar ka një performancë të mirë, trendet pozitive vazhdojnë dhe besoj që do të jetë një prej kontribuuesve të rëndësishëm në rritjen ekonomike të vendit”, theksoi guvernatori Hamza. 

Përfaqësuesi Rezident i FMN-së në Kosovë Ruud Vermeulen, theksoi se institucionet e Kosovës duhet t’i përmbushin obligimet për të kompletuar programin e FMN-së, në veçanti ri-klasifikimin e veteranëve të luftës.

Vermeulen: Duhet të zbatohet ligji për klasifikimin e veteraneve të luftës

“Siç është cekur edhe më herët është me rëndësi që procesi të vazhdojë dhe institucionet t’i përmbushin obligimet për të kompletuar programin. Në veçanti kjo  do të kërkojë që të bëhet ri-klasifikimi i veteranëve të luftës me një amandamentim në ligj. Ne po shikojmë që gjatë javëve të ardhshme të shohim këtë proces që të japë rezultate, ku janë pjesëmarrës të gjitha autoritet në mënyrë që ta përfundojmë këtë dhe së dyti ne po shijojmë që të përmirësojmë ligjin e invalidëve të luftës. Ne po presim që këto ngjarje do të aprovohen në muajin e ardhshëm. Duke i kombinuar këto dy masa, të cilat janë shumë të rëndësishme për shpenzimet  aktuale dhe kjo do të lejojë hapësirë për shpenzimet në qëllimet që kanë prioritetin më të lartë”, theksoi Vermeulen.

FMN: Riklasifikimi i veteranëve të bëhet deri në fund të majit

Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka rekomanduar Qeverisë së Kosovës deri në fund të muajit maj të përfundojë procesin e riklasifikimit të veteranëve të luftës.

Kjo është bërë e ditur sot gjatë konferencës së përbashkët në mes të përfaqësuesit të FMN-s, Ministrit të Financave, Avdullah Hotit, dhe guvernatorit të BQK-s Bedri Hamza.

“Riklasifikimi i veteranëve është kusht që duhet kryhet deri në fund të majit, si dhe amandamentimi i Ligjit për Veteranët e Luftës së UÇK-së”, ka thënë Hoti.

Shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovë, Ruud Vermeulen, tha se  klasifikimi i veteranëve duhet të bëhet se shpejti dhe se është një proces që duhet të kompletohet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat