Themelohet komisioni për njohjen e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës

Aktuale

Themelohet komisioni për njohjen e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës

Më: 28 prill 2017 Në ora: 10:01
Mbledhja e Qeverisë së Kosovës

(E plotësuar) - Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur ka miratuar kornizën afatmesme të shpenzimeve, për vitet 2018-2020 dhe strategjinë e borxhit publik 2018-2020.

Ministri i Financave Avdullah Hoti tha se Korniza afatmesme e shpenzimeve 2018-2020, paraqet dokumentin kryesor mbi bazën e të cilit miratohet buxheti vjetor për vitin 2018.

Hoti: Fushat prioritare arsimi dhe punësimi

“Korniza afatmesme e shpenzimeve 2018-2020, paraqet dokumentin kryesor mbi bazën e të cilit miratojmë buxhetin vjetor për vitin 2018. Qëllimi kryesor i kësaj kornize është që të ofrojmë një analizë të mjedisit makroekonomik në vend, për të vendosur bazën për planifikimet buxhetore për tri vitet e ardhshme. Prioritete që janë vendosur në këtë kornizë, burojnë nga strategjia kombëtare për zhvillim dhe programi për reforma ekonomike 2017-2019 dhe nga strategjitë e shumta sektoriale që kemi. Fushat prioritare që trajtohen në këtë kornizë janë arsimi dhe punësimi”, tha ai.

Qeveria po ashtu miratoi vendimin për themelimin e komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës çlirimtare të Kosovës. Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi tha se anëtarët e komisionit janë me mandat pesë vjeçar. Abrashi pohoi se themelimi i këtij komisioni, shënon një datë të rëndësishme për viktimat e dhunës seksuale. Ndërsa tha se vendimi për shumën e kompenzimit, do të merret në një nga mbledhjet e ardhshme të Qeverisë së Kosovës.

Abrashi: Datë e rëndësishme për viktimat e dhunës seksuale

“Qeveria e Kosovës ka qenë e përkushtuar në mbrojtjen edhe ofrimin e kujdesit social ndaj qytetarëve të saj dhe në veçanti të viktimave të dhunës seksuale si një ndër kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë. Konsideroj që themelimi i këtij komisioni sot nga Qeveria e Kosovës shënon datë të rëndësishme për viktimat e dhunës seksuale. Sepse më në fund pas një periudhe të gjatë pas luftës, kjo kategori do të trajtohet si kategori e luftës çlirimtare të Kosovës. me funksionalizimin e këtij komisioni do të filloi dhe procesi i aplikimit dhe planifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale dhe më pas edhe kompenzimi i tyre, duke filluar kështu dhe mbështetjen institucionale të munguar deri më tani për këtë kategori të ndjeshme të shoqërisë“, tha ai.

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa tha se kjo është një çështje tepër e ndjeshme dhe shumë e rëndësishme për vendin dhe viktimat e dhunës seksuale.

Mustafa: Çështje e rëndësishme për vendin

“Është një çështje tepër e ndjeshme dhe shumë e rëndësishme edhe për vendin por sidomos për personat që janë të prekur në këtë fushë”, tha ai.

Ministri i Financave,  Avdullah Hoti para kabinetit qeveritar prezantoi raportin tremujor të buxhetit për vitin 2017. Ai tha se  trendi rritës i të hyrave, ka vazhduar dhe se ky tre mujor është karakterizuar me aktivitet të mirë ekonomik.

Hoti: Ky tre mujor e karakterizuar me aktivitet të mirë ekonomik

“Ky tre mujor është karakterizuar me aktivitet më të mirë ekonomik, krahasuar ,me periudhën  e njëjtë të vitit  2016. Trendi rritës i të hyrave ka vazhduar dhe gjatë këtij tre mujori. Të hyrat tatimore dhe ato jo tatimore kanë shënuar rritje për 7 për qind krahasuar me vitin e kaluar, që korrespondon me një rritje prej 23.9 milion euro, që ka ardhur kryesisht nga rritja e të hyrave të rregullta tatimore. Në Dogana të hyrat janë rritur për 0.3 për qind më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Ky rezultat është shumë i mirë kur kemi parasysh  për shkak të zbatimit të MSA-së nga një prilli i vitit të kaluar dhe pastaj nga një] janari i këtij viti”, tha ai.

Ndryshe, Qeveria ka ndare mjete prej 26 mijë euro për anëtarësimin e Kosovës në organizatën botërore të Doganave. Qeveria po ashtu i ka ndarë AVUK -ut 432 mijë euro për sëmundjen Gungore si dhe 350 mijë euro për dezinfektimin e hapësirave prej etheve hemorragjike.

Qeveria po ashtu ka ndarë  30 mije euro për ndërtimin e shtatores së dëshmorit Edmond Hoxha.

Themelohet komisioni për njohjen e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës

Qeveria e Kosovës ka miratuar kornizën afatmesme të shpenzimeve për vitet 2018-2020, strategjinë e borxhit publik 2018-2020, si dhe vendimin për themelimin e komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies, Arban Abrashi në mbledhjen e Qeverisë, tha se anëtarët e komisionit janë me mandat 5 vjeçar. Sipas tij, themelimi i këtij komisioni shënon një datë të rëndësishme për viktimat e dhunës seksuale dhe se me këtë fillon mbështetja institucionale e munguar deri më tani.

Kryeministri Isa Mustafa tha se kjo është një çështje e ndjeshme dhe e rëndësishme, sidomos për personat e prekur në këtë fushë.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti prezantoi raportin tremujor të buxhetit për vitin 2017. Ai tha se  trendi rritës i të hyrave ka vazhduar.

“Në dogana të hyra janë rritur prej 0.3 për qind krahasuar me vitin paraprak. Taksat doganore janë ulur për 40 për qind. Të hyrat vetanake të komunave janë rritur prej 13.4 për qind. Shpenzimet për paga dhe mëditje janë brenda planifikimeve. Rënie të shpenzimeve për mallra dhe shërbime për 1 për qind”, tha ai.

Qeveria ka ndarë mjete prej 26 mijë euro për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Botërore të Doganave.

Qeveria po ashtu i ka ndarë AVUK-ut 432 mijë euro për sëmundjen gungore, mjete këto që janë ndarë nga shpenzimet e  parashikuara.

Qeveria ka ndarë mjete prej 350 mijë euro për dezinfektimin e hapësirave prej etheve hemorragjike, si 30 mije euro për ndërtimin e shtatores së dëshmorit, Edmond Hoxha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat