Albin Kurti flet për dhunën në Maqedoni, akuzon Thaçin e Veselin për reagimet e buta

Aktuale

Albin Kurti flet për dhunën në Maqedoni, akuzon Thaçin e Veselin për reagimet e buta

Më: 28 prill 2017 Në ora: 13:07
Albin Kurti e Glauk Konjufca

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se situata e krijuar mbrëmë në Maqedoni “ka pasur miratim edhe në Prishtinë”.

“Mustafa nuk reagoi hiç, ndërsa siç reaguan Thaçi e Veseli, më mirë mos të kishin reaguar fare”.

“Nuk mund të dënohet dhuna në përgjithësi, kur dihet me emër e mbiemër nga kush erdhi ajo dhunë”.

Këto komente Kurti i ka bërë në një konferencë për media, pas ngjarjeve që ndodhën mbrëmë në Parlamentin e Maqedonisë, kur për herë të parë kreu i këtij institucioni u zgjedh shqiptari Talat Xhaferi.

Kurti tutje tha se ky është momenti kur Prishtina dhe Tirana duhet ta intensifikojnë bashkëpunimin dhe komunikimin me partitë shqiptare atje si dhe me deputetët shqiptar.

“Prishtina i la vetëm deputetët shqiptar në Shkup, në momentin kur dihet se Gruevski dhe Ivanovi e kanë kapur Ushtrinë dhe Policinë”.

“Kjo u pa edhe mbrëmë se sa vonë ndërhynë ata”.

Kurti tutje tha se shqiptarëve nuk u lejohet të udhëheqin.

“Shqiptarët lejohen në përbërje të institucioneve, por jo edhe të prijnë jo edhe të jenë udhëheqës”.

“Shumica e votuan Talat Xhaferin, por ai u dënua nga foltorja e tij”.

Ndërsa deputeti tjetër, Glauk Konjufca tha se Vetëvendosje qëndron përkrah popullit shqiptar në Maqedoni.

“Solidarizohemi me deputetët e rrahur dhunshëm, duke përfshirë edhe ata shqiptarë nga bandat e Gruveskit atje”.

Tutje deputetët, Kurti e Konjufca, i kanë uruar shërim sa më të shpejtë deputetit Zijadin Selës të Lëvizjes për Reforma – PDSH.

Ndryshe mbrëmë kanë mbetur të lënduar gjithsej 102 nga dhuna që u shkaktua në Parlamentin e Maqedonisë, nga grupe që u lejun të futen në Kuvend, vetëm pak kohë pasi Xhaferi u votua për të parin e këtij institucioni.

Në Spitalin e Qytetit në Shkup që ndodhet përballë Kuvendit, ndihmë mjekësore kanë kërkuar gjithsej 70 qytetarë, 22 policë dhe 3 deputetë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat