"Sot sikur asnjëherë më parë na duhet idealizmi i Iliaz Kodrës"

Aktuale

"Sot sikur asnjëherë më parë na duhet idealizmi i Iliaz Kodrës"

Më: 28 prill 2017 Në ora: 17:45
Pamje nga akademia përkujtimore me rastin e 18 vjetorit të rënies heroike të heroit dhe komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra.

Respekti më të mirë që mund t’i bëhet heroit Iliaz Kodra dhe të gjithë të tjerëve të rënë në liri dhe pavarësi, është që të punohet me tërë dijen dhe vullnetin për të demokratizuar dhe zhvilluar institucionet shtetërore, duke e zhvilluar ekonominë tonë, për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të bërë Kosovën pjesë të NATO-s dhe BE-së.

Kështu u tha në akademinë përkujtimore me rastin e 18 vjetorit të rënies heroike të heroit dhe komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli tha se në vigjilje të kësaj akademie kushtuar rënies heroike të Ilaz Kodrës, sot u ka dorëzuar shoqatave të luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës draftligjin, nëpërmjet të cilit Republika e Kosovës institucionalizon mbrojtjen e vlerave të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Veseli: UÇK do të triumfojë mbi shpifjet

"Ashtu si dje Ushtria Çlirimtare e Kosovës triumfoi mbi makinerinë e luftës të Serbisë, sot nderimi dhe respekti për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës do të triumfojë mbi shpifjet, denigrimet, mbi akuzat dhe propagandën speciale kundër saj. UCK është krenaria jonë kombëtare ndërsa, mijëra djemë e vajza që dhanë jetën janë themeli mbi të cilin qëndron Republika e Kosovës“, ka thënë ai.

Në vazhdim të fjalës së tij, kryetari i Kuvendit bëri të ditur se muajin që vjen, dy vajza, dy studente shembullore të Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Prishtinës, do ta përfaqësojnë Republikën e Kosovës në dy sesione të Parlamentit Evropian të të Rinjve, të cilat do të të flasin për Kosovën në forumin që bashkon të rinjtë nga e gjithë Evropa: Flaka, vajza e doktor Fatmir Fazliut, i cili në prillin e vitit 1999, bashkë me një grup intelektualësh nga Mitrovica u morën nga forcat serbe dhe ende sot e kësaj dite nuk dihet për fatin e tyre, dhe Krenarja, vajza e vogël e komandantit të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës, heroit Ilaz Kodra.

Veseli: Vajzat do ta tregojnë kush është shtet ynë

“Jam shumë i sigurt se këto dy vajza do të tregojnë në mënyrë dinjitoze se cila është Republika e Kosovës dhe cili është shteti ynë“, ka thënë Veseli.

Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi tha se lufta dhe veprimtaria e tij është e paharrueshme dhe se kujtimi për të me të drejtë do të jetë i përhershëm.

Abrashi: Ky është respekti që mund t’i bëjmë dëshmorëve

“Respekti më të mirë që mund t’i bëjmë heroit Iliaz Kodra dhe të gjithë të tjerëve të rënë në liri dhe pavarësi është që ne të punojmë me tërë dijen dhe  vullnetin për të demokratizuar dhe zhvilluar institucionet shtetërore, duke e zhvilluar ekonominë tonë, për të forcuar sundimin e ligjit dhe  për të bërë Kosovën pjesë të NATO-s, të BE-së dhe për të vazhduar miqësinë e përhershme me SHBA-në. Sot sikur asnjëherë më parë na duhet idealizmi dhe vullneti i Iliaz Kodrës dhe shokëve të tij për t’i bërë qytetarët e Republikës së Kosovës krenar me shtetin e tyre”, tha ai.

Abrashi gjithashtu theksoi se Komandanti Ilaz Kodra ra heroikisht në këtë datë, me lavd dhe me nder duke mbrojtur civilët e pambrojtur të cilët po sulmoheshin në mënyrë qyqare nga paramilitarët serb.

Vajza e komandantit Kodra, Sumeja Kodra në fjalën e saj tha se si familje janë krenarë për heroizmin e tij.

Ajo u shpreh se sot mbizotëron krenaria për të qenë bijë e heroit të Kosovës.

Kodra: Babai ynë nuk është vetëm i ynë

"Babai ynë si bashkëlutëtarët e tij me vetëdije të plotë ra në frontet e luftës duke i shërbyer atdheut me çmimin më të lartë, jetën e tyre. Sot në zemrat tona nuk mbizotëron pikëllimi por mbizotëron krenaria e një komandantit të rënë heroikisht në themelet e lirisë së Kosovës, mbizotëron krenaria e të qenit bië e heroit të Kosovës. ...Babai ynë nuk është vetëm babai ynë. Ai është heroi i Kosovës të cilin e deshi me shumë se gjithçka tjetër", tha ajo.

Ndërkaq, historiani Sabit Syla, rrëfeu në pika të shkurtra gjithë çfarë kishte përjetuar heroi Ilaz Kodra së bashku me bashkëluftëtarët e tjerë.

Ai tha se para luftës në Kosovë vërehej shtypja dhe presioni serb ndaj veprimtarëve dhe civilëve.

Shërbimi sekret serb, vijoi ai, kishte rënë në dijeni për veprimtarinë e Ilaz Kodrës dhe shpalli aktakuzë për 15 veprimtarë shqiptar për 'terrorizëm dhe ndihmë dhënë terroristëve'

Akademia Përkujtimore për të nderuar heroizmin e Komandantit Ilaz Kodra, u organizua nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat