Zyrtare: MD ia hedh poshtë dy nenet e propozuara për fyerje presidentit Thaçi

Aktuale

Zyrtare: MD ia hedh poshtë dy nenet e propozuara për fyerje presidentit Thaçi

Më: 30 prill 2017 Në ora: 09:15
Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha dhe presidenti Thaçi, ilustrim nga "Bota sot"

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se është marrë vendim për tërheqjen e menjëhershme të neneve të propozuara (fyerja ndaj shtetit dhe simboleve shtetërore) dhe (fyerja ndaj organeve kushtetuese), nga propozimi për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Penal të Kosovës.

“Duke marrë parasysh shqetësimet e ngritura nga shoqëria civile, Ministria e Drejtësisë njofton opinionin publik se me efekt të menjëhershëm tërheq nenet e propozuara 134/C (“fyerja ndaj shtetit dhe simboleve të shtetit”) dhe 134/D (“fyerja ndaj organeve kushtetuese”) nga propozimi për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Penal të Republikës”, thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë.

“Ministria e Drejtësisë dëshiron të theksojë se i merr seriozisht shqetësimet e shoqërisë civile lidhur me çdo propozim që vjen nga Ministria e Drejtësisë dhe dëshiron të dëshmojë se është e gatshme të bëjë idetë dhe propozimet e shoqërisë civile pjesë të vendimeve të saj.

Ministria e Drejtësisë synon të vazhdojë dhe të thellojë bashkëpunimin me shoqërinë civile të Kosovës në të gjitha fushat që janë në përgjegjësinë e saj dhe do të sigurojë që shoqëria civile do të përfshihet në të gjitha proceset e politik-bërjes dhe hartimit të legjislacionit, duke përfshirë Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale dhe tërë rishikimin funksional të sistemit të sundimit të ligjit në Kosovë.

Image
Kushdo që do të fyente Presidentin, do të dënohej me burgim nga tre muaj deri në 5 vjet
Hashim Thaçi, ilustrim nga "Bota sot"

Jemi të bindur se vetëm përmes një bashkëpunimi të ngushtë midis institucioneve publike dhe shoqërisë civile mund të realizohen veprime që janë në dobi të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj, dhe Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar në këtë drejtim”, thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Drejtësisë.

Ndryshe, në Nenin për ndryshimin e Kodit penal dhe Procedurës penale thuhej se kushdo që publikisht, në një takim, ose nëpërmjet shpërndarjes së materialeve të shkruara shpif ndaj një organi kushtetues, Presidentit, Kuvendit, Qeverisë, Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës ose një prej anëtarëve të tyre në këtë kapacitet, në një mënyrë të dëmshme për respektimin e shtetit dhe kështu qëllimisht mbështet përpjekjet kundër vazhdimit të ekzistencës së Republikës së Kosovës ose kundër parimeve të saj kushtetuese, do të dënohet me burgim nga tre muaj deri në 5 vjet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat