Administrata profesionale, boshti kurrizor i procesit të integrimit

Aktuale

Administrata profesionale, boshti kurrizor i procesit të integrimit

Më: 3 maj 2017 Në ora: 12:44
Konferenca regjionale me temën “Skema e BE-së për Profesionistët e Rinj të Ballkanit Perëndimor”.

Një administratë profesionale është esenciale në procesin e integrimit evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kështu u tha në hapjen e konferencës regjionale dy ditore me temën “Skema e BE-së për Profesionistët e Rinj të Ballkanit Perëndimor”.

Ministrja e Integrimeve Evropiane Mimoza Ahmetaj e quajti moment të rëndësishëm procesin e integrimit evropian nëpër të cilin po kalon Kosova, por edhe shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor.

Ahmetaj: Integrimi evropian është moment i rëndësishëm për Kosovën

“Integrimi evropian është moment i rëndësishëm dhe është momenti me i rëndësishëm jo vetëm Kosova, por të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor janë duke e kaluar. Për neve çështja e shërbyesve civil dhe administrata publike edhe pse nuk është një nga kapitujt e ‘Aqui Communitaire’, por është boshti kurrizor i gjithë procesit të integrimit evropian. Deri tash Kosova ka pasur mundësinë që mbi 3 mijë shërbyes civil të kalojnë në për 150 module të ndryshme në mënyrë që shteti të përgatitet e të jetë sa më i gatshëm dhe të integrohet në BE”, tha Ahmetaj.

Libor Chlad, nënkryetar i bashkëpunimit në zyrën e BE-së në Kosovë tha se integrimi apo ambicia për përafrimin në Bashkimin Evropian kërkon që shtetet e Ballkanit Perëndimor të profesionalizojnë administratat e tyre publik, dhe te cilat funksionojnë me efikasitet, të lira nga presioni politik dhe korrupsioni dhe të cilat rrisin transparencën e tyre duke qenë të arritshme për shoqërinë civile.

Chlad: Integrimi bie mbi profesionalizmin e administratave

“Procesi i integrimit bie rëndë në profesionalizmin dhe efikasitetin e administratave publike sepse barra që e prezanton është puna për të siguruar se gjithçka është në vendin e duhur. Duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj detyre, reformat e zgjerimit e shteteve që ju i përkrahni është reforma e administrimit publik në shtetet e Ballkanit Perëndimor jo  vetëm përmes udhëzimeve dhe mbështetjes politike  por edhe përmes instrumenteve të bashkëpunimit institucional siç janë projektet të binjakëzimit. Reforma e administrimit publik dhe qeverisja e mirë mbesin në pozicion të lartë në listën e prioriteteve edhe në vitet në vazhdim dhe veçanërisht në Kosovë në po kërkojmë një reformë gjithëpërfshirëse të administrimit publik për vitin 2017”, tha Chlad.

Sipas tij, administratat publike në Ballkan kanë ngjashmëri në strukturën dhe dobësitë e tyre, po ashtu duke u ballafaquar edhe me sfida të njëjta. Chlad shtoi se duke marrë parasysh se objektivat mbesin të njëjta, të gjithë kanë për qëllim të forcojnë qeverisjen publike, të luftojnë korrupsionin, të fuqizojnë sundimin e ligjit dhe institucioneve të cilat mund të ofrojnë një ambient legal të qëndrueshëm, të parashikueshëm dhe të detyrueshëm, për të rritur kapacitetin e administrimit publik dhe për të përmirësuar ambientin e të bërit biznes.

Drejtore regjional i British Council, Andy Williams tha se ky projekt ka qenë shumë i rëndësishëm dhe tregon se nëse ndërton një shërbim profesional civil dhe e kombinon me bashkëpunim regjional dhe shkëmben eksperienca atëherë mund të bësh shumë gjëra të mira të ndodhin.

Williams: British Council do të ndihmoj në reformimin institucional

“E ardhmja e njerëzve të Ballkanit Perëndimor është e një rëndësie kritike për stabilitetin Evropian. Duke ndihmuar për të siguruar një të ardhme të begatshme për njerëzit e Ballkanit Perëndimor është shumë e rëndësishme që ‘British Council’ të vazhdojë të punojë me qeveritë, organizatat ndërkombëtare dhe partnerë të tjerë në reformimin institucional dhe ndërtimin e kapaciteteve. Ne ndihmojmë me punën tonë, pa marrë parasysh a është në fushën e edukimit, artit apo gjuhës angleze apo në këtë rast në administrimin publik. Ne kemi për qëllim që t’iu japin njerëzve të rinj profesionalë shkathtësitë për të cilat ata kanë nevojë dhe kualifikimet për të përparuar dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre”, tha Williams.

Konferenca do të vazhdojë edhe nesër me prezantimet që do t’i bëjnë panele të ndryshme nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat