Gjyqtari i Speciales gjykon Naser Kelmendin

Aktuale

Gjyqtari i Speciales gjykon Naser Kelmendin

Më: 3 maj 2017 Në ora: 16:41
Naser Kelmendi

Vladimir Mikula, gjyqtari që do të jetë pjesë e Gjykatës Speciale është bërë anëtar i trupit gjykues në gjykimin e Naser Kelmendit.

Gjyqtari i EULEX-it që së fundmi është emëruar edhe në listën e gjykatësve të Gjykatës Speciale, Vladimir Mikula, është caktuar të jetë anëtar i trupit gjykues në rastin e Naser Kelmendit.

Mbrojtja e Kelmendit ndërrimin e trupit gjykues e cilëson dënim të dyfishtë për Kelmendin.

Vladimir Mikula do të jetë në vend të gjyqtares polake, Mariola Pasnik në trupin gjykues që po e gjykon Naser Kelmendin për akuzat e vrasjes dhe krimit të organizuar.

Kelmendi që po gjykohet nga një trup me shumicë të gjyqtarëve të EULEX-it është arrestuar në vitin 2013, ndërsa nga ajo kohë pjesën më të madhe e ka kaluar në paraburgim ndërsa vetëm së fundi atij ju ndërpre paraburgimi dhe iu zëvendësua me arrest shtëpiak, ndërsa Gjykata e Apelit në të dyja këto raste e riktheu në paraburgim.

Naser Kelmendi në gjykimin që filloi në janar të vitit 2015  gjykohej nga trupi gjykues në përbërje kryetares së trupit gjykues, Ana Adamska-Gallant, gjyqtares nga Polonia, Mariola Pasnik dhe gjyqtares vendore Syzana Çerkini.

Kjo përbërje e trupit gjykues u ndërrua në muajin prill, pasi që gjyqtarja Pasnik u zëvendësua nga gjyqtari Vladimir Mikula.

Gjyqtari nga Republika Çeke, Mikula në Kosovë shërbeu disa vite, ndërsa gjykoi edhe raste të profilit të lartë.

Më 7 shkurt të këtij viti u njoftua se do të jetë pjesë e Regjistrit të Gjykatësve Ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara.

Në gjykimin e  Kelmendit deri më tani janë zhvilluar me dhjetëra seanca ku kanë dëshmuar pjesa dërmuese e dëshmitarëve, shumica  e të cilëve kanë qenë nga Bosnja.

Besnik Berisha, thotë se ndërrimi i trupit gjykues në fazën finale të gjykimit, është padrejtësia më e madhe që po i bëhet Kelmendit dhe alarm i keq për objektivitetin e ndarjes së drejtësisë nga EULEX.

“Gjykata e EULEX-it ka dështuar që t’i sigurojë Kelmendit një gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme siç e obligon ligji, kushtetuta dhe aktet juridike ndërkombëtare”, tha Berisha.

Avokati Berisha më tej vlerëson se fakti që gjyqtari i sapocaktuar është pjesë e dhomave të specializuara vetëm e keqëson gjendjen.

“Ndërrimi i anëtarit të trupit gjykues me një gjykatës që është pjesë e dhomave të specializuara është  edhe një dënim tjetër që i bëhet Kelmendit, pa ligj dhe pa akuzë, sepse ky gjykatës në një të ardhme jo të largët do të braktisë sërish trupin gjykues”, tha Berisha.

Berisha tha se këtë shqetësim e ka ngritur edhe para trupit gjykues aktual, ndërsa anëtari i ri i trupit gjykues nuk ka qenë në gjendje të garantojë se nuk do të përsëritet skenari i njëjtë.

“Shqetësimi ynë u është paraqitur shumë më herët zyrtarëve të lartë të EULEX-it së bashku me kërkesën për t’i siguruar Kelmendit  një gjykim të drejtë  dhe të pandikuar nga lart, por është kaluar në heshtje për pasojë kemi këtë situatë që e kemi”, tha Berisha.

Berisha më tej është kritik ndaj Prokurorisë së EULEX-it për shkak të siç e quan ai, dështimeve të saj të vazhdueshme në sigurimin e provave duke e stërzgjatur gjykimin e Naser Kelmendit.

Krejt në fund Berisha thotë se mbrojtja e Kelmendit dhe vetë Kelmendi tashmë e kanë humbur besimin në përkushtimin, objektivitetin dhe ndarjen e drejtësisë.

Lidhur me procesin e ndërrimit të anëtarit të trupit gjykues, kallxo ka shkruar edhe Zyrës për Informim të EULEX-it, e cila është përgjigjur shkurt, duke konfirmuar se Mikula do të jetë pjesë e Gjykatës Speciale.

“Gjyqtarët caktohen në raste gjyqësore në përputhje me Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që Lidhen me Mandatin e EULEX-it. Gjyqtari Mikula është në regjistrin e Gjykatës Speciale”, thuhet në përgjigjen e dërguar nga zëdhënësja e EULEX-it Dragana Nikoliq-Solomon.

Media ka shkruar për proceset në të cilat ishte përfshirë Mikula, kur u njoftua se ai do të jetë pjesë e Gjykatës Speciale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat