Krasniqi i reagon LDK-së: Këto këshilla duhet t'i merrni nga Amerika

Aktuale

Krasniqi i reagon LDK-së: Këto këshilla duhet t'i merrni nga Amerika

Nga: A.Zh Më: 6 maj 2017 Në ora: 09:26
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi

Ish-kryetari i Kuvendit dhe tash kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, i ka reaguar ministrit Avdullah Hoti, i cili ka thënë se Lidhja Demokratike është partneri më kredibil i SHBA-së.

Krasniqi në një postim në Facebook, ka shkruar se nëse është e vërtet që LDK-ja ka mbështetjen e SHBA-ve, atëherë “kjo do të duhej të përdoret për forcimin e sovranitetit të shtetit që me fusnotë është lënë pa sovranitet”.

Sipas Krasniqit, kjo mbështetje e Amerikës do të duhej ta përdornin për ruajtjen e tërësisë territoriale dhe jo për humbjen e 8200 hektarëve, përcjell Bota sot.

Ja komenti i plotë i Krasniqit në Facebook:

Thirruni në Amerikën për mbrojtje të Sovranitetit të Shtetit?!

Ministri Hoti paska thënë: “Lidhja Demokratike është partneri më kredibil i SHBA-s, ne do ta procedojmë të hënën në Kuvend, për këtë jemi koordinuar edhe me amerikanët”. Fjalën e ka për Ratifikimin e Demarkacionin me Malin e Zi!

Nëse është kështu, mirë fortë, por përdorni mbështetjen e SHBA-ve për forcimin e sovranitetit të shtetit që me fusnotë e keni lënë pa te dhe përdoreni Amerikën për ruajtjen e tërësisë territoriale e jo për humbjen e 8200 hektarëve. Nxirrni mësimet e duhura sesi ndërtohet shteti i se drejtës, si ndahen e funksionojnë pushtetet, si zbatohen ligjet, si funksionon gjyqësori, si zhvillohet vendi dhe si përparohet arsimi e përmirësohet shëndetësia! Këto këshilla duhet t'i merrni nga Amerika! Atëherë do t’ju besoja se vërtetë e keni mbështetjen Amerikane!

Kur ta luftoni krimin e korrupsionin që po e han pavarësinë, sovranitetin e territorin, kur ta luftoni nepotizmin e pa ligjësitë e grumbulluara si stoqe, kur të hapni perspektiva për qytetarët, kur zhvilloni vendin e ngriteni mirëqenien qytetare, siguroni e garantoni sovranitetin e shtetit, do t’ju kuptojmë edhe kur thirreni në mbështetjen Amerikane! Atëherë sinqerisht do t'ju besojmë se do të kemi përse! Kështu si po veproni ju qeveritarët po e fyeni demokracinë amerikane!

Përndryshe, nëse jeni të bindur se keni qeverisur mirë, pse frikësoheni për t'ju drejtuar qeveritarëve për një mandat të dytë?

Qeveritarë: Qytetarët nuk ushqehen ma me deklarata boshe! Ata donë siguri e mirëqenie që e shohin dhe e prekin përditë!/BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat