Në Këshillin e Sigurimit diskutohet iniciativa e Thaçit për ushtrinë

Aktuale

Në Këshillin e Sigurimit diskutohet iniciativa e Thaçit për ushtrinë

Më: 16 maj 2017 Në ora: 10:58
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Këshilli  i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara sot diskuton raporton tre mujor për situatën në Kosovë, duke qenë pika e parë që hapë takimin e Këshillit.

Kështu bëhet e ditur në agjendën ditore të Kombeve të Bashkuara, dhe këtë raport do ta prezantojë Zahir Tanin, Përfaqësues Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shef i Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Në raportin e fundit, përmendet rasti i ndalimit të ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, nga autoritetet franceze në bazë të një flet-arresti që figuronte në INTERPOL të lëshuar Serbia, shkruan arbresh.info.

Po ashtu, aty përmendet edhe deklarata e ish-deputetit të AAK-së, Daut Haradinaj, si reagim ndaj situatës së krijuar me vëllain e tij, në Francë.

“Vëllai i Haradinajt, Daut Haradinaj, që është po ashtu përfaqësues i AAK-së në Kuvendin e Kosovës, kërcëoni me luftë dhe spastrim etnik të serbëve të Kosovës, nëse vëllai i tij do të ekstradohej në Serbi,” thuhet më tej në raport.

Për më tepër, aty përmendet edhe iniciativa e presidentit, Hashim Thaçi, për të fuqizuar mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, përmes ndryshimeve ligjore, por jo edhe përmes ndryshimeve kushtetuese.

“Krijimi i forcave të armatosura do të kërkonte ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, e cila do të duhej të miratohej me dy të tretat e shumicës në Kuvend dhe me shumicën e barabartë të vendeve të rezervuara për përfaqësuesit e pakicave etnike. Prandaj, kjo iniciativë do të kërkonte miratim nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, të cilët kundërshtojnë fuqishëm krijimin e një ushtrie të Kosovës,” thuhet në raport.

Në këtë seancë do të shqyrtohet raporti i rregullt tremujor i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres lidhur me punën e UNMIK-ut dhe situatën në Kosovë në periudhën nga 16 janari deri më 15 prill të këtij viti.

Ky raport paraqitet në pajtim me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244 (1999), përmes së cilës Këshilli vendosi të themelojë Misionin e Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Prioritetet e Misionit vazhdojnë të jenë promovimi i sigurisë, i stabilitetit dhe i respektimit të të drejtave të njeriut në Kosovë dhe në rajon.

UNMIK-u vazhdon angazhimin e tij me Prishtinën dhe me Beogradin, me të gjitha komunitetet në Kosovë dhe me akterët regjional e ndërkombëtarë.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Forca e Kosovës (KFOR) vazhdojnë të luajnë rolet e tyre brenda kornizës së Rezolutës së Këshillit të Sigurimit 1244 (1999).

Ky mision ka gjithsej 388 punonjës, duke përfshirë 116 punonjës ndërkombëtarë civilë, 229 punonjës vendor, 27 vullnetarë të KB-së, 16 punonjës të uniformuar, 8 oficerë ushtarak për ndërlidhje, 8 oficerë policie

Personeli ushtarak vjen nga Republika Çeke, Polonia, Republika e Moldavisë, Romania, Turqia dhe Ukraina.

Oficerët e policisë vijnë nga Austria, Bullgaria, Hungaria, Gjermania, Italia, Federata Ruse, Turqia dhe Ukraina.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat