Koalicioni me Veselin, Hajdaraj: PSHDK nuk mund të jetë në një listë me terroristët e PD-së

Aktuale

Koalicioni me Veselin, Hajdaraj: PSHDK nuk mund të jetë në një listë me terroristët e PD-së

Më: 16 maj 2017 Në ora: 21:56
Dedë Hajdaraj

Dedë Hajdaraj ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryetarit të PSHDK-së në Pejë dhe nga të qenit anëtar i kryesisë qendrore të kësaj partie.

Arsyet e dorëheqjes së Hajdarajt janë koalicioni me PDK-në dhe Partinë e Drejtësisë që janë grumbulluar rreth “Misionit të Ri”.

Ai në letrën e dorëheqjes thotë se nuk mund të jetë në një listë të përbashkët me kandidatët e Partisë së Drejtësisë, për të cilët thotë se kanë programe dhe doktrina antishqiptare.

“Pra, NO COMENT, PSHDK-ja në një listë të përbashkët me të tillë kandidatë, të cilët nuk hezitojnë në çdo kohë të ulërijnë edhe publikisht kundër vlerave dhe figurave të shenjta kombëtare, si Gjergj Kastrioti, Nënë Tereza dhe Pjetër Bogdani, por edhe kundër identitetit evropian dhe perëndimor të Kosovës. Prandaj, nisur nga kjo politike, në të cilën liderët e PSHDK-së e ka futur edhe substancën e kësaj parti dhe nisur nga goditja psikike që ka marrë elektorati demokristian, si në Kosovë, ashtu edhe në diasporë, dhe nisur nga drejtpeshimin im shpirtëror, intelektual dhe demokristan, jam i shtyrë të jap këtë dorëheqje të parevokueshme. Jam i bindur se pas kësaj ndërmarrjeje nuk do të jap nesër përgjegjësi as para demokristianëve, as para asaj PSHDK-je që ka falur Zoti, me orientime thellësisht kombëtare dhe perëndimore”, ka shkruar ai nder tjerash.

Ai tutje shkruan se kasta e vjetër politike e Kosovës me MISIONIN E RI, slogan i Qeverisë në ikje të Thaçit, është vetëm parullë elektorale.

“Pra, ajo, për të ruajtur pozitat e veta, ka marrë argatë edhe nga rryma më e fuqishme e terrorizmit që po kanos njerëzimin në planetin Tokë, kundër së cilës është i tërë qytetërimi botëror. Kjo rrymë është thellësisht islamike. Ajo është kundër të gjitha vlerave të qytetërimit demokratik evropian dhe perëndimor. Ajo, fatkeqësisht, është përhapur edhe në Kosovë, kurse pa e pyetur fare elektoratin e vet, në emër të tij dhe të partisë së tij, liderët që kanë përgjegjësi historike e kombëtare pse kanë përçarë PSHDK-së, kështu në strukturë të MISIONIT TË RI, para kombit dhe qytetërimit demokristian shqiptar do të japin përgjegjësi për fajësi akoma më të rëndë. Nga sot, unë nuk do të jap këtë përgjegjësi”, ka shkruar ai në fund.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat