Punëtorët shëndetësorë pezullojnë protestën, jo edhe kërkesat

Aktuale

Punëtorët shëndetësorë pezullojnë protestën, jo edhe kërkesat

Më: 17 maj 2017 Në ora: 12:24
Kryetari i Federatës të Sindikatës të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, në konferencën për media

Punëtorët shëndetësorë kanë pezulluar protestën e paraparë për sot, për shkak të rrëzimit të Qeverisë dhe shkuarjes në zgjedhje të parakohshme. Sindikata e Shëndetësisë ka bërë të ditur se ka pezulluar protestën deri në formimin e qeverisë së re.

Kryetari i Federatës të Sindikatës të Shëndetësisë së Kosovës,  Blerim Syla, në konferencën për media, tha se mesazhi i tyre për qeverinë e re është që ta kenë prioritet shëndetësinë.

Sipas tij, prej të hënës FSSHK do t’iu dërgojë nga një platformë secilës parti politike në vend, ku do të kërkohet vendosja e prioritetit për sektorin e shëndetësisë dhe që për Ligjin e pagave të përfshihen edhe rekomandimet e kësaj sindikate.

Syla: Nuk ka kthim prapa nga kërkesat tona edhe për qeverinë e re

“Apeli për të gjithë është se do ta na presin pas zgjedhjeve qeveria, e cila del do të përballet me kërkesat e Federatës së Shëndetësisë së Kosovës. Një kohë normalisht që do t’i jepet për rimëkëmbjen e dialogut social, por nuk do të kemi kthim prapa nga kërkesat tona. FSSHK e ka platformë e saj të veprimit sindikal, e cila bie se nga dita e hënë ne do t’i dërgojmë nga një draft secilës parti politike se si e shohim ne shëndetësinë, se si duhet shëndetësia të jetë, ku në këtë bazë jemi të hapur të bisedojmë me secilën parti politike nuk do të lejojmë hapësirë që ata të dalin nëpër debate dhe të gënjejnë sikur që kanë gënjyer nëpër kampanja elektorale”, tha Syla.

Ai ka thënë se qeverinë e re nuk e presin ditë të këndshme nëse japin premtime boshe, pasi sipas tij, nuk do të lejohet që të përdhosen punëtorët e shëndetësisë  dhe shëndetësia në Kosovë. 

Syla: Prioritet të jetë shëndetësia

“Mesazhi ynë është dhe jemi shumë të vendosur, e cila vlen për të gjitha partitë politike, ku prioritet numër një të jetë shëndetësia në qeverinë e ardhshme, mega-politika neve s’na intereson në asnjë moment. Edhe një herë apeloj të jetë prioritet shëndetësia. Dhe si e kërkojmë ne prioritetin? Prioriteti ka me u parë në këtë fushatë, se cili do të dalë dhe të thotë se do të rritet buxheti për shëndetësinë. Dhe nëse shkojmë ne me fjalë të kota, se do të kemi shëndetësi pa pare, se do ta pyesim FMN-në ose Bankën Botërore e kanë shumë gabim, sepse ne jemi këtu kujdestarë se çdo premtim elektoral që do ta bëjnë do ta demantojnë po atë ditë nëse na jepet hapësirë nëpër medie”, tha Syla.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat