Analistët: Do të kemi garë “Guns N’ Roses”

Aktuale

Analistët: Do të kemi garë “Guns N’ Roses”

Më: 17 maj 2017 Në ora: 17:07
Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj

Analistët politik vlerësojnë se koalicionet të cilat u formuan, një ditë më parë mes partive politike për të garuar në zgjedhjet e parakohshme, do ta bëjnë garën zgjedhore tejet interesante. Madje këtë e quajnë edhe një garë “Guns N’ Roses”.

Analisti  Imer Mushkolaj ka thënë për Kp se zgjedhja që bëri PDK me dorëzimin e postit të kryeministrit të AAK-ja, ishte një zgjedhje më e mirë,  se sa të hyjë në garë me paqartësi, duke mos ditur se do të dal apo jo partia e parë.

Mushkolaj: Do të kemi garë “Guns N’ Roses”

Besoj që kjo ishte një zgjidhje më e mirë për PDK-në, se sa të hyjë në zgjedhje me paqartësi, në kuptimin se mund të mos dal partia e parë. Pra për PDK në e rëndësishme është të vazhdojë të mbetet me çdo kusht në pushtet. Dhe këto kalkulime të Veselit kanë qenë të fokusuara pikërisht në këtë synim, qoftë edhe me z. Haradinaj kryeministër...Tash e kemi atë garën e paralajmëruar, kur ishte krijuar koalicioni PDK-LDK, respektivisht pak para kësaj kur  Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së thoshte është një koalicion ‘Guns N’ Roses’. Taman tani besoj unë do ta kemi një garë, ‘Guns N’ Roses’ dhe një garë interesante. Për mua e mira e këtyre koalicioneve,  është se qytetarët do ta dinë qartësisht se për kënd do të votojnë. Pra e dinë cilat janë blloqet para zgjedhjeve dhe nuk presim si me thanë, se a do të respektohet apo tradhtohet vullneti i tyre pas zgjedhjeve, siç ka ndodhur me elektoratin e LDK-së kur z. Mustafa në zgjedhjet e kaluara e vendosi të hyjë në koalicion me PDK-në. Kjo është e mira. Gjërat janë të qartësuara”, tha Mushkolaj.

Megjithatë thotë se determinuese do të jenë rezultate pas zgjedhjeve. Ndërkaq AAK-ja, e cila në momentet e fundit bëri koalicion me PDK-në,  sipas tij s’ka çfarë të humb, pasi që një dekadë, janë në pritje që të vijnë në pushtet me  Haradinajn kryeministër.

Mushkolaj: Determinuese rezultatet pas zgjedhjeve

“Mirëpo prapë se prapë determinuese është se cilat do të jenë rezultatet pas zgjedhjeve. Të mos harrojmë faktorin VV, e cila nuk është se ka hy në koalicion. Nuk është se nuk ka diskutuar, por nuk ka hyrë në koalicion me askënd. Dhe pastaj varësisht nga votat, unë besoj se VV mund të determinoj dhe qeverisjen e ardhshme. Në anën tjetër gjithë bashkimi i njerëzve të luftës me një koalicion, mund të ndodh të shkaktoj politizim shumë më të madh të elektoratit të LDK-së, ose atij elektoratit të fshehur të LDK-së. Por, po ashtu të zhgënjyerit dhe ata që refuzojnë dhe koalicionin ta quaj të UÇK-së dhe koalicionin tjetër kushtimisht paqësor, mund ta votojnë VV si një zgjidhje të ndërmjetme”, tha ai.

 Ndërkaq analisti Behlul Beqaj thotë se partnerët e koalicionit PDK-AAK, do të realizojnë interesa të përbashkëta, por njëkohësisht do të përballen me rreziqet dhe pasojat e përbashkëta.

Beqaj: Partnerët në koalicion do të përballen me rreziqet dhe pasojat e përbashkëta

 “Bashkëpunimi eventual mes PDK dhe AAK së nënkupton se këta partnerë do t’i realizojnë interesat e përbashkëta. Por njëkohësisht dhe do të përballen me rreziqet e pasojave të përbashkëta. Në këtë mënyrë do të ishte korrekte për interesa të qytetarëve, që këto pasoja eventuale të kalohen pa tronditje të mëdha dhe të ruhet stabiliteti dhe unanimiteti rreth çështjeve të mëdha. S’do mend dy temat që kanë mbetur të hapura, do të kërkojnë një sfidë veçmas për AAK-në, e cila ka qenë kategorikisht kundër këtij formati të demarkacionit Dhe kjo nënkupton se ata duhet ta rishikojnë qasjen karshi demarkacionit dhe të kërkojnë një zgjidhje, për faktin se janë në koalicion me një partner i cili e ka mbështetur fuqishëm demarkacionin, e propozuar kohë më parë”, tha Beqaj.

Ndërsa thotë se tërheqja e Veselit nga gara për kryeministër,  tregon se synimi i tij nuk  ka qenë i natyrës egoiste, por ka qenë synimi i natyrës së mbrojtjes së interesit publik. E kjo sipas tij është  një lloj i sakrificës së partisë më të madhe,  në funksion  të stabilitetit të brendshëm.

Beqaj: VV, e vetmja parti që ka mbetur në pozicione të njëjta

“Duhet të pajtohemi me faktin se këtu është bërë parim që s’ka parime, nga të gjitha anët. E vetmja parti që ka mbetur pak a shumë në pozicione të njëjta dhe pak a shumë paguan koston e një vetëvendosje të pavarur është pikërisht ajo që po udhëhiqet nga Albin Kurti. Çështje tjetër është se çfarë interesi politik mund të realizojë nesër. Por sa i përket këtyre blloqeve,  po mendoj se pak a shumë po sqarohet konfiguracioni politik në Kosovë, ndonëse të dy blloqet e mëdha janë të ideologjisë së djathtë. Ndërsa VV mbetet e vetmja si faktor shumë serioz që i mbron konceptet e saj të qendrës së majtë. Dhe kjo në një mënyrë na bënë të mendojmë se çështja e ideologjisë,  po merr një kahje shumë të paqartë, për faktin se faktorët dominues,  po bëhen dy blloqe me koncepte të djathta. Ndërkaq sa opozitë e mirëfilltë ideologjike po mbetet vetëm VV-ja”, tha ai.

Mbrëmë pak para mesnate u zyrtarizua koalicioni mes PDK-së në njërën anë dhe AAK-Nismës në anën tjetër.

Pas arritjes së marrëveshjes, përfaqësues të tri partive politike që formuan koalicionin në konferenca të ndara dhanë detaje për koalicionin duke thënë se Ramush Haradinaj do të jetë kandidat për kryeministër, ndërsa kryetari i PDK-së bartës i listës.

 Po mbrëmë edhe LDK nënshkroi koalicionin me AKR-në e Behgjet Pacollit pasi që paraprakisht kishte nënshkruar marrëveshje edhe me Alternativën e Mimoza Kusari-Lilës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat