Haradinaj: Besimin që ma dhanë do t’ia kthej në të mirë atdheut

Aktuale

Haradinaj: Besimin që ma dhanë do t’ia kthej në të mirë atdheut

Më: 17 maj 2017 Në ora: 17:30
Ramush Haradinaj gjate homazheve

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ia ka uruar postin e kryeministrit liderit të AAK-së Ramush Haradinajt.

E ky i fundit tha se besimin e dhënë nga partnerët e koalicionit do t’ia kthej në të mirë të atdheut. Por, ka ripërsëritur se kufiri me Malin e Zi është në Çakorr.

Këto komente Veseli e Haradinaj i bënë në shënimin e 18 vjetorit të çlirimit të Shqiponjës, ish-Jabllanicës dhe ditën e dëshmorëve të komunës së Gjakovës.

Kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli e quajti Shqiponjën, ish-Jabllanicën, çerdhe të lirisë dhe të çlirimtarëve. Madje, uroi banorët e këtij fshati, duke iu thënë se tani kanë një kryeministër, Ramush Haradinaj.

Veseli: Prekazi dhe Shqiponja kanë qenë dy çerdhe të lirisë

“Ne sot jemi në një vend që gjatë viteve të 90-ta ka qenë qerdhe e Shqiponjave. Jam i kënaqur që jam në një vend i cili në fakt gjatë viteve 90-ta kur terrori serb ka qenë i tmerrshëm për familjet tona, në këtë vend nuk ka mundur të futet ushtria e Serbisë. Gjithë luftëtarët e UÇK-së anë e kënd Kosovës kanë lëvizur në këtë fshat. Prekazi dhe Shqiponja kanë qenë dy qerdhe të lirisë, të cilat kanë qenë fidanishtet e para që e kanë sjellë lirinë në qershorin e vitit 1999”, theksoi Veseli.

Ish komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, tani kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, falënderoi partnerët e koalicionit për besimin e dhënë për të udhëhequr Qeverinë pas zgjedhjeve të 11 qershorit.

Haradinaj: Besimin e dhënë nga partnerët do ta kthejmë në të mirë të atdheut

“Përvoja ime në jetë më ka mësuar se nëse iu beson atyre që të besojnë dhe je besnik nuk ka punë që nuk mund të kryhet. Ne punën e luftës kështu e kemi kryer, me besë, me përkrahje të njeri tjetrit të çështjes sonë e të popullit, pa asnjë kursim. Në kohëra tjera të përpjekjeve për të ndërtuar shtet, besimi në atë të presidentit Rugova e kam nderuar, nuk ka qenë situatë e thjeshtë, ka pasur plot mendime ndryshe. Në rrugë e sipër me i mbyllë punët e Kosovës asgjë nuk është e lehtë, ideale. Unë sot kam marr një besim, i falënderoj për besim partnerët politik, edhe unë do t’iu besoj të gjithëve. Këtë besim e këtë punë nuk do ta kthejmë për partitë tona, por do ta kthejmë për atdheun. Kosova jonë e dashur është e vogël, por kufiri do të mbetet në Çakorr”, tha Haradinaj.

Ndërsa, kryetarja e Gjakovës Mimoza Kusari-Lila theksoi se fshati Shqiponjë, ish-Jabllanica njihet si vendi ku krisën pushkët e para të lirisë.

Kusari-Lila: Dëshmorët dhanë jetën që ne të mos jetojmë në gjunjë

“Zëri i betejave që jehoi nga këtu ishte zëri që thirri edhe pjesën e qytetëruar të botës i cila me gjykimin e saj të drejtë u bë mbështetëse e aspiratave të drejta dhe të merituara që kishim si popull. Në ditën e çlirimit të Shqiponjës, shkëpus një thënie, më parë të vdekur në këmbë se sa të jetojmë në gjunjë, e dëshmorët e Shqiponjës, Gjakovës, Dukagjinit e mbarë Kosovës dhanë jetën duke vdekur në këmbë që ne sot të mos jetojmë në gjunjë, por në këmbë të jetësojmë amanetin e tyre për Kosovën”, u shpreh Kusari-Lila.

Kryetari i OVL-UÇK Hysni Gucati tha se janë krenar që i kanë takuar UÇK-së, e cila në radhët e veta kishte Adem Jasharin.

Gucati: Ne sot ndjehemi krenar që i kemi takuar UÇK-së

“Historia jonë e lavdishme është e mbushur me heroizmin, sakrificën të cilat e vulosën përfundimisht fatin e popullit shqiptarë në fund shekullin XX. Ne sot ndjehemi krenar që i kemi takuar UÇK-së, një ushtrie që kishte në radhët e saj komandantin legjendar Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Luan Haradinaj, Myrtë Zeneli e tjerë”, tha Gucati.

Ndërsa në emër të familjeve të dëshmorëve foli Avdi Ismajli i cili tha se themelet e lirisë dhe rruga e saj janë të ndërtuara nga gjaku i më të dashurve tanë. Ky fshat në luftën e fundit dha 34 dëshmorë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat