Presidenti Thaçi dënon sulmin ndaj ambasadores Çitaku: Nxitësit e veprimeve të tilla të ndihen të turpëruar

Aktuale

Presidenti Thaçi dënon sulmin ndaj ambasadores Çitaku: Nxitësit e veprimeve të tilla të ndihen të turpëruar

Nga: B.S Më: 18 maj 2017 Në ora: 10:57
Presidenti Hashim Thaçi

Presidenti Hashim Thaçi ka dënuar sulmin me vezë ndaj ambasadores së Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se shprehja e lirisë së fjalët respektohet nga të gjithë, por nuk duhet të keqpërdoret e të shoqërohet me dhunë, sikur që ka ndodhur rasti me ambasadoren Çitaku, përcjell Bota sot.

Thaçi ka shkruar se sulmi ndaj ambasadores është përpjekje për ta dëmtuar imazhin e Kosovës dhe akterët duhet të ndihen të turpëruar.

Postimi i tij i plotë:

Shprehja e lirë e fjalës dhe mendimit është vlerë fundamentale e demokracisë, e cila respektohet nga të gjithë ne. Kjo e drejtë nuk duhet të keqpërdoret nga askush, duke cenuar integritetin personal të askujt, aq më tepër të një zyrtari shtetëror të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Keqpërdorimi i lirisë së shprehjes, i shoqëruar me dhunë automatikisht shndërrohet në një akt të shëmtuar dhe të dënueshëm, si ai i djeshmi ndaj ambasadores së Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku.

Fyerja dhe sulmi ndaj ambasadores Çitaku ishte edhe një tjetër përpjekje e ulët e radhës për të dëmtuar imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Nxitësit dhe ekzekutuesit e veprimeve të tilla të shëmtuara, duhet të ndjehen të turpëruar. HTH./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat