Gecaj: Do ta dërgojmë koalicionin e territ njëherë e përgjithmonë në analet e historisë

Aktuale

Gecaj: Do ta dërgojmë koalicionin e territ njëherë e përgjithmonë në analet e historisë

Nga: B.S Më: 18 maj 2017 Në ora: 12:23
Bajram Gecaj

Zyrtari i LDK-së, njëherësh këshilltari i kryeministrit Mustafa, Bajram Gecaj ka thënë se LDK-ja bashkë me partitë në koalicion do ta dërgojnë ‘koalicionin e territ’ në analet e historisë, përcjell Bota sot.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Gecaj ka thënë se kandidatura e Avdullah Hotit për kryeministër të Kosovës na bashkon drejt të ardhmes.

Postimi i tij i plotë:

VENDIMI QË PROVON UNITETIN FITUES

Lidhja Demokratike e Kosovës provoi për të satën herë se i rrah fuqishëm damari shtetendërtues dhe vizioni progresist evro-perëndimor për të ardhmen e këtij vendi. Kryeministri i Kosovës dhe Kryetari i partisë, Akademik Isa Mustafa krijoi një precedent jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin e trazuar në tërësi. Ky precedent u mbështet dhe u përcoll nga degët dhe njerëzit nga më të fuqishëm dhe më me përvojë të partisë, siç janë Agim Veliu, Lutfi Haziri, Haki Rugova, por edhe kryesia dhe të gjitha organet partiake. Këta njerëz janë hallka kruciale e unitetit dhe konsolidimit aktual në partinë. Me këtë vullnet pozitiv dhe përgjegjësi institucionale të koordinuar njerëzisht u përkrahë kandidatura e Avduallah Hotit për Kryeministër të Kosovës, kandidaturë kjo e cila na bashkon në mënyrë të fuqishme drejt ardhmërisë, kandidaturë kjo e cila nuk do të kishte as fuqinë dhe as kuptimin po të mos kishte përkrahjen e këtyre njerëzve dhe aktivistëve nga më të dëshmuarit e partisë për vite me radhë. Prandaj, kështu të unifikuar, dhe së bashku me partnerët tjerë të koalicionit, do ta dërgojmë KOALICIONIN E TERRIT, një herë e përgjithmonë, në analet e historisë./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat