Themelohet Shoqata e Turizmit të Kosovës

Aktuale

Themelohet Shoqata e Turizmit të Kosovës

Më: 18 maj 2017 Në ora: 14:07
Shoqata e Turizmit të Kosovës (ShTK)

Sot u themelua Shoqata e Turizmit të Kosovës (ShTK) që do të veprojë në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës. Anëtarët e këshillit të ShTK-së zgjodhën edhe drejtuesit e saj, ku për kryetar u zgjodh Ruzhdi Kurtishaj, ndërsa nënkryetar Petrit Riza.

Kurtishaj, i cili është edhe pronar i agjencisë turistike “Sharr travel”, u zotua se do të jenë një zë i fuqishëm për mbrojtjen e interesave të operatorëve ekonomikë të fushës së turizmit dhe po ashtu edhe promovues i potencialit të turizmit të Kosovës.

Ai tha se është e nevojshme bartja e praktikave evropiane në fushën e kësaj industrie për promovimin e potencialeve të mëdha turistike që ka Kosova.

Kurtishaj: Shoqata, zë i fuqishëm për mbrojtjen e interesave të përgjithshme

“Shoqata e Turizmit të Kosovës do të jenë një zë shumë i fuqishëm për mbrojtjen e interesave të përgjithshme të sektorit tonë. Jo vetëm me kaq, ne si shoqatë do të angazhohemi që shumë shpejt të kemi vizita dhe aktivitete të ndryshme në terren, në të gjitha rajonet me të vetmin qëllim që të krijomë një opinion pozitiv dhe të fillojmë ta rrisim numrin e anëtarësisë”, tha Kurtishaj.  

Ai shprehu gatishmërinë e bashkëpunimit me të gjithë anëtarët e shoqatës për të lobuar në zgjidhjen e problemeve me të cilën përballen bizneset e kësaj fushe.

Ndërsa, nënkryetari Petrit Riza mendon se me një punë të përbashkët do të arrijnë që t’i zgjidhin problemet dhe do të promovojnë turizmin ndërkombëtar, edhe pse sipas tij, do të ketë sfida në këtë drejtim.

Riza: Shoqata jonë është e rëndësishme për turizmin

“Kjo është një sfidë për të gjithë ne dhe rëndësia e një shoqate të tillë ashtu siç u cek është më se e rëndësishme. Tani nëse rrumbullakojmë një gjë kisha pasur dëshirë të them se ne duhet të sillemi si shtet, t’i kemi të gjitha instrumentet dhe biznesin ton ta çojmë përpara. Andaj, nëse nesër bëhet një liberalizim ne duhet të jemi të gatshëm që gjithë këtë investim në biznesin gjithëpërfshirës në territorin e Kosovës duhet të zhvillohet dhe të ecet përpara me këtë shoqatë të cilën e themeluam sot”, theksoi Riza. Ndryshe,  shoqata sot miratoi edhe statutin e saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat