KQZ-ja pranon rreth 2 mijë aplikime nga diaspora për të votuar

Aktuale

KQZ-ja pranon rreth 2 mijë aplikime nga diaspora për të votuar

Më: 18 maj 2017 Në ora: 16:39
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri më sot ka pranuar rreth 2 mijë aplikime nga diaspora për të votuar në zgjedhjet e parakohshme në Kosovë.

Kështu bëri të ditur sot në mbledhjen e KQZ-së Enis Halimi, kryeshef i SKQZ-së.

Halimi: Deri më tani kemi pranuar 1716 aplikacione, 1437 janë pranuar                                              

“ Deri më tash, rreth orës 13 kemi bërë prerjen, kemi pranuar 1716 aplikacione, nga të cilat 1437 janë aprovuar, 219 e kanë statusin të pezulluar në mënyrë që kushtimisht themi as të pranuar as të refuzuar por në pritje për t’u plotësuar dokumentacioni, 1 aplikues është refuzuar dhe 118 aplikacione janë të ashtuquajtura pa status të cilat janë duke i rivlerësuar dhe duke u riproceduar në të njëjtën kohë” , tha ai.

Ai njoftoi KQZ-në se aktualisht është duke u zhvilluar procesi i krijimit të Listës Votuese e cila bazohet në ekstraktin e Regjistrit Qendror Civil si dhe tregoi se janë më pak se 5 mijë votues me dokumente të skaduara të identifikimit dhe se ky numër po zvogëlohet çdo ditë e më shumë.

Anëtar i KQZ-së , Betim Gjoshi, tha se votimi jashtë vendit është duke shkuar mirë si proces si dhe u shpreh se ata që dëshirojnë të votojnë nga diaspora kanë të drejtë aplikimi deri më 22 Maj.

Gjoshi : Deri më datën 22 kanë të drejtë aplikimi

“ Për mua është në rregull që ora 12 e natës të datës 22 të jetë afati i fundit por edhe ne do të jemi të shpejtë që mos me i vonu në kthimin e përgjigjeve, besoj që është duke u punuar paralelisht me iu kthy përgjigje atyre që kanë aplikuar deri më tash suksesshëm që mos me u vonu me zënë afatin e votimit”, u shpreh ai.

Në këtë mbledhje u shtrua edhe çështja e identifikimit të personit që voton.

Anëtari I KQZ-së Adnan Rrustemi tha se është e domosdoshme që të dhënat që përmban karta e identifikimit të votuesit duhet të jenë identikisht të njëjta me Listën Përfundimtare e Votuesve.

Sipas tij, po identifikohet edhe një problem në përzierjen e dokumenteve të vlefshëm  të identifikimit për shkak se sipas tij,  votuesit me kartelë të refugjatit nuk do të duhej të votonin brenda vendit.

Rrustemi: Refugjatët të mos votojnë pa dokumentet adekuate

“ Nëse je refugjat ti nuk je këtu, kjo vlen për votuesit jashtë vendit. Ligji dhe ligjvënësi i ka rendit në të njëjtin vend për shkak që i rendit dokumentet e identifikimit në tansi për të drejtën e votës por, praktika i ndan ata që janë me karta të refugjatëve dhe me kartela të personave të zhvendosur e përdorin për me votu nga jashtë vendit se nuk munden me votu brenda vendit kur nuk janë këtu, nuk ka logjike kjo”, u shpreh Rrustemi.

Ndryshe, në mbledhjen e së enjtes KQZ-ja legjitimoi me anë të votimit fletëudhëzimin e njëjtë që është përdorur në zgjedhjet e fundit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat